Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj deklaron se vendimi pozitiv i ministrave të BE për Shqipërinë për hapjen e bisedimeve është i varur nga dy faktorë.
Cakaj tha se është metodologjia e re dhe raporti i KE-së që konfirmoi që Shqipëria i ka përmbushur kushtet.
“Ky vendim vjen si kombinimi i dy faktorëve, metodologjia e re që ka krijuar një klimë më pozitive për procesin e zgjerimit dhe faktori i dytë raporti i KE-së i cili për herën e tretë konfirmoi që Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme”, tha Cakaj.
Po si u arrit unanimiteti, si u bindë Franca dhe Holanda? Cakaj thotë se procedura e re anëtarësimit e ka bërë procesin më të kontrollueshëm politikisht. “Franca ka këkruar që vendet anëtare të kenë një kontroll më të lartë dhe të jetë një proces më politik në vendosjen e kushteve por përveç këtyre faktor tjetër është dhe rritja e rezultateve nga Shqipëria. Reforma në drejtësi, ngritja e trupave të reja të gjyqësorit dhe rritja e luftës kundër krimit të organziuar dhe korrupsionit”, u shpreh ai.
I pyetur për kushtet shtesë, Cakaj theksoi se nuk bëhet fjalë për kushte shtesë por zgjerim të prioriteteve të angazhimeve. “Të gjitha ato elemente që janë paraqitur janë pjesë e platformës së prezantuar për Shqipërinë në rrugën europiane. Bëhet fjalë për një detajizim.
I pyetur nëse “Shengeni Ballkanik” u përdor nga qeveria shqiptare për t’i bërë presion BE për të marrë ‘PO’-në për çeljen e negociatave, Cakaj tha se Shqipëria nuk i keqpërdor asetet e saj në Ballkan.
“Dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohjen e ndërsjelltë. Të tjerat përcaktohen në platformën politike të Kosovës. Situata është me e ndërlikuar se kaq. (Shengeni Ballkanik) Çështja është se gjithçka është diskutuar në kuadër të kësaj platformë. Është zgjatim i procesit të Berlinit. Do të ndodhë ajo që parashikohej të ndodhte, fillimi rezultateve të procesit të Berlinit me ftesën e vendet të Ballkanit Perëndimor. Flas për vizionin e përgjithshëm. E vërteta është më e komplikuar se sa ajo që transmetohet në portale. Në 2014, me iniciative të kancelares Merkel, ka nisur procesi i Berlinit, që u ndërtua në dy shtylla themelore; pajtimin ndëretnik dhe ndërtimi i tregut të përbashkët rajonal, investimi shtesë i vendeve anëtarë për një arsye të vetme. Sepse sipas kancelares së Gjermanisë ka qenë e rëndësishme që të nxitet zhvillimi i rajonit si BE. Në këtë kuptim ka pasur pajtim absolut. Dhe kjo është përcaktuar dhe me strategjinë e Zgjerimit të paraqitur nga KE në 2018. Ky proces është në thelb të angazhimeve tona europiane. Shqipëria nuk funksion me presione dhe duke keqpërdorur asetet e saj në Rajon. Nëse Shqipëria është shembullore në rajon, është politika e saj dhe përputhshmëria e politikës së jashtme të vendit tonë me politikën e BE. Nga nxitja e bashkëpunimit rajonal, Shqipëria vetëm ka fituar. Pa ç’ka se ka pasur pakënaqësi të segmenteve të caktuara. Procesi i anëtarësimit në BE, nënkupton relativizimin e kufijve në Ballkan. Ka pasur një sasi të frikshme të informacionit të gabuar sa i takon këtij procesi.”, pohoi ministri.