MENU
klinika

Priten analizat

Vetëkarantinohet Merkel, u takua me doktorin e infektuar

22.03.2020 - 19:16

Kancelarja gjermane Angela Merkel është vetëkarantinuar, pasi ka takuar ditën e djeshme një prej doktorëve të infektuar me koronavirus.

Merkel do të qëndrojë në shtëpi nga ku do të kryejë edhe detyrën e saj. Ditën e djeshme Angela Merkel kishte dalë për të bërë pazaret e fundjavës dhe në mbrëmje mbajti edhe një konferencë por më pas u informua se kishte pasur kontakte me doktorin në fjalë.

Pritet që Merkel të bëjë analizat dhe që të mësohet nëse ajo është infektuar apo jo me koronavirus. Pak ditë më parë edhe ministri gjerman për financat Olaf Scholz u karantinua por më pas rezultoi negativ.

Ndërkohe, mësohet se që nga dita e nesërme në Gjermani qytetarët do të lejohen të shkojnë te doktori apo në farmaci. Do të dalin për punë, apo edhe në dyqan. Lejohen edhe shëtitjet dhe sporti por këto nëse do të jenë individuale, dhe jo të shoqëruara në grup, raportojne mediat gjermane.

Për njerëzit familjarë lejohet të jenë bashkë, por nuk lejohet të takohen me të tjerë që mund të hasin rrugëve.

Të gjitha këto masa shtrënguese u deklaruan sot nga kancelarja  Merkel. “Nuk ka ilace apo vaksinë. Ndaj duhet të marrim masa për parandalimin e përhapjes së virusit”, tha kancelarja që shtoi se edhe vetë ka kufizuar takimet.

Të gjitha këto Merkel i vendosi në një konferencë telefonike zhvilluar sot mes kancelares dhe kryeministrave të landeve të ndryshme në Gjermani.

Secili nga landet, do të vendosë vetë për gjobat që do të aplikojë. Psh, kryeministri i një landi bëri të ditur se të gjithë ata që do të shkelin rregullat, mund të penalizohen deri në 25 mijë euro, në fakt, duke iu referuar bizneseve.