Po dëgjoja me tmerr mbrëmë, historinë e një busti, në rrethinat e Gjirokastrës. Një histori që më shpie prapa, shumë më prapa në kohë dhe hapësirë. Pata së pari, rastin të shikoja atë që kohë më parë, e kisha zhvilluar me një nga historianët aktualë, për periudhën e Zogut.
Në marrëdhëniet me fqinjin nëpërmjet dokumenteve, që mund t’i quash dhe Traktate, Zogu kërkonte reciprocitetin absolut. Përmblidhej thjesht në këto kolona që janë të thjeshta për lexuesin.
Së pari, sa shkolla shqip e sa dyqane shqiptare në një distancë “x “ kilometër, do të kem unë në Greqi, aq do të kesh dhe ti në Shqipëri. Dhe në darkë, kur “të mbyllet dyqani”, bilanci tregtar duhet të jetë i barabartë për palët. Në vazhdën e kësaj, pashë dje, se Parlamenti i Shqipërisë i kishte vënë një gjobë të majme fqinjit, që përkundrejt marrëveshjes, nuk kishte lejuar mallra shqiptare të shiteshin në Janinë e Follorinë.
Në emisionin e Marin Memës, pashë diçka më shumë… Dokumentet e kohës, që flisnin për një kriminel, nga ato të silogjeve greke që kërkonin e kërkojnë një pjesë të Shqipërisë së Jugut. Dokumente të një shteti serioz. Po shteti i atëhershëm që ruajti një seriozitet edhe në kohën e Hoxhës, duket është bërë copër e çikë.
Një krimineli të faktuar me dokumente, Sali Berisha i jepte dekoratën më të lartë të kohës, “Martir i demokracisë”, më 1993. Shteti i sotëm, nëpërmjet Këshillit të qarkut në Gjirokastër, i ndërton tani edhe një bust.
Ore ku shkoni? Keni Atdhe apo jo?
Nuk ka ndonjë sekret të madh të kuptohet, pse Zogu bënte traktate të atij lloji dhe Greqia i nënshkruante. Një pjesë e madhe e asaj që quhej Greqi e Veriut, ishte tokë me tapi e Bejlerëve shqiptarë të kohës. Të fuqizuar edhe në kohën e Perandorisë turke, ata mbanin dhe argatë në tokat e tyre rrotull Gjirokastrës, që sot i quajnë minoritet etnik pa iu dridhur qerpiku.
Megjithëse nuk ka asnjë budalla në botë të kuptojë, si pas këtij minoriteti mund të gjendet një zonë e stërmadhe shqipare, pas kufirit që e quajnë Çamëri, që nga kohërat kur është ndërtuar bota. Vetëm një budalla që nuk njeh historinë, ngatërron pjesën me të tërën…
Bejlerët e Shqipërisë, mbronin thjesht tokat, apo pronat e tyre.
Kjo mbrojtje fillon e dobësohet, kur të gjithë mbetën pa tokë e pa pronë. Është pasojë e shtetit ideologjik të Hoxhës, që Sali Berisha atëherë dhe Qeveria tani, jep dekorata dhe lejon buste. Thjesht nëse përdor cinizmin, kjo ndodh, sepse nuk e dinë çfarë është Atdheu.
Po shteti i Hoxhës, kërkoi ta mbronte Atdheun me ideologji… e prandaj e dobësoi pafund dhe erdhëm këtu ku jemi. U hoqi pronën njerëzisë dhe kaq mjaftoi. Po të ishte ndryshe, do të shikonim një Shqipëri tjetër që nuk zvarritet…
Dhe prapë, më kujtohet Plaku Dritëro, që më 87-ën mbante një fjalë të tmerrshme në Lidhje, ndaj ca nënpunësve të mjerë.
E dini çfarë është Atdheu? Është toka, mullari i barit, lopët e pulat që rrethojnë gardhin e shtëpisë. Pa to, nuk ka Atdhe po ka vetëm një m*t!
Pyetja e thjeshtë është: A kemi Atdhe, apo po e humbasim atë copa-copa çdo ditë pa e vrarë mendjen, me copa toke, me dekorata e me statuja dhënë atyre që u kanë kërkuar t’u vjedhin e t’u prishin gardhin e shtëpisë?
Më kujtohet dikur kur Hoxha, shkruante “Dy popuj miq”- në kafenetë ku nuk pipëtinte njeri, papritur foli një njeri i popullit.
I thashë tim eti, për këtë punën e miqësisë së re.
Më tha, thjesht:
-“Mirë bir, më thuaj kur të bëhet realitet, të pastroj edhe njëherë maliherin e gjyshit”.
Thelbi është i thjeshtë, ne nuk kemi Atdhe me këto gjeste që bëjmë. Nëse këtë bustin e ka nënshkruar Prefekti i Gjirokastrës, ka vetëm një rrugë… Të japë urgjent dorëheqjen, si shenja më e vogël që i heq një pjesë të fajit, si shqiptar. Pjesën e fatit si nënpunës, le ta gjejë në qeverinë qendrore.
Mos po bëjmë nacionalistin e ligë?
Në vitin 1998, shihja me çudi një ligj të thjeshtë në pamje të parë, të firmosur nga ministria e Financave. Çdo mall që vinte nga jashtë taksohej në bazë të largësisë nga vinte. Nëse vinte nga 3 000 km larg, paguaje 3 000 dollarë taksë më shumë. I binte që të gjithë të blinin në Janinë. Aty taksa ishte zero. Janina, në ato vite që filluan në 97-ën, mbushi thasët me para nga piramidat e filloi të lulëzojë.
Ky ligj e lulëzoi ca më shumë. Se Greqia, favorizuar nga ky ligj që firmosi Nano si kryqeverisës, mund të bënte magazina, ku mbetjet e pafundme a stoku i mallrave të saj, shitej për bukuri në Janinë.
U talla rëndë në atë kohë dhe artikullit, i vura titullin që ai që kishte bërë këtë ligj meritonte dekoratë të lartë nga shteti fqinj, domethënë Greqia.
Ky hyner i fundit në emisionin e Marin Memës, tregon sa larg shkojnë punët. E sa larg jemi nga ai përkufizim i thjeshtë i Plakut Dritëro, për Atdheun.
Nuk jam nacionalist i keq. Kur grekët bëjnë tregti, a gjëra të ngjashme janë në të drejtën e tyre. Kur ata morën dhe ndërtuan Egnatian, që nuk e zëvendësonte Korridorin e 8-të kurrë, sepse kishin mundësi të bisedonin më shumë se ne me Evropën, ata ishin dhe janë në të drejtën e tyre. Edhe kur një kriminel, që faktohet me dokumente si i tillë, e bëjnë hero në Atdheun e gjyshërve të mi, janë po në të drejtën e tyre.
Ata që nuk mbrojnë dot Atdheun, jemi ne…
Prefekt, a kushdo që e ka firmosur dhënien e lejes për këtë bust, jep dorëheqjen zotëri dhe shko në shtëpi!
Ndryshe, do ngrihen gjyshërit tanë dhe do na ndjekin si hije deri në varr. Dhe gjyshërit janë themeli ynë…