MENU
klinika

Tritan Kalo habit me deklaratën

A ka qarkulluar virusi në Shqipëri që në Janar?

20.04.2020 - 13:14

Mjeku, Tritan Kalo, nuk e përjashton mundësinë që virusi të ketë qarkulluar në vendin tonë që prej muajit janar, marrë shkas edhe nga numri i lartë i qytetarëve që kanë pasur shenja klinike të ngjashme me ato të Covid 19.

Testi serologjik i cili nis nga dita e sotme me stafet mjekësore te Infektivi dhe Shefqet Ndroqi, ka thënë ai teksa fliste për OraNews, do të hedhë dritë edhe në këtë drejtim.

“Te ne mundet të ketë ardhur, gjithmonë janari dhe shkurti shoqërohet me një kulm të grupit ose infeksioneve grip ngjasuese. Sars Cov2 nuk ka asnjë element klinik përveç disa imazheve radiologjike më specifike se infeksionet e tjera virale që nuk janë dhe ato të gjitha të lidhura me Covid 19. Studimi që do të bëhet dhe që nis të hënën na orienton dhe në këtë drejtim. Nëse i kemi të gjithë të testuar mundet që imuniteti IgG të jetë zhvilluar para datës 8 mars kur është izoluar rasti i parë.”

***

Ndërkohë, Konica vendos t’ju sjellë në vëmendje edhe njëherë një prej shkrimeve të analistit Shpëtim Nazarko, i cili përmes një interpretimi të shifrave të marra nga ISHP (Instituti i Shëndetit Publik), ku realizohet një krahasim i aktivitetit të “Infeksioneve Respiratorë të Sipërme dhe të Poshtme”, si dhe pragu epidemik, arrin të hedhë një tjetër arsyetim, se Covid-19 në Shqipëri mund të ketë ardhur jo në Mars, por ndoshta edhe më herët.

Dhe siç e vëmë re, mjeku Tritan Kalo, tashmë nuk e përjashton këtë mundësi, ndonëse duhen pritur ende rezultatet e testit serologjik.

Në shkrimin e tij, Nazarko do të shkruante: “Në logjikën elementare, kur vjen epidemia, “piku” krijohet kur një masë e madhe njerëzie mblidhen rreth njëri-tjetrit. Kur u krijua kjo masë kritike në Shqipëri?

Dhe fjalia e dytë është akoma më e thjeshtë. Kur kjo masë erdhi, a kishe në kurriz edhe shenjën e sëmundjes, që pastaj t’ua përhapte pjesës tjetër?

Këtu fillon për mua, arsyetimi real.

Në Shqipëri, shumica e njerëzisë që gjendet thuajse jashtë, mblidhet në festa tradicionale e në rastin tonë, në Krishtlindje, a Vitin e ri. Ata vijnë nga Italia, Gjermania, Greqia, etj. Në tre muajt e fundit, vetëm nga Italia, kishn ardhur mbi 120 mijë shqiptarë. A prunë gjë me vete, thua?

Po t’i besosh Drejtorit të farmakologjisë së Italisë, përgjigja është po. Ky vend ka qenë sipas tij, i infektuar që në dhjetor, bile edhe në nëntor, Kjo është normale, Lombardia në veri të Italisë, e lidhur me Kinën, si çdo qendër industriale e saj, e ka pasur mundësinë ta merrte këtë “dhuratë.”

Ajo që shihet me sy të parë, pra, është se piku i njerëzve, krijuar në Shqipëri, është në kohën e festave dhe ky pik, më pas pruri Covid. Kush nuk e beson këtë, besoj nuk i ka punët mirë, me logjikën elementare.”

Në linkun e mëposhtëm do të gjeni analizën e plotë dhe një tablo me të qartë të asaj çfarë pritej të ishte “piku” i epidemisë dhe kur mund të ketë mbërritur në Shqipëri, të publikuar më herët në Konica.al

SHPËTIM NAZARKO: PËR ÇFARË “PIKU” E KENI LLAFNË SË ÇMENDËT NJERËZINË!? / 28 Mars 2020