Nga Adrian Civici
Pasojat dhe dëmet e jashtëzakonshme ekonomike e financiare të pandemisë së Covid-19 që duket se po gjunjëzojnë botën, krijuan përshtypjen se shumë gjëra themelore në ekonominë, financat dhe tregtinë botërore do ndryshonin, ose të paktën do rishikoheshin e do zbuteshin. Por, për “luftën tregtare akoma nuk mund të bëhet një pohim i tillë”. Lufta e ashpër tregtarë, e intensifikuar veçanërisht në dy vitet e fundit po vazhdon dhe këtë kohë të jashtëzakonshme. Në tërësinë e vendimeve që lidhen pothuajse plotësisht me platformat shëndetësore apo ndihmës ekonomike, po shfaqen herë pas here dhe vendime “mjaft të rëndësishme” që kanë të bëjnë me “luftën tregtarë”.
Sektorët e prodhimit të automobilëve, avionëve, teknologjisë së informacionit dhe inteligjencës artificiale, farmaceutik, hekurit dhe çelikut, energjisë, naftës, produkteve bujqësore e agroushqimore, etj., vazhdojnë të jenë syrin e ciklonit të luftës tregtare; SHBA, Kina, Bashkimi Europian, vendet me ekonomi emergjente të grupit BRICS, etj., janë aktorët që vazhdojnë të “ndeshen në këtë fushëbetejë të ashpër”, në kërkim të “mbrojtjes së ekonomisë dhe tregtisë së tyre dhe mundjen e kundërshtarit”.
Tashmë është e qartë, se më shumë se një “luftë tregtare, kjo është një luftë e pastër ekonomike”. E gjithë rritja ekonomike botërore ndihet e kërcënuar nga lufta tregtare. Për tregtinë botërore, një situatë e tillë nuk ishte parë që nga vitet 1930-të në kuadër të efekteve të “Depresionit të madh”. Në mars të vitit 2018, dhjetë vite mbas shpërthimit të krizës financiare globale, Presidenti i SHBA, Donald Trump deklaronte se “luftrat tregtare janë të mira dhe të lehta për tu fituar”. Bëhej fjalë për fillimin e një konflikti të madh tregtar SHBA-Kinë, që gradualisht do përfshinte në vorbullën e tij shtete dhe kontinente të tërë me efekte e pasoja nga më të paparashikueshmet. “Kur dy elefantë grinden në savanë, ka gjasa që ata edhe të plagosen, por një gjë është e sigurtë: bari në fushën e betejës do të zhduket”.
Për Presidentin Trump, “inati” me Kinën kishte filluar që në vitin 2016 gjatë fushatës elektorale, kur Kina akuzohej se “po dhunonte SHBA”, se ajo ishte “hajdutja më e madhe në historinë botërore”. Fuqia më e madhe eksportuese e planetit që në vitin 2009 dhe pastaj vendi i parë në ekonominë botërore në vitin 2014 duhej të përballej me sloganin e famshëm “Make America great again”. 558 miliardë usd eksporte kineze drejt SHBA në 2018, ndërkohë që në sens të kundërt ishin vetëm 178 miliardë usd eksporte, me një deficit tregtar prej 380 miliard usd. Administrata e SHBA mendonte se Kina “po shkelte rregullat”, duke i vënë vetes për mision “rivendosjen e ekuilibrit tregtar” ndërmjet dy superfuqive më të mëdha të planetit “duke i dhënë një leksion Pekinit”.
Por, ku qëndronte “ekzagjerimi” kinez? Në kuadrin e OBT por dhe në marrëdhëniet bilaterale me SHBA apo BE-në, Kina është akuzuar shpesh se “ka një koncept mjaft specifik e personal për ekonominë e tregut”, për “praktikat e subvencionimit masiv të bizneseve e korporatave duke i garantuar atyre pjesë të rëndësishme të tregjeve publike”, “për praktika evidente dumpingu”, “për detyrimin që ju vendos sipërmarrjeve të huaja që investojnë në Kinë që t’ja dhurojnë Kinës teknologjitë e tyre”, “për politika jo transparente me markat dhe patentat sidomos në sferën e teknologjisë high-tech”, “për blerje me fonde shtetërore të korporatave të huaja në mënyrë që të dominojë dhe kontrollojë tregun”, etj. Reagimi i SHBA është përballja direkt “me dorë të hekurt” kundra Pekinit me logjikën “do ti taksojmë gjithnjë e më shumë deri sa të sillen në mënyrë korrekte”.
“Lufta” filloi me rritjen 25% të taksës mbi importet e çelikut dhe 10% të importeve mbi aluminin. Trump deklaroi se mbi 1300 produkte kineze do taksohen. Pekini u përgjigj menjëherë me një listë prej 128 produktesh amerikane që do taksoheshin nga 15-25%. Kështu filloi. Taksa, kundërtaksa, taksa, kundërtaksa…! Deri në gusht 2019, vlera e taksimit të produkteve kineze të eksportuara në SHBA e kaloi shifrën e 300 miliard usd; Kina ju përgjigj këtij “ping-pongu” me një shifër taksash për eksportet e SHBA drejt Kinës në shumën mbi 110 miliardë usd.
Përveç mbitaksave, SHBA dhe Kina e shtrinë luftën tregtare edhe në bllokimin e importeve-eksporteve ndërmjet tyre të mjaft produkteve e shërbimeve konkrete, sidomos produkteve bujqësore amerikane. Lufta tregëtare u shtri dhe në terrenin teknologjik. SHBA ndaloi rrjetet amerikane të telekomunikacionit të shisnin pajisje në Kinë, veçanërisht për gjigandin kinez të telekomunikacionit, Huawei duke e konsideruar këtë të fundit si “kërcënim” për sigurinë e SHBA. Pasojë direkte e kësaj “lufte teknologjike”, modelet smartphone të teknologjisë së lartë të Huawei nuk do mundeshin të dispononin sistemet Android, dhe për pasojë do privoheshin nga aplikacionet Google. Rivaliteti u shtri edhe në gjigandët e web-it, Google, Amazon, Facebook, Apple dhe ekuivalentëve të tyre kinezë si Baidu, Alibaba, Tancent, Xiaomi. Por, lufta tregëtare nuk u mjaftua me kaq, duke u shtrirë edhe në politikat monetare dhe përqindjet e këmbimit. Në përgjigje të “sulmit amerikan” mbi eksportet kineze, Pekini zhvlerësoi monedhën e tij yan-in në një nivel më të ulët në raport me dollarin se viti 2008, megjithë rreziqet dhe humbjet që një veprim i tillë paraqiste për tërheqjen e investimeve të huaja dhe flukseve të kapitalit në ekonominë kineze. Ky veprim ndikoi ndjeshëm në minimizimin e efekteve të taksave doganore amerikane. Amerikanët e cilësuan menjëherë shtetin kinez si “manipulator monedhash”. Në këtë vorbull u përzjenë menjëherë bankat qendrore të Indisë, Zelandës Re, Tailandës dhe tregjet monetare aziatike. Në të njëjtën kohë dhe FED njoftoi ulje të normës bazë të interesit, veprim që nuk e kishte bërë që nga viti 2008.
Kjo situatë “lufte” me “sulme e kundërsulme” vazhdoi gjatë gjithë vitit 2019 pa shfaqur thuajse asnjë shenjë për një “paqe tregtare e ekonomike” ndërmjet këtyre fuqive botërore. Por, cili fitoi dhe cili humbi në këtë luftë tregtare? Përtej SHBA dhe Kinës, çfarë pasojash dhe ndikimesh pati kjo luftë tregtare në vendet e BE-së, vende të tjera aziatike, në Afrikë e Amerikën latine, apo edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Shqipëri?
Në SHBA, një pjesë e rëndësishme e korporatave importuese eksportuese të mallrave e shërbimeve kineze filluan ta vuajnë këtë politikë agresive tregtare. Grupime të fuqishme të sektorit industrial dhe agroushqimor amerikan i kërkuan publikisht administratës Trump që ti jepte fund tarifave ndëshkuese për importet e çelikut dhe aluminit; prodhuesit e mishit në SHBA u ankuan se kishin humbur mbi një miliardë usd brenda disa muajve; prodhuesit e sojës reklamuan një humbje prej 77% të fitimeve të tyre si efekt i tarifave ndëshkuese kineze ndaj eksporteve amerikane; qeveria amerikane u detyrua tu paguante fermerëve të saj një “ndihmë” prej 28 miliardë usd për tu kompesuar humbjet nga acarimi i marrëdhënieve tregëtare me Kinën; sipas universitetit të Kalifornisë, lufta tregtarë do ti kushtonte rreth 70 miliard usd/vit konsumatorëve amerikanë, ose 225 usd/person, etj.
Edhe Kina vuajti ndjeshëm nga kjo situatë “lufte tregtare”. Vlerësohet se Kina ka humbur rreth 5 milion vende pune dhe mbi 35 miliardë usd nga kjo situatë. Mbasi taksoi, si kundërpërgjigje ndaj qëndrimit amerikan, disa mijëra produkte amerikane duke pësuar pak a shumë të njëjtat efekte si ekonomia amerikane, Pekini “suprizoi” me futjen në fushën e betejës të “armës monetare” duke i bashkëngjitur luftës tregëtare, luftën e monedhave. Kjo politikë konsistonte në uljen e vlerës së monedhës kineze, yan, kundrejt dollarit, në mënyrë që eksportet kineze të bëhen më të lira e më konkurruese duke anulluar në një farë mënyrë efektet e tarifave shtesë amerikane. Por, ky veprim kinez, përveç reagimit mjaft të ashpër nga SHBA, shkaktoi panik në tregjet financiare të cilat i trembeshin faktit se kjo luftë ndërmjet dy superfuqive më të mëdha të botës mund të shkaktonte efekte kolaterale negative në ekonominë dhe stabilitetin financiar e monetar në Europë dhe vendet e BRICS (Brazil, Rusi, Indi, Kinë, Afrika e Jugut). Shqetësime të mëdha u krijuan dhe në Europë, duke arritur deri atje sa të deklarohet se “Evropa do të ishte humbësja e madhe e këtij konflikti Kinë-SHBA”. Lufta e monedhave Kinë-SHBA dhe zhvlerësimet reciproke të monedhave të tyre, usd dhe yan-i, mund të provokonte rritjen e vlerës së euro-s, uljen e konkurrueshmërisë së eksporteve të saj industriale, rrezikun e një lufte të hapur në import-eksportet e sektorit të automobilave e produkteve agroushqimore, duke shtuar rrezikun e shfaqjes së tendencave reçesioniste. Presidenti amerikan ka deklaruar se “BE-ja na shkakton po aq të këqija sa edhe Kina”, çka nënkupton të fillojë dhe një luftë e hapur tregëtare SHBA-BE.
Ndërkohë në listën e përfituesve nga kjo situate u shfaqën vende si Taivani, Meksika, Japonia, Koreja e Jugut, Kanadaja, Turqia, Vietnami, India, Bangladeshi, Indonezia, Singapori, Rusia, një grup tjetër i madh vendesh anëtare të CNUCED,etj. Përfitimet e tyre burojnë nga faktorë të tillë si : rritja e mundësive të eksporteve dhe importeve të tyre në SHBA e Kinë; delokalizimin e një numri të madh kompanish prodhuese në këto vende, të cilat largohen nga Kina apo SHBA për tju shpëtuar sanksioneve tregtare; rritjen e vendeve të punës në sektorët e lidhur me eksportin; tërheqjen më masive të investimeve të huaja direkte, etj.
Tremujori i parë i vitit 2020, megjithë alarmin dhe kthimin total të vëmendjes të menaxhimi i krizës së coronavirusit, nuk dha ato shenja që priteshin në zbutjen e luftës tregtare. Përkundrazi. Optimizmi për “Marrëveshjen e madhe ndërmjet SHBA dhe Kinës – ata e duan, ne e duam gjithashtu” u zbeh. Akuzat reciproke për “origjinën e përhapjes së coronavirusit” apo akuzat ndaj China Telecom dhe mundësinë e përzënies së saj nga tregu amerikan “për arsye të ruajtjes së sigurisë kombëtare”, kanë tendencë të shtrihen shpejt edhe në “përdorimin e gjerë të armës së luftës tregëtare”. Problem shqetësues mbetet dhe çështja e tarifave të materialit mjekësor që importohen nga Kina. E njëjta situatë dhe në marrëdhëniet tregëtare SHBA-BE. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, u shpreh së fundmi, se “është shumë e domosdoshme të gjendet një marrëveshje e re tregëtare me SHBA për të evituar shtimin e tarifave të reja doganore ndërmjet SHBA dhe BE-së”. Beteja për taksa të reja importi për avionët Airbus europanë që shiten në SHBA vazhdon. SHBA mendon ta ngrejë në 15% taksën doganore për Airbus-ët që eksportohen në SHBA, ndërkohë që BE mendon ti përgjigjet me tarifa doganore shtesë nëpërmjet “taksës numerike” mbi GAFA (Google, Amazon, Facebook, Apple…).
Muajt e fundit, luftës tregtare i është shtuar fuqishëm dhe tregu botëror i naftës. Rusia, Arabia Saudite, SHBA, etj., po bëjnë një luftë të ashpër për kontrollin e këtij tregu dhe kuotave të prodhimit të naftës. Kriza e coronavirusit e ka ulur shumë kërkesën për naftë në tregjet botërore, ndërkohë që marrëveshja e fundit e vendeve kryesore të prodhimit të naftës për të ulur kuotat e prodhimit dhe mbajtur nën kontroll ofertën, zor se mund të zgjasin gjatë.