MENU
klinika

I shpallur në kërkim ndërkombëtar

Arrestohet i rrezikshmi i Fushë-Krujës me 4 emra

18.04.2020 - 08:59

Policia e Tiranës ka arrestuar një person të shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi është dënuar me 10 vite burg në Itali për vjedhje në rrethana rënduese.

Në pranga ka rënë 40-vjeçari Shkëlqim Çela (Çypi) nga Fushë-Kruja, që kishte në përdorim katër emra e mbiemra.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor “Alias”

Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, Departamenti i Policisë Kriminale, Interpol Tirana dhe Interforza Italiane.

Bie në pranga një i kërkuar, i dënuar në Itali me 10 vite burg për “Vjedhje në rrethana rënduese”.

Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve mes Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ZQK Interpol Tirana, Departamentit të Policisë Kriminale dhe autoriteteve policore Italiane – misionit INTERFORZA, u bë i mundur lokalizimi në qytetin e Tiranës i një personi të kërkuar nga drejtësia italiane.

Mbi bazën e këtyre informacioneve, nga Sektori i Operacioneve dhe Kërkimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Alias”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe prangosja e shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar Shkëlqim Çela (Çypi), alias Arian KontiI, alias Fatjol Perleka, alias Shkelqim Qypi, 40 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Luz, Fushë Krujë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Udines në Itali e ka dënuar me 9 vjet, 11 muaj e 20 ditë burg, për veprën penale “Vjedhja në rrethana rënduese”, parashikuar nga nenet 624 dhe 625, të Kodit Penal Italian.

Arrestimi provizor u krye me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957 dhe Marrëveshjen dypalëshe mbi ekstradimet, nënshkruar mes Republikës së Shqipërisë dhe Italisë.

Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Romën vijojnë veprimet për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.