MENU
klinika

Shkodër/ Procedohen edhe 2 mësues. Akuzat

Arrestohet ish-Drejtori i shkollës së Mesme Pyjore

30.04.2020 - 08:57

Për shpërdorim detyre, policia e Shkodrës ka arrestuar sot nëpunësin e Gjendjes Civile në Koplik të Malësisë së Madhe, shtetasin Elez Rrustemaj si dhe ish-Drejtorin e shkollës së Mesme Pyjore në Shkodër, Agron Çeka.

Ky i fundut u prangos për shpërdorim të detyrës dhe falsifikim të dokumenteve shkollore. Po ashtu janë proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe dy mësuese të shkollës së Mesme Pyjore Shkodër.

NJOFTIMI I POLICISE

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Drejtorinë për Krimet Ekonomike e Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale arrestuan shtetasin E.R., 60 vjeç, nëpunës i zyrës së Gjendjes Civile në Njësinë Administrative Koplik, Bashkia Malësi e Madhe. Ndalimi i tij u bë pasi dyshohet duke shpërdoruar detyrën, ai ka pajisur një shtetas me certifikatë me të dhënat e një shtetasi tjetër.

Gjithashtu specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër ndaluan shtetasin A.Ç., 41 vjeç, ish-Drejtor i shkollës së mesme pyjore në Shkodër, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve shkollore”. Shtetasi A.Ç., në detyrën e Drejtorit, në vitin 2019, pas përjashtimit nga shkolla të nxënësit Z.L., i ka vendosur nota kaluese në lëndët e semestrit të dytë të klasës së 11-të, duke i dhënë klasën e 11-të këtij nxënësi, edhe pse ishte përjashtuar në mars 2019, si dhe është pasqyruar pa mungesa në regjistër, me qëllim që ai të përfundonte vitin shkollor në muajin qershor 2019.

Po ashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës“ edhe për dy mësueset A.T. dhe B.L., pasi nga veprimet e para hetimore që janë kryer në shkollën e Mesme Pyjore Shkodër ka rezultuar se ato u kanë vendosur nota kaluese nxënësve të përjashtuar nga kjo shkollë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN