MENU
klinika

Virusi nuk mbyll kantierët!

Balluku: Bypass-i i Fierit përfundon në maj, fokus siguria e punonjësve

07.04.2020 - 12:03

Pavarësisht pezullimit 2-javor të punimeve, për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, bypass-i i Fierit do të përfundojë brenda muajit maj.Teksa inspektoi punimet, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se përfundimi i punimeve do të shtyhet vetëm disa ditë, ndërkohë që lehtësimi i masave të qeverisë do të mundësojë dhe askesimin e veprës nga qytetarët.

“Padyshim, data 1 maj që kishim parashikuar për të përfunduar punimet do të shtyhet me disa ditë, por sigurisht brenda majit e gjithë kjo rrugë do jetë e aksesueshme për të gjithë qytetarët, duke shpresuar se deri në atë kohë lëvizja do të jetë pak më e lehtësuar sesa është sot. Ashtu si ka thënë dhe kryeministri Rama, do kemi një ndryshim të masave, por sigurisht ky ndryshim i masave do vijë i shoqëruar me penalitete akoma më të mëdha, për shkelësit, pasi sakrifica që po bën një popull i tërë nuk mund të prishet nga individë, të cilët vendosin të thyejnë rregullat” tha Balluku.

Përfaqësues të kompanisë, e cila po realizon punimet, ngritën si shqetësim pezullimin e punës nga ana e disa prej fabrikave në Europë të cilat furnizojnë tregun vendas me lëndët e nevojshme. Ministrja Balluku u shpreh se ky është një shqetësim, i cili po ndihet edhe në sektorë të tjerë, por shtoi se transporti i mallrave po vijon normalisht dhe me një koordinim më të mirë me furnitorët këto problematika mund dhe duhet të kapërcehen.

“Ne kemi nisur nga 31 marsi duke kuptuar të gjithë problematikën, duke kuptuar të gjitha mungesat që vijnë në tregun e furnizimeve me mallrat e ndërtimit, nga bitumi dhe deri tek sinjalistika, megjithatë ne do mundohemi që të bëjmë më të mirën, për të arritur dhe për të rikuperuar kohën, që kemi humbur, sigurisht duke marrë parasysh problematikat, të cilat janë të mëdha në këto momente dhe që shpresojmë që do të zgjidhen për të gjithë ne” vijoi ajo.

Balluku, bëri të ditur se pas vendimit të Qeverisë puna ka rinisur edhe në disa kantiere të tjera, teksa shtoi se fokusi kryesor mbetet siguria e punonjësve në këto kantiere duke marrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë.