Një ndër tenorët më të famshëm në botë, Andrea Bocelli, do të performojë në katedralen e zbrazët të Milanos, “Duomo”, të dielën, më 12 prill. Koncerti që do të transmetohet live, konsiderohet si simbol i dashurisë, shpresës dhe shërimit, në kohën kur Italia dhe mbarë bota, u godit rëndë nga pandemia./Konica.al
Në këtë kocert, Bocelli do të shoqërohet vetëm nga instrumentisti, Emanuele Vianelli, i cili do të luajë me një prej organove më të mëdha në botë.
Koncerti i veçantë, do të transmetohet live në kanalin e tenorit Bocelli, në platformën muzikore YouTube, të dielën në ora 17:00.
“Jam i nderuar dhe shumë i lumtur, t’i përgjigjem pozitivisht ftesës së qytetit të Milanos, për të performuar në katedralen-simbol “Duomo”. Unë besoj në fuqinë e lutjes së përbashkët. Besoj në festën e Pashkëve, si simboli i rilindjes dhe të gjithë ne, pavarësisht a jemi besimtarë apo jo, kemi nevojë për këtë,” – është shprehur artisti.
Italia që vazhdon të jetë në izolim, ka pësuar një prej goditjeve më të mëdha në botë, nga COVID-19 dhe si pasojë, rreth 16.523 njerëz e kanë humbur jetën, ndërsa afërsisht 133.000 të tjerë, janë prekur nga kjo sëmundje. Milano dhe zona e Lombardisë, janë më të prekurat.