Koronavirus do të ndryshojë përgjithmonë zakonet tona dhe shoqërinë në të cilën jetojmë. Ky është thelbi i intervistës së Bill Gates për kryeredaktorin e LinkedIn, Dalien Roth në episodin e ri të podcast “This is Working”
Pasi identifikoi, në javët e kaluara, masat dhe kohën e nevojshme për të mundur COVID-19, këtë herë, Bill Gates u ndal së pari në fundin e mundshëm të izolimit në SHBA. Me shumë gjasa, ai nuk do të ndodhë “para fillimit të qershorit dhe gjithsesi, nuk do të përkojë me një rikthim si më parë te normaliteti”.
Bashkëthemeluesi i Microsoft foli edhe për situatën e sistemit shëndetësor në nivel botëror dhe kërkimin shkencor që do të çojë drejt vaksinës së shumëpritur kundër koronavirusit. Bill Gates pohoi se për të pasur një vaksinë në shkallë të gjerë, do të duhen “rreth 18 muaj”, ashtu siç ndodhi në rastin e Ebolës.
Njeriu i dytë më i pasur në botë, po financon projekte të ndryshme shkencore për krijimin e një vaksine kundër COVID-19 nëpërmjet Bill & Melinda Gates Foundation. Ndër më premtueset janë Ino-4800, zhvilluar nga kompania biotech amerikane Inovio dhe mRna-1273 realizuar nga Moderna.
Bill Gates, dixhitalizimi dhe bota e punës
Përshtatje. Kjo është një ndër fjalët kyçe që thekson Bill Gates kur intervista e Daniel Both zhvendoset në të ardhmen dhe pasojat në nivel social të shkaktuara nga koronavirus. Nuk ka dyshim – nënvizon filantropi amerikan – që shoqëria “do të shkojë gjithnjë e më shumë drejt botës dixhitale”.
Nëse në disa raste, jeta do t’i rikthehet normalitetit, “si për shembull për shkollat, fabrikat dhe në sektorin e ndërtimit”, në sektorë të tjerë, për shkak të COVID-19, do të përballemi me ndryshime paragmatike, diktuar nga përshtatja dixhitale.
“Dyshoj që njerëzit do të udhëtojnë për punë. Udhëtime do të ketë sërish, por në një numër shumë të ulët”. E njëjta gjë do të ndodhë edhe për takimet. Sipas tij, shumë kompani do të nisin të zhvillojnë takime virtuale, duke braktisur dalëngadalë ato “ballë për ballë”.
Në mënyrë të ngjashme do të ndryshojë edhe sistemi i drejtësisë me krijimin e sallave të gjyqit virtual apo një gjykatësi virtual. “Në njëfarë mënyre – thotë Gates – ju mund të krijoni diçka më efikase dhe më të mirë se ajo që ekzistonte më parë”.
Në lidhje me shkollën dhe arsimin, Gates nuk ka dyshime: aktiviteti social, mundësia për të krijuar miqësi të reja dhe të pasurit e një mësuesi të aftë nuk mund të zëvendësohen me një lidhje në internet.