Liga e futbollit gjerman ka vendosur kritere nëse ndeshjet do të duhen të vijojnë me dyer të mbyllura si pasojë e përhapjes së Covid-19. Sipas parashikimeve, mendohet se Bundesliga, e ndalur që më 11 mars, të ristartojë në fillim të majit dhe për këtë qëllim ka skenarë të ndryshëm.
Masa e parë, kuptohet, janë ndeshjet pas dyerve të mbyllura. Liga e futbollit gjerman ka vendosur numrin maksimal të personave të lejuar në stadium, që do të jenë 239 persona. Nuk bëhet fjalë për tifozë, por 126 do të jenë rreth fushës, duke përfshirë lojtarët, trajnerët, mjekët, transmetuesit TV dhe mbledhësit e topave. Këta të fundit do të jenë vetëm 4 të tillë.
Në stadium do të autorizohen edhe 113 persona, përfshirë ata të sigurisë dhe disa gazetarë, teksa numri i këtyre të fundit do të reduktohet ndjeshëm, duke u dhënë përparësi atyre që kanë të drejta transmetimi direkt.
Një pjesë e ekipeve të Bundesligës kanë rinisur stërvitjen në masa shumë strikte sa i përket distancës, duke u ndarë në grupe. Gjermania, edhe pse me një popullsi prej më shumë se 80 milionë banorësh, numëron rreth 100 mijë të prekur nga Covid-19, por humbjet e jetëve njerëzore nuk janë as 2%, ku gjithsej janë ndarë nga jeta 1810 persona.