Përhapja e koronavirus ka turbulluar ujërat në zyrat e UEFA-s. Kompeticionet e drejtuara prej saj, si UEFA Champions League dhe Europa League nuk zhvillohen prej më shumë se një muaji, duke shkaktuar një kaos në planet e saj.
Rishikimi i kalendarit është i mundshëm deri në këtë pikë, me UEFA-n që i ka dhënë dritën jeshile kampionateve për të mbyllur sezonin dhe më pas dy kompeticioneve të saj. Sipas asaj që raporton Sky Sport, gushti do të jetë edhe muaji i futbollit Europian, ku skuadrat që garojnë në dy frontet, Champions dhe Europa League do të zbresin çdo 3 ditë.
Duke ju referuar këtyre burimeve, rinisja e sezonit të Europa League do të bëhet me 2 ose 3 gusht, me dy ndeshjet e mbetura të raundit të 1/16-ve, Inter-Getafe dhe Sevilla-Roma dhe ndeshjet e kthimit më 6 gusht.
Çerekfinalet e turneut parashikohet të luhen më 10 dhe 13 gusht, teksa gjysmëfinalet po planifikohen datat mes 17 dhe 20 gushtit, për të arritur më pas në finalen e madhe, atë të Gdansk në Poloni më 27 gusht. Linjë e ngjashme më atë të Ligës së Kampionëve që parashikohet të rikthehet në aktivitet nga 7 gushti deri më 29 gusht, mbrëmje ku do të mësohet edhe fituesi i sezonit 2019-2020.