MENU
klinika

Zbulon vendimin

COVID-19/ Bashkia e Tiranës do mbulojë shpenzimet funerale për ata që humbin jetën

06.04.2020 - 14:44

Të gjitha shpenzimet funerale të familjeve që kanë humbur të afërmit prej COVID-19, do të mbulohen nga Bashkia e Tiranës.

Gjatë ndarjes së pakove ushqimore për familjet e Kujtim Halilit, Ramiz Kalasë, Zoje e Lutfi Totës, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se një nga vendimet e sotme të Këshillit Bashkiak do të jetë pikërisht lehtësimi i familjeve që në këtë periudhë të vështirë humbasin të afërmit e tyre.

“Kam bërë një propozim për mbledhjen e stotme të Këshillit Bashkiak: të gjitha shpenzimet funerale, sidomos të familjeve që kanë humbur dikë prej virusit, t’i mbulojë bashkia. Kjo është një luftë dhe këta njerëz, për shkak të një viroze, ranë në betejë, ndaj funeralet do t’i mbulojmë ne si shpenzime sepse nuk dua që këto familje, mes 100 halleve, të jenë duke vrarë mendjen edhe për këtë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku siguroi se në këtë periudhë nuk do të mungojë ndihma për asnjë familje në nevojë apo të moshuar që jeton vetëm. Ai siguroi familjet që jetojnë në çadra ose në shtëpi-kontenierë, se do të kenë gati shumë shpejt edhe banesat e reja.

“Do ecim pak më shpejt me shtëpitë tani që mbaruam dosjet, pasi pjesa e dokumentacionit është pjesa më e rëndësishme. Shtëpitë e reja që janë bërë, janë më të mira se ato që u prishën nga tërmeti. Ne do të vazhdojmë me dosjet e shtëpive, pavarësisht virusit”, tha Veliaj, teksa u kërkoi qytetarëve që të qëndrojnë në banesat e tyre dhe të respektojnë masat e vendosura nga institucionet.

Duke komentuar situatën në tregun e Kombinatit, Veliaj deklaroi se masat e marra kanë dhënë rezultat.

“Sot ishte si dita me natën. Nuk do lejonim që një lagje dhe një treg të prishë harmoninë e të gjithë Tiranës. Se në qoftë se rregulli po mbahet në gjithë Tiranën, duhet mbajtur edhe në Kombinat, pasi kjo lagje nuk është gjenetikisht ndryshe nga pjesa tjetër. Po ta disiplinojmë këtë javë do jetë mirë. Aty bëhet një dezinfektim, secili me` maskë, bën blerjet, sepse nuk është një treg i mirëfilltë”, nënvizoi kryebashkiaku.

Në Pezë jetojnë në çadra ose në kontenierë rreth 70 familje, ndërkohë që një vëmendje në shpërndarjen e ndihmave u është kushtuar edhe 75 familjeve që janë në listat e ndihmës ekonomike apo të moshuar të vetmuar.