MENU
klinika

Intervista me akademikun Prof. Arben Merkoçin

Covid-19/ Rëndësia e së vërtetës shkencore kundrejt hipotezave mediatike

10.04.2020 - 07:52

Profesor, ka shumë lajme për pandeminë e Covid-19 dhe, po ashtu edhe shumë prononcime nga personalitete serioze të qendrave të njohura shkencore në SHBA apo edhe në Europë, e, megjithatë, nuk ka një ide të qartë se nga erdhi, si u shkaktua kjo pandemi. Ka pasur po ashtu edhe mjaft konspiracion në gjithë këtë histori. Ju si mendoni?

-Unë nuk jam specialist ne fushën e epidemiologjisë, as te virologjisë, unë jam kimist i specializuar ne fushën e nanoteknologjisë dhe sidomos te biosensorëve. Specialistët e fushës janë ata që duhet te dëgjohen për një çështje të tillë. Pa dashur të dalloj ata që janë me te mirët ne këtë fushe (është e pamundur ta bëja unë këtë), do te veçoja një interviste, muajin e kaluar, të Profesore Ilaria Capua, specialiste për problemet e shëndetit publik ne Universitetin e Floridës. Në këtë interviste (shikoni https://www.youtube.com/watch?v=z9WsX3hdCyU), Capua shpjegonte mënyrën natyrale te formimit dhe përhapjes se virusit. M’u duk shumë interesante dhe logjike. Një ndërthurje e materialeve gjenetike te specieve te ndryshme, produkt ndoshta edhe i globalizimit, bëri që në mënyrë të shpejtë të shfaqet ky virus në Kinë. Po kështu, globalizimi dhe shpejtësia në komunikim, krahas përparësive që kanë, sollën edhe një përhapje të shpejtë të virusit. Ndërsa gripit spanjoll (në vitet 1918- 1920 që shkaktoi miliona të vdekur), iu desh, ndoshta, dy vjet të shetiste botën, të shpërndaheshe, COVID-19, “falë” avionëve, përshkoi te gjitha kontinentet vetëm ne pak muaj. Po ashtu, për çka flitet për konspiracion, do t’i besoja në fakt një botimi prestigjioz i datës 17 Mars nga revista Nature Medicine (https://www.nature.com/articles/s41591-020-0820-9) e cila me fakte shkencore eksperimentale nxjerr përfundimin se “Analizat tona tregojnë qartë se SARS-CoV-2 nuk është një konstruksion laboratorik ose një virus i manipuluar me qëllim.”

Ju jetoni prej disa kohësh në Spanjë, si mendoni ju përse Spanja dhe Italia u preken aq rëndë nga kjo pandemi.

-Pikërisht para disa ditësh Gazeta prestigjioze La Vanguardia trajtonte këtë temë me mjaft interes (lexoni: https://www.lavanguardia.com/internaciona1/20200405/48314311965/por-que-espana-italia.html). Pyetjet rreth kësaj teme janë akoma mbi tryezën e ekspertëve. Ka vetëm hipoteza. Një nga arsyet/hipotezat e ngritura sipas La Vanguardia është edhe stili mjaft mediteran i jetës ne Itali dhe Spanjë. Te gjithë e dimë tashmë se virusi, ndër të tjera, dhe, sidomos, shpërndahet nga kontakti midis njerëzve. Stili i jetës mediteran (spanjoll dhe italian), ku kontakti midis gjeneratave (gjyshër, fëmije, nipër) është shumë më i shpeshte, është ndoshta një arsye më shumë. Nga ana tjetër, edhe dieta mediterane, e konsideruar faktor tjetër i jetëgjatësinë ne këto vende, beri qe virusi të godasë në masë te madhe moshat e thyera, që përbëjnë një pjesë te konsiderueshme të popullsisë italiane dhe spanjolle. Te gjitha këto janë vetëm hipoteza. Ndërkohë, analizat e plota gjenetike të virusit akoma janë në proces. Këto mund të hedhin dritë edhe për arsye të tjera që ndoshta mund të kenë te bëjnë me variacione që virusi mund të ketë pësuar në këto zona, përveç arsyeve te tjera. Jam i sigurte se së shpejti do te ketë studime shkencore për të zbuluar arsyet për ketë veçori qe pati përhapja e kësaj sëmundjeje pikërisht më shumë në Itali dhe Spanjë. Gjithashtu, është folur edhe për një ndeshje sportive pikërisht disa ditë përpara fillimit te rasteve te infeksionit ku pati një numër te madh tifozësh nga të dyja vendet që mund të ketë shërbyer si katalizator për shpërndarjen e shpejte të virusit në të dyja vendet.

Profesor, duket sikur ka një paradoks mes asaj që sjell e panjohura, nga njëra anë dhe zhvillimit të shkencës, nga ana tjetër. Kjo pandemi jo vetëm që e gjeti të papërgatitur botën, por tregoi se aftësitë parashikuese dhe mbrojtëse të dijes e të shkencës janë të pamjaftueshme për të parandaluar një pandemi si kjo. Si qëndron e vërteta?

-Pandemia që po kalojmë e gjeti pothuajse të gjithë botën të papërgatitur. E gjeti të papërgatitur nga pikëpamja e shëndetësisë dhe menaxhimit te shëndetit publik, e gjeti të papërgatitur edhe nga pikëpamja e shkencës dhe teknologjisë që mund te kishin dhëne zgjidhje të shpejta dhe racionale këtij problemi. Duke e nisur nga kjo e fundit, shkenca dhe teknologjia, janë baza mbi te cilët do te ngriheshe politika e përballjes së kësaj situate. Shkenca dhe teknologjia u gjet e papërgatitur pasi ajo prej vitesh po vuan nga ndërprerja e fondeve të kërkimit dhe zhvillimit. Shkenca dhe teknologjia në të gjithë boten është shikuar si diçka dytësore, mbas mbrojtjes/kapaciteteve ushtarake ose bile edhe mbas sporteve, muzikës e shumë e shumë të tjera. Pikërisht për ketë “Science” (Shkenca), revista me prestigjioze botërore e shkencës shkruante, ne Editorialin e datës 11 Mars (https://science.sciencemag.org/content/sci/367/6483/1169.full.pdf) një artikull mjaft domethënës me titull “Na bëni një favor” (Do us a favor). Pikërisht tani, ne një situate kaq emergjente, te gjithë e kthyen vështrimin tek shkenca, presin nga shkenca. Por shkenca nuk mund te bej çudira, nuk ka ndonjë shkop magjik që të ndreqë situatën. Shkenca zhvillohet dhe jep frytet e saj kur ata që kanë në dorë fondet për ketë aktivitet ia venë asaj (shkencës) në dispozicion. Shkenca kërkon investim, sidomos në edukimin dhe krijimin e talenteve, kërkon fonde për ngritjen e kapaciteteve të duhura të cilat bëjnë të mundur zbulimet dhe dhëniet e zgjidhjeve që kanë të bëjnë me gjithçka na rrethon, duke përfshire edhe një pandemi si kjo që po kalojmë. Artikulli është një thirrje që u bëhet politikanëve të shumë vendeve të botës qe ta trajtojnë shkencën dhe parimet e saj me respekt.

Ju jini një nga shkencëtarët e njohur në botë të nanoteknologjisë. Si akademik dhe drejtues i Njësisë kërkimore shkëncore të Nanoteknologjisë në Akademinë e Shkencave në Shqipëri, çfarë duhet bërë në të ardhmen në vendin tonë në mënyrë që të rritet kapaciteti shkencor për përballimin e këtyre pandemive, por edhe të tjerave që mund të vijnë më pas.

-Si rezultat i situatës që po kalojmë në të gjithë botën, do te ketë një “përpara” dhe “pas” COVID-19. Në mbarë botën kërkohet më shume investim për shkencën dhe teknologjinë. Shkenca dhe teknologjia më shumë se kurrë duhet marrë shume seriozisht. E kam përmendur ketë edhe ne intervista të tjera. Politika shqiptare, sikurse edhe ajo në vende të tjera, duhet të bëjë urgjentisht një pakt për shkencën dhe teknologjinë. Asnjë ndryshim politik nuk duhet të cënojë fondet për shkencën, institucionet shkencore dhe të gjithë sektorët e tjerë që i dedikohen apo lidhen me të. Shkencën e bëjnë njerëzit e përgatitur, me përkushtim dhe në kushte të përshtatshme. Eshtë urgjente krijimi i fondeve për tërheqjen e talenteve, brenda dhe jashtë vendit, rritja e nivelit te kërkimit shkencor dhe planifikimi, koordinimi dhe bashkëpunimi me tepër se kurrë ne ketë fushe. Eshtë pikërisht kjo edhe arsyeja pse Akademia e Shkencave te Shqipërisë ka ndërmarrë një seri iniciativash dhe është treguar mjaft aktive dhe efikase ne krijimin pranë saj të njësive te reja. Një nga këto është edhe NanoAlb te cilën une e koordinoj se bashku me profesorët, bashke-koordinatoret e koleget e mi, Majlinda Vasjari dhe Kledi Xhaxhiu nga Universiteti i Tiranës. NanoAlb, është tashme një njësi virtuale qe ka rreth vetes 18 grupe shkencore që punojnë në ketë fushë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. NanoAlb dhe Akademia e Shkencave janë edhe organizatorët lokalë te kongresit më të rëndësishëm të nanoteknologjisë i parashikuar te zhvillohet ne Tirane ne 26-30 Tetor të këtij viti me titullin: ‘Tendencat në Nanoteknologji” (http://www.tntconf.org/2020/index.php?conf=20) ku janë të konfirmuar deri tani 61 spiker, ekspertët më të mirë të fushës nga e gjithë bota. Une shpresoj, që qeveria shqiptare do ta mbështesë ketë kongres kaq të rëndësishëm. NanoAlb është gjithashtu në fazën e përgatitjeve të aktiviteteve të tjera (për momentin On-line), dhe, mbi të gjitha, rritjen e bashkëpunimit midis grupeve shkencore nëpërmjet seminareve e takimeve te përbashkëta, krijimin e një masteri ndëruniversitar ne fushën e nanoteknologjisë si dhe bashkëpunimi me industrinë ndërmjet aktivitetve të tjera. Ideja është te bëjmë maksimumin e mundur në kushtet që kemi dhe, në të njëjtën kohë, të aplikojmë për fonde nga Komuniteti Evropian. Natyrisht, mbështetja e qeverisë me fonde dhe koordinim të politikave shkencore (ndoshta nje ministri e Shkences do të ndihmonte edhe më shumë), në mënyre sa me efikase është një domosdoshmëri.
Si eshte e lidhur fusha juaj e studimit, ajo e nanobiosensoreve me COVID-19 dhe çfarë po bëni ju tani ne Barcelone?
Nanobiosensorët janë instrumente të avancuara me interes te jashtëzakonshëm për shumë aplikime duke përfshire edhe atë te diagnostikimit. Aplikimi i tyre për analizën e shpejtë te proteinave apo edhe te DNA, RNA i bën nanobiosensorët një nga mjetet me efikase për aplikime edhe ne fushën e viruseve. Virusi qe ka shkaktuar Covid-19 zbulohet në shumë mënyra. Analiza e informacionit gjenetik i cili është i koduar brenda virusit, e njohur dhe si PCR, është ajo qe po përdoret më shumë në laboratorët klinike në të gjithë botën. Nga ana tjetër, janë edhe testet e shpejta (në fakt janë biosensorë të njohur si “fluks lateral”), te cilët detektojnë disa antigjene që ndodhen në vetë virusin apo antitrupat që virusi lëshon tek njeriu i infektuar. Problemet kryesore që kanë teknikat ekzistuese të analizës së viruseve janë kosto relativisht e lartë e disa prej tyreve, koha relativisht e gjatë e analizës se disa prej tyre (disa ore apo ditë duke pasur parasysh se kanë të bëjnë me marrje mostrash dhe dërgimin e tyre ne laborator ne rastin e PCR), apo mungesa e ndjeshmërisë së duhur (ne rastin e testeve) apo dhe të atyre qe quhen “fals pozitiv/negativ”.
Çfarë mund te propozoje nanoteknologjia ne ketë drejtim? Grupi që unë drejtoj sikurse i gjithë instituti ynë, po punon në mënyre intensive, pa orar, edhe këto ditë të krizës së madhe. Nanoteknologjia ka një potencial te jashtëzakonshëm për te ofruar pikërisht nanobiosenorë te cilët në parim do te evitonin problemet e përmendura me sipër. Në bashkëpunim të ngushtë me mjekët klinikë në Barcelonë, ne po mundohemi, në radhë te parë, të analizojmë të gjitha situatat klinike të cilat janë të nevojshme për një diagnostikim të saktë, duke filluar që nga dyshimi i infektimit (apo edhe pa pasur ketë dyshim) e deri tek periudha e sëmundjes dhe shërimit te pacientit. Diagnostikimi në situata si kjo që po kalojmë, kërkon mbi të gjitha instrumente me kosto të përballueshme dhe efikasë. Nanobiosensoret që ne po punojmë duhet të përmbushin kërkesat që rekomandon Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ato duhet te jene ASSURED (nga anglishtja: Affordable/te përballueshme nga pikëpamja e çmimit, kostos, Sensitive, me ndjeshmëri te larte, Specific, selektive, User-friendly, të lehtë në përdorim, Rapid and robust, të shpejte dhe të fortë/te qëndrueshëm, Equipment free, te mos kenë nevojë për një instrument të leximit and Deliverable to end-users, të lehtë për t’u dërguar tek përdoruesi.) Për të përmbushur këtë kriter të rëndësishëm, ne po punojmë me ato qe quhen “paper-based nanobiosensrs” (nanobiosensore ne letër), plataforma që kombinojnë nanomaterialet (nanogrimca, grafen etc.) me celulozën (letrën). Një diagnostikim efikas kërkon miliona sensorë te cilët duhet të kishin jo vetëm një kosto të përballueshme, por edhe te ishin multi-parametrikë. Kjo do te bënte të mundur dhënien e nje përgjigjeje të saktë në çdo situatë klinike.
Grupi që unë drejtoj po punon aktualisht në ketë fushë falë edhe një ndihme urgjente për kërkim shkencor që instituti na ka vënë në dispozicion për situatën e COVID-19. Jemi, gjithashtu, edhe në kontakt me ekspertë në fushën e klinikës së viruseve dhe epidemiologë me te cilët, aktualisht, po bashkëpunojmë në mënyrë intensive duke aplikuar edhe në projekte mjaft ambicioze në Komunitetin Europian. Dizenjimi i nanobiosenorëve kërkon bashkëpunim me ekspertë të shumë fushave. Për këtë qellim ne po organizojmë edhe nje konference mjaft te rëndësishme “BIOSENSORET PËR PANDEMITE” (http://www.confstreaming.com/Biosensors2020/ ) për të cilën jam i ngarkuar si drejtuesi i saj shkencor (scientific chairperson) së bashku me nje bashkë-drejtuese, kolege mjaft e njohur në fushën e biosensorëve. Eshtë një konference Online e cila do te zhvillohet me dt. 6 Maj me ekspertët më të mirë në fushën e biosensorëve si dhe me pjesëmarrjen gjithashtu te specialistëve nga fusha klinike. Objektivi është te shkëmbejmë urgjentisht idetë dhe rezultatet ne lidhje me virusin e COVID-19, por edhe për të parashikuar zgjidhje edhe më efikase për pandemi të tjera që mund të ketë në të ardhmen. Kjo do të përfshinte edhe aspekte te rëndësishme te komunikimit, marrjen dhe shpërndarjen e shpejtë te analizave /diagnostikime nëpërmjet telefonit/internetit për të krijuar në mënyrë imediate hartat e infektimit si një nga burimet e rëndësishme për studime epidemiologjike dhe marrjen e masave të duhura për përballimin e një pandemie.
Një studiues amerikan thoshte para disa ditësh se sfidat e qytetërimit botëror në të ardhmen do të jenë përballja me epidiemologjitë dhe me fatkeqësitë që mund të na vijnë nga shkatërrimi i mjedisit dhe ndotja e ambientit. ju si mendoni, a i ka mundësitë shkenca që ta përballojë këtë sfidë.
Shkenca është e vetmja qe mund t’u japë përgjigje këtyre sfidave. Problemet epidemiologjike janë te lidhura me shkencën e saj dhe atë të shumë shkencave te tjera mjekësore dhe teknologji duke përfshire edhe nanoteknologjine. Bashkëpunimi i shkencëtareve por edhe e industrive farmaceutike për probleme të tilla kaq madhore dhe kritike që kanë të bëjnë ndoshta dhe me vazhdimësinë e species humane kërkon një rikonsiderim urgjent te politikave shkencore dhe të zhvillimit si dhe politikës ne tërësi. Fusha te tilla kaq delikate kërkojnë edhe disa “linja te kuqe” që duhen respektuar: bashkëpunim për shkëmbimin e informacionit që te mund t’i ofrohet njerëzimit zgjidhjet më të mira. Përpara një pandemie si kjo nuk mund te ketë dallime as në diagnostikim as edhe në trajtimin e të sëmurëve qofshin këta te pasur apo te varfër. Pandemisë nuk mund t’i shpëtoje askush, pra duhet një ndërgjegjësim për një përpjekje të përgjithshme, universale. Na duhet më shumë se kurrë shkenca, vlerësimi dhe respekti per të dhe njerëzit që bëjnë shkencën e vërtete.

Dhe e fundit, vendi ynë me mundësitë modeste që ka, a mund të bëhet pjesë e kërkimit shkencor botëror dhe si mund të kryhet kjo. Në shumë raste thuhet se nuk ka mundësi financiare por mungojnë edhe kapacitetet njerëzore. Si mund të shmanget kjo vështirësi?

-Unë kam besim te plote tek kapacitetet intelektuale ne Shqipëri. Përballimi që Shqipëria po i bën edhe kësaj pandemie, puna e jashtëzakonshme e infermiereve, mjekëve të spitaleve infektive dhe të fushave te tjera, mjekëve klinikë që bëjnë analizat në laboratorët e spitalet shqiptare meritojnë respektin më të madh, dhe ata, ndoshta, janë shkencëtaret e shekencëtarët e vërtetë që po përballojnë një problem kaq të madh. Mund të përmendja edhe shume raste të shkencëtarëve shqiptare qe aktualisht janë në Shqipëri dhe po tregojnë se edhe pse në kushte të vështira, janë ne gjendje të bëjnë shkencë bashkëkohore. Jam, gjithashtu, i sigurtë që nëse do të ketë më shumë investim për shkencën dhe politikat shkencore, Shqipëria mund të integrohet akoma më denjësisht me shkencën evropiane. Pa hequr rëndësinë qe ka investimi dhe mbështetja që duhet të japë shteti, faktori kryesor është individi, pasioni për shkencën, puna e vazhdueshme, këmbëngulja dhe bashkëpunimi. Pa këto, fondet do te shkonin dëm.

*Kjo intervistë botohet në kuadër te veprimtarisë që ka nisur Akademia e Shkencave me grupin e saj të akademikëve dhe profesorëve “Në ndjekje të pandemisë”
° ARBEN MERKOÇI është Profesor ICREA dhe drejtor i Grupit të Nanobioelektronikës dhe Biosensorëve në Institutin Katalan të Nanoshkencës dhe Nanoteknologjisë në Barcelonë, Spanjë. Eshtë Bashkë-kryeredaktor (Co-Editor in chief) i revistës Biosensors & Bioelectronics. Eshtë Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqiperisë dhe Drejtues i Njesisë së Nanoshkencës dhe Nanoteknologjisë të ngritur pranë kësaj Akademie për të kordinuar aktivitetet e grupeve kërkimore që punojne në këte fushë në universitetet dhe qendrat kërkimore shqiptare.)

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!