Flaka Olimpike “Tokyos 2020” (Olimpiada është shtyrë për vitin e ardhshëm) nuk është më e ekspozuar për publikun dhe mbahet në një vend të panjohur në Japoni, si një nga masat e përcaktuara për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Drejtori i Përgjithshëm i “Tokyo 2020”, Toshiro Muto, tha se flaka ishte mbajtur “nën mbikëqyrjen e Komitetit Organizues”, por nuk specifikoi vendndodhjen e saktë. Një fanar që përmbante Flakën duhej të shfaqej në rajonin e prekur nga katastrofa e Fukushima deri në fund të prillit, përpara se të transferohej në Tokyo.
Sidoqoftë, u njoftua se Flaka nuk do të ekspozohej më kur kryeministri japonez Shinzo Abe shpalli një gjendje të jashtëzakonshme për Tokion, Osakan dhe pesë prefektura të tjera javën e kaluar.
“Tokyo 2020” kishte shpresuar se ky event do të ishte një simbol i shpresës përpara Lojërave, të cilat u zhvendosën përsëri një vit në 2021 për shkak të COVID-19. Organizatorët nuk kanë njoftuar ende një program të rishikuar për Torch Relay, i cili fillimisht ishte planifikuar të zgjasë 121 ditë në tokën japoneze.