Drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, tha në një intervistë të Mërkurën se rënia globale ekonomike e shkaktuar nga Koronavirusi ka qenë aq e mprehtë sa që mbi gjysma e vendeve të botës kanë kërkuar tashmë fonde emergjente. Me izolime masive dhe mbyllje të bizneseve në të gjithë ekonominë globale, mbi gjysma e botës tashmë ka kërkuar FMN për një ndihmë financiare, tha Georgieva për CNBC. “Ky është një rast urgjent si askush tjetër,” tha drejtoresha e FMN. “Për këtë arsye, ne po sigurojmë fonde shumë shpejt.”
FMN-ja ka një ‘gjoks lufte’ prej 1 trilion dollarësh për të shpërndarë fonde emergjente për vendet anëtare të saj, pasi ato përpiqen të përballojnë përhapjen e Koronavirusit dhe të lehtësojnë ndikimin e tij ekonomik. Komente të Georgieva erdhën pasi FMN tha të martën se ekonomia globale pritet të kontraktohet me 3% këtë vit, duke theksuar se tregjet ndërkombëtare po shkojnë drejt “recesionit më të keq që nga Depresioni i Madh”.
Drejtori i FMN paralajmëroi se prodhimi ekonomik global mund të bjerë edhe më shumë nëse Koronavirusi bën një “udhëtim të dyfishtë” nëpër botë dhe vendet goditen nga një valë e dytë e infeksioneve të reja. Në fillim të këtij muaji, shefi i FMN kishte paralajmëruar se pasojat ekonomike nga koronavirusi tashmë ishin “më keq sesa kriza globale financiare e vitit 2008”.
Në një intervistë të fundit me Reuters, krye ekonomistja e organizatës, Gita Gopinath, tha se 100 nga 189 anëtarët e organizatës – gjysma e të cilave janë vende me të ardhura të ulëta dhe vendet në zhvillim – kanë kontaktuar tashmë me FMN për financime emergjente. Ajo parashikoi që pandemia do të ishte shkatërruese për ekonomitë e vendeve të varfra, shumë prej të cilave kanë më pak burime për t’u marrë me pasojat nga pandemia, për të mos përmendur nivele të larta borxhi dhe infrastrukturë të dobët të kujdesit shëndetësor.
“Ne e shohim kapacitetin tonë prej 1 trilion dollarë në FMN si mjaft thelbësore për t’u marrë me këtë krizë,” tha Gopinath të hënën. Ajo shtoi se burime të mëtejshme mund të jenë të nevojshme. FMN parashikon që ekonomia globale mund të rikuperohej deri në vitin 2021, duke u rritur me 5.8% nëse Koronavirusi përmbahet në mënyrë efektive dhe rastet e reja fillojnë të nivelohen. Prodhimi total ekonomik për vitin e ardhshëm pritet të jetë më pak se në vitin 2019, edhe me një ringjallje të rritjes.(Forbes)