Të mbetur pa punë prej 12 ditësh, një përfaqësi e 100 tregtarëve ambulantë që ushtronin aktivitetin te “Tregu i Orizit” në Vlorë i janë drejtuar bashkisë me një kërkesë për hapjen e tregut.
Në listën që mban emrat e të gjithë tregtarëve i kërkohet kryetarit të bashkisë dhe këshillit bashkiak t’u japë një zgjidhje se çfarë do të bëhet me ta.
Sipas tyre, tregu ofron të gjitha kushtet optimale për të shitur, teksa kujtojnë se janë taksapagues të rregullt të bashkisë.
“Zgjidhje zyrtare nuk kemi marrë akoma.Janë mbi 100 familje që nuk kanë punë tjetër, kjo është e vetmja mundësi mbijetese. Jemi kundër zhvendosjes. Kanë pasur mundësi, kohë dhe vend për të bërë treg shumë të mirë.Kanë marrë votat, janë ulur në karrige dhe nuk kanë bërë asgjë.Malli është në depo dhe prishet. Ku do të shkojnë këta njerëz. Mundësi punësimi të tjera nuk ka.”
“Bashkia, gjysëm ore do që të vendosë për këtë gjë.”
“Vimë verdallë sa nga prefektura, sa nga bashkia. Duhet të na kishin njoftuar përpara. Ka mbetur malli në depo.Këta janë në ato karrige me votat topna dhe mbahen me taksat tona.Tregu është në rregull, presim të hapet sa më parë.”
Para bashkisë nuk munguan edhe tensionet mes tyre dhe policëve bashkiakë që kishin bllokuar derën ndërsa tregtarët që kërkonin të hynin brenda për të dorëzuar kërkesën.