MENU
klinika

Kush përfiton dhe dokumentet që kërkohen

COVID-19/ Hyn në fuqi paketa e ndihmës për bizneset

01.04.2020 - 09:57

Duke filluar nga dita e sotme hyn në fuqi vendimi i Këshillit të Ministrave për pagesën e papunësisë të ardhur gjatë periudhës së fatkeqësisë natyrore si pasojë e koronavirusit.

Kjo është e vlefshme për të gjitha bizneset, të cilat për vitin 2019 kanë realizuar të ardhura deri në 14 milionë lekë dhe kanë ndërprerë aktivitetin në zbatim të Urdhrave të Ministrit së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS), të dala për këtë qëllim, si dhe duhet të kenë përgjegjësi tatimore për tatimin e thjeshtuar mbi fitimin dhe tatimin mbi fitimin

Kush përfiton?

Përfitues të ndihmës financiare të barabartë me pagën minimale në rang vendi, në fuqi, prej 26.000 lekë në muaj, janë:

-personat fizikë të vetëpunësuar;

-punonjësit e papaguar të familjes të personit fizik tregtar;

-të punësuarit në personat fizikë tregtarë;

-të punësuarit në personat juridikë.

-me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë, sipas listëpagesave të deklaruara nga subjektet tatimpagues, të cilët duhet të kryejnë edhe aplikimin për të përfituar ndihmë financiare, sipas Formularit bashkengjitur këtij njoftimi.

Individët e punësuar, që rezultojnë në më shumë se një listëpagesë, përfitojnë si ndihmë financiare vetëm një pagë minimale.

Dokumentet që duhen dorëzuar:

Subjektet që plotësojnë kushtet e mësipërme, duhet të paraqesin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëpërmjet llogarisë së tyre të deklarimit elektronik në e-filing, kërkesën me të dhënat e përfituesve, sipas modelit bashkengjitur, ku përfshihen:

Të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NUIS

Të dhënat identifikuese të përfituesve, përfshirë të vetpunësuarit, punonjësit e papaguar të familjes dhe të punësuarit:

-emrin, atësinë, mbiemrin;

-numrin personal të identifikimit të përfituesit;

-bankën ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare;

-IBAN të llogarisë bankare të individit përfitues.

Subjektet që do të plotësojnë kërkesën sipas Formularit të miratuar, bashkëngjitur, duhet të sigurohen që të plotësojnë të dhënat e sakta të individëve pëfitues, ku numri personal i identifikimit ID dhe IBAN i llogarisë bankare janë të dhëna shumë e rëndësishme.

Verifikimi brenda 10 ditësh
Pas verifikimit brenda 10 ditëve të muajit pasardhës, të të dhënave të dërguara nga aplikuesit, nga Drejtoritë Rajonale Tatimore ku subjektet janë të regjistruar, lista përmbledhëse me të dhënat e individëve përfitues të ndihmës financiare, paraqitet nga DPT, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit, e cila, sipas VKM nr.254, satë 27.03.2020, kryen pagesat për individët përfitues.