Në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve pak orë para meshës tradicionale të Pashkëve, e cila për shkak të pandemisë do të mbahet në katedrale pa praninë e besimtarëve, Arqipeshkvi i Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra u shpreh se Pashkët sjellin shpresë edhe në këto kohë të vështira. Imzot Massafra u kërkoi besimtareve të luten për ata që janë në vijë e parë të frontit e të dhurojnë dashuri për të afërmit e tyre.
“Nuk mund të mos jemi mirënjohës për të gjithë ata që në forma të ndryshme dhe me mundësi të kufizuara, kanë qenë dhe janë në tejkalim të kësaj pandemie. Ne jemi afër shpirtërisht me lutjen tonë tek të sëmurët dhe familjet e tyre si dhe shprehim ngushëllime për viktimat.
Duke dhuruar atë që është e mirë dhe e drejtë, duke respektuar rregullat që janë për të mirën dhe shëndetin tonë dhe të të tjerëve, duke i bërë thirrje aftësisë tonë krijuese për të jetuar mirë dhe në marrëdhëniet tona, sidomos tani që jemi të detyruar të qëndrojmë 24 orë me njëri-tjetrin në shtëpi”, tha imzot Angelo Massafra./VOA