MENU
klinika

Dr. Apostol Vaso

Ishalla jo mua… Covid-19!

05.04.2020 - 20:09

Sot me Covid-in sistemi shëndetësor përballet me dy probleme:

1. Shifrat e të infektuarve dhe të të sëmurëve në Shqipëri dhe a do të preket vendi ynë si Italia…?

2. Vuajtja që përjetojnë njerëzit në terren. Ajo që kushdo e thotë:
ISHALLA JO… MUA, JO DJALIN, JO VAJZËN, JO MAMANË DHE JO BABAIN TIM…!

E para ka të bëjë me ustallarët e zyrave që bëjnë statistikat e politikanëve, që janë shumë të rëndësishme për përballimin e situatës dhe ndërtimin e strategjive. Dhe që për modë i shikojmë çdo darkë në televizor…
Por kjo nuk është mjekësi, kjo mund të quhet politikë shëndetësore, strategji përballimi ose këndvështrim për një situatë shëndetësore dhe ekonomike në një plan makro. Mund të quhet edhe promovim… sigurisht kur teprohet.

E dyta, që mua më intereson, është mjekësia e pastër,  e cila në fakt ka vendosur në lëvizje edhe vetë çështjen të cilën e renditëm të parën.

Këtë të dytën unë e konsideroj mjekësi të pastër, sepse ka të bëjë me situatën konkrete me të cilën perballet çdo individ nga shoqëria shqiptare me frazën “ISHALLA JO MUA…!”, në këtë moment, madje edhe vet ata të cilët përpiqen për të ndërtuar politikat, strategjitë, apo këndvështrimet e përballimit apo trajtimit të situatës në përgjithësi. Që edhe ato si çdo pjesë e popullit në një moment kanë të drejtën. ..ose madje gjithë ditën, të përsërisin “ISHALLA JO MUA…!”
Prandaj duke parë çështjen në këtë këndvështrim unë mendoj që strategjitë e politikat e përballimit nuk janë vetëm tonat, por duke e parë në një rrafsh më të gjerë ato janë çështje e një grupi më të gjerë njerëzish. Kjo sepse me këtë situatë përballen shtete shumë më të fuqishme, që kanë ngenë dhe njerëzit t’i ndërtojnë dhe t’i përcjellin ato edhe tek ne.

Me këtë dua të them që njerëzit tanë që bëjnë këtë punë, i kanë kontaktet me institucionet që merren me prodhimin e strategjive dhe politikave, kështu që gjasat më të mëdha janë që ata ta bëjnë këtë punë, ta bëjnë më mirë se çdo njëri prej nesh. Kështu që ne duhet t’i lëmë të qetë ata, ta bëjnë këtë punë në zyrat e tyre.

Por nga ana tjetër duhet edhe ata të lënë të qetë sistemin shëndetësor, sepse veç vlerësimit dhe përpjekjes së situatës në planin makro, ka edhe një betejë të përditshme në planin mikro, që përsëritet në çdo shtëpi dhe në çdo individ..me psherëtimën ISHALLA JO MUA…!
Vërtetë, që një plak i vetmuar, ose një i varfër diku, në një qoshe të një lagjeje në Tiranë, apo një qyteti të largët të Shqipërisë, ose një fshati që ne nuk i dimë emrin, për zyrat është një numur, pa asnjë ndikim në shifrën e përgjithshme të strategjive apo politikave, madje dhe në garën që cili nga vendet ka më pak apo më shumë… por aty në atë qoshen, qytetin, apo fshatin, për atë që vuan ka një psherëtimë ISHALLA JO MUA …! , sepse nuk i kam as ngenë…
Nëse e shikojmë kështu… kjo në atë qoshe lagjeje, qytetin e largët, apo fshatin që as emrin nuk ia dimë, është një dramë personale, vuajtje shpirtërore dhe sigurisht një shqetësim familjar për njerëzit me pak mundësi.

Kjo dramë fillon me një frazë… “ishalla jo mua…!” nuk i kemi as ngenë sepse ata në Tiranë seç thanë për ca gjëra… respirator, teste, vaksinë, Plaque il… që as nuk di çfarë janë dhe pse janë. ISHALLA JO MUA…!

Ishalla jo mua! Nuk kërkon statistikë as politikë, as strategji, as sa kohë duhet për një mjekim të ri dhe as kur do të dalë një vaksinë.
As përsëritjet dhe prezantimet e përditshme në lajme, Talk Show, Breaking News, në Tv, FB, Instagram dhe internet, për të treguar kush di më shumë për atë që nuk dimë…?
Që në fakt nuk dimë.., por në fakt që flasim pa pushim, sikur dimë…

Ishalla jo mua…! Kërkon që unë ta di tani, si jam dhe çfarë do bej tani…
Ishalla jo mua…! Kërkon dikë që të thotë: sot, jo ti.
Ishalla jo mua…! Kërkon dikë që të thotë: edhe nesër jam këtu, nese ke ndonjë shqetësim.
Ishalla jo mua…! Kërkon dikë që të thotë: këto shenja nuk janë Covid, mushkëritë e tua janë të paprekura, rrufa që ke, është një grip, ilaçi që do të të jap është i mirë.
Iashalla jo mua…! Kërkon dikë që t’i thuash: Mirëmëngjes doktor!
Ishalla jo mua…! Kërkon dikë të psherëtijë… e shikon atë, është doktori i familjes që nuk fle as natë as ditë.
Ishalla jo mua…! Është ajo që dikush të thotë: është doktori im, që e shikoj në sy dhe jo në televizor.