MENU
klinika

Mësime nga Covid-19

Isuf Kalo: Pse sistemet shëndetësore duhet të rikonceptohen. Ja ndryshimet që duhen bërë

28.04.2020 - 13:45

Solidarizimin si mjek e qytetar, Isuf Kalo e tregoi qysh në fillim, me shpalljen e vatrave të para të koronavirusit në vendin tonë. Ai bëri menjëherë publikë numrat e tij të telefonit për të lënë të hapura konsultat telefonike me të sëmurët diabetikë në kushte izolimi. Ndërsa sot, Covid-19 ka vënë botën në kaos dhe informacionet janë sa të larmishme aq edhe kontradiktore, Kalo, edhe si anëtar i një task-force mjekësore për këtë pandemi, bën një refleksion rreth problematikave që u evidentuan në sistemet shëndetësore gjatë kësaj periudhe, rolit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe asaj çka duhet të përmirësohet në të ardhmen.

“Një nga mësimet që na dha kjo pandemi është se ka ardhur koha të rikonceptohen kudo në botë sistemet shëndetësore, përfshi misionet e spitaleve dhe qendrave diagnostikuese mjekuese”, thotë ai, duke u ndalur edhe te kultura e ulët shëndetësore e popullatës, neglizhenca e rreziqeve dhe bashkëpunimi i vështirë për zbatimin e masave higjeno-sanitare. Kalo prek edhe qasjet e vendeve të ndryshme për parandalimin e pandemisë, duke vënë në dukje mungesën e koordinimit mes tyre. “Madje, edhe vendet anëtare të BE nuk u sollën mes tyre si të një familjeje”, thotë më tej.

Ndërsa shpjegon limitet dhe kompetencat e OBSH-së, Kalo ndalet edhe te funksioni i sektorit të emergjencave që kjo organizatë ka në vendin tonë. “Nuk di se sa aktive dhe esenciale kanë qenë ato në këtë pandemi. Sidoqoftë, të lavdishme nuk besoj të kenë qenë”, thotë ai. Shumica e sistemeve shëndetësore aktuale, sipas tij, dështuan në përpalljen me Covid-19, ndaj OBSH-së do t’i duhet të reflektojë për ristrukturimin e tyre. Sipas mjekut, garancia e shëndetit kërkon një angazhim përtej Ministrisë së Shëndetësisë, ku duhet të përfshihen të gjithë anëtarët e qeverisë. “Pandemia e Covid-19 na mësoi se shëndetësia duhet të vendoset në krye të hierarkisë dhe axhendës së qeverisë. Mbase duhet ta zhvendosë prej aty edhe Ministrinë e Mbrojtjes, duke i dhënë atij misioni një kuptim të ri më të gjerë nga ai militar i sotëm”, shton më tej Kalo.

Profesor, prej afro 6 javësh, si shumë të tjerë, jeni vetizoluar. Si e keni përballuar këtë periudhë dhe cilat kanë qenë angazhimet tuaja në këto rrethana të pazakonta?

Pa dyshim që kam respektuar dhe vazhdoj ende vetizolimin dhe distancimin social si detyra qytetare, por edhe si shembull meqë jam mjek dhe për më tepër edhe anëtar i një task-force mjekësore për këtë pandemi. Ka qenë vërtet një eksperiencë unike, pasi gjatë gjithë jetës sime nuk kam pasur rastin të qëndroj kaq gjatë në shtëpi. Gjatë kësaj periudhe kam lexuar shumë, kam medituar, por edhe reflektuar për profesionin tim, jetën edhe më gjerë. Televizioni, telefoni dhe interneti më kanë mundësuar që ta sfidoj izolimin, duke vendosur kontakte me njerëzit e mi të dashur dhe pa dyshim edhe me pacientët, kolegët dhe studentët, ndaj të cilëve kam obligime profesionale. Nga shtëpia kam mundur të bëj një numër të konsiderueshëm konsultash telefonike me të sëmurët diabetikë, sidomos me të moshuarit, për gjithfarësh problemesh të mjekimit që kanë hasur gjatë vetizolimit.

Për këto më kanë shprehur mirënjohjen përmes falënderimeve mjaft prekëse. E gjitha kjo, në kuadrin e një iniciative që mora në fillimin e vetizolimit, duke bërë publikë numrat e mi të telefonit, 068 208 99 11 dhe 069 20 62 005. Pata shpresuar se në këtë iniciativë do të më ndiqnin edhe kolegë të specialiteteve të tjera të sëmundjeve kronike, sepse kjo kategori të sëmurësh rezulton më rëndë e prekur dhe me më shumë viktima nga Covid-19. Ndërkohë kam vazhduar të jap leksione online për një grup studentësh të Universitetit Europian të Tiranës, që po kryejnë atje studimet Master në Fakultetin e Mjekësisë.

Pandemia e Covid-19 ka ndryshuar ritmin e jetës në Shqipëri, por frika më e madhe është ndjerë te njerëzit që kanë probleme shëndetësore. Sipas jush, si është menaxhuar nga strukturat spitalore deri më tani?

Jo vetëm në Shqipëri, frikë ka në të gjithë botën. Virusi korona u shfaq befas si një “armik” i ri i panjohur, që përhapet jashtëzakonisht shpejt te njerëzit dhe që u merr jetën brenda një kohe të shkurtër një numri impresionues prej tyre.

Kjo krijon bujë dhe alarm, ndryshe nga sëmundjet kronike si për shembull, diabeti, që sipas OBSH-së shkakton në mënyre tinëzake, heshturazi vdekjen e rreth 3 milionë të sëmurëve çdo vit. Covid-19 i gjeti sistemet shëndetësore pa “armë” specifike dhe pa një qasje të unifikuar për ta eliminuar atë. Këto krijuan panik dhe frikë. Ankthin e krijuan aspektet e panjohura lidhur me origjinën e tij; për llojet, me të cilët shfaqet (pse të disa më butë, e te të tjerët mizor?), për kohëzgjatjen dhe lakoren ndryshe nga sa priten apo si premtohen të pandemisë, për efikasitetin e pasigurt të disa barnave që propozohen ose provohen (ende pa konkluzione dhe besueshmëri shkencore), të aparateve respiratore, të cilët fillimisht u besua se do të bënin “mrekullinë” shpëtimtare të jetës.

Apo dhe opinionet konfuze e dilemat për vaksinën; herë shpresëdhënëse, herë dekurajuese. Do ketë vallë me siguri apo jo një të tillë? Kur mund të shpresohet disponimi i saj? Sa gjatë do mund të na mbrojë ajo?

Kur do mund të dalim të sigurt nga vetizolimi? Epidemiologë, infeksionistë, mikrobiologë, imunologë të vendeve të ndryshme të botës dhe mjekë si unë, specialistë dhe jo specialistë në këto disiplina dhanë në media opinionet, parashikimet dhe këshillat e tyre, të cilat jo rrallë ndryshonin apo binin në kundërshtim, jo vetëm me njeri-tjetrin, por qe evoluon apo u vetëmohuan po prej tyre me rrjedhjen e ngjarjeve. Ato u zhvilluan sipas parimit “learing by dying”, duke mësuar e vetëkorrigjuar “në ecje e sipër”. Thënë këto, virusi u duket sikur erdhi posaçërisht për ta sfiduar shëndetësinë e sotme, si dhe të ashtuquajturat “sistemet mbrojtëse” jetësore të çdo vendi.

Po me spitalet si është gjendja?

Spitalet, sidomos Infektivi në QSUT dhe ai i Urgjencës Kombëtare, fillimisht u menduan se do të ishin “llogoret e para” dhe më të fortat për suksesin në luftën për eliminimin e virusit. Pati shqetësim dhe prandaj u investuan shuma marramendëse financiare në shumë vende, përfshi edhe ato me të zhvilluarat e të pasurat, për të plotësuar mangësitë ekzistuese, sidomos në numrin e shtretërve, të personelit mjekësor, të maskave apo veshjeve mbrojtëse të tyre. Mangësi të tilla ishin reale, por sipas meje nuk ishin ato më determinantet.

Kjo, sepse “vija e parë e zjarrit” me virusin vrastar do të zhvillohej jo brenda mureve të spitaleve, por fillimisht heshturazi brenda organizmit të qytetarëve të infektuar. Në këtë mënyrë, ky virus do krijonte përballjen e parë me imunitetin vetëmbrojtës të tyre, me kulturën higjieno-sanitare, me aftësitë vetëmbrojtëse shëndetësore dhe me përgjegjshmërinë e secilit qytetar dhe të popullatës në tërësi. Në spital realisht u shtruan vetëm ata që e kishin humbur betejën e parë. Beteja më e gjerë u bë dhe vazhdon në shtëpitë e atyre që e dinë dhe atyre që nuk e dinë se janë të infektuar.

Në spital u shtruan dhe u ndihmuan nga profesionistët tanë të aftë e të përkushtuar që ta fitonin betejën në shpëtimin e jetës kryesisht ata të sëmurë që ishin më rëndë. Janë prekëse vlerësimet, mirënjohja dhe falënderimet e merituara për ta, sidomos për të gjithë ata kolegë, që falë vetëmohimit në kujdesin ndaj të sëmurëve u infektuan edhe vetë. E tillë tingëlloi edhe kënga mallëngjyese kushtuar mjekëve (dhe infermierëve), edhe pse ajo erdhi prej viteve të shkuara kur ndaj bluzave të bardha kishte po kaq ndjenja të pastra, nderim dhe respekt të sinqertë.

Dëgjohet shpesh të thuhet se asgjë pas kësaj pandemie, as shëndetësia, as jeta jonë, nuk do jenë si më parë. Çfarë prisni ju të ndryshojë?

Një shqiptaro-suedez, intelektual kalibri shqiptar, Oseku, mik i im i hershëm, tha me të drejtë në një intervistë se “kur bie zjarri diku, fillimisht duhet të gjithë së bashku të përpiqen ta shuajnë atë, pastaj të merren të hetojnë, se pse ai ra dhe çfarë duhet të bëjnë që ngjarja të mos përsëritet”. Ne e kemi ende zjarrin të pashuar, por do të ishte mirë të nxirrnim paraprakisht ndonjë mësim për të ardhmen.

Mendoj se një nga mësimet që na dha kjo pandemi, është se ka ardhur koha të rikonceptohen kudo në botë sistemet shëndetësore, përfshi misionet e spitaleve dhe qendrave diagnostikuese mjekuese. Te ne dhe në disa vende të tjera që në fillim të pandemisë u vu re kultura e ulët shëndetësore e popullatës, mosvlerësimi real i rreziqeve dhe bashkëpunimi i vështirë për zbatimin e disa masave higjieno-sanitare bazike. Bashkëpunimi më pas u arrit me izolim të detyruar dhe me frikën e ndëshkimeve.

Në këtë kontekst, spitalet dhe qendrat, përveç misionit të tanishëm diagnostiko-kurativ, të lidhur me sëmundjet dhe urgjencat, duhet të merren fuqimisht gjatë kohës që pacientët janë të shtruar ose kur ata konsultohen edhe me një mision edukativ për promovimin e kulturës shëndetësore dhe higjieno-sanitare. E thënë ndryshe, në kontekstin tonë, të edukojnë dhe të zhdukin te qytetarët tanë të ashtuquajturin “analfabetizëm shëndetësor”.

“Analfabetizëm shëndetësor”. Pikërisht këtë novacion ka shumë kohë që e zbatojnë spitalet në vendet skandinave përmes iniciativës “Health promoting hospital”. Prandaj, nuk ka pse çuditemi që Suedia dhe pjesërisht Holanda po guxojnë qasjen më liberale ndaj Covid-19.

“Guximi” i tyre është i bazuar tes kultura shëndetësore dhe përgjegjshmëria e sprovuar e qytetarëve. Atje janë më së pari qytetarët që e bëjnë zgjedhjen e qasjes. Mes rrezikut dhe lirisë ata me përgjegjësinë e tyre zgjodhën të ruajnë të pacenuar lirinë, sepse ata i lajnë duart dhe mbajnë distancën, edhe pa ua thënë e përsëritur dikush. Kjo kulturë është e kultivuar tek ata si e drejtë vetëvendosje mbase e frymëzuar edhe nga autor, si Peter Skrabanek dhe Geoffrey Rose, kritikë ndaj të ashtuquajturit “Healthizëm” dhe “lifestilizëm”, si sjellje të imponuara nga autoritetet, që u caktojnë qytetarëve se çfarë është e shëndetshme për ta dhe çfarë jo.

Që të përfshijmë qytetarët në reformimin e sistemeve shëndetësore të sotme, duhet ta spostojmë fokusin nga spitalet, ku e kemi përqendruar deri tani, jashtë mureve të tyre, te qytetarët në komunitete, në lagje, në vendet e tyre të punës, në shkolla, dhe sidomos brenda në familje te çdo individ. Këto edhe tani në një farë shkalle mund të bëhen, por flasim për një fuqizim më serioz për sa i përket personelit, mjeteve dhe burimeve të duhura. Nëse do jemi të suksesshëm e do arrijmë t’i bëjmë të përgjegjshëm dhe të aftë qytetarët për mbrojtjen e shëndetit të tyre, nuk do të lindë më nevoja që në raste epidemish t’i mbajmë të mbyllur e të vetizoluar, duke i frikësuar me tanke.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) jo më kot ka rekomanduar “Shëndet për të gjithë. Shëndet nga të gjithë”. Pra, të gjithë përfitues dhe njëkohësisht të gjithë kontribuues për shëndetin. Ndryshim dhe rikonceptim duhet të pësojë edhe raporti i padrejtë aktual i financimit: Sëmundje/shëndet apo mjekësi/shëndet publik. Ai është anakronik. Në vendin tonë, nga 500 milionë $ dollarë, që është buxheti total i shëndetësisë, pjesa e dedikuar për shëndetin publik është vetëm 30 milionë. Ndërkohë që Ministria quhet e Shëndetësisë, paratë u shkojnë sëmundjeve. Studimi makroekonomik i OBSH-së në vitin 2000 për ndikimin e shëndetit të popullatës në prosperitetin e vendit dëshmoi se çdo dollar i investuar në të është me kosto më efektive sesa i investuar në çdo fushë tjetër, përfshi edhe arsimin.

OBSH jo më kot e ka definuar shëndetin jo thjesht mungesë e sëmundjeve, por “mirëqenie e përgjithshme fizike mendore dhe sociale e njerëzve”. Prandaj, raporti i mësipërm duhet të përmbyset kudo në favor të shëndetit, përndryshe do të paguajmë përsëri ne pandemitë e ardhshme fatura të tilla humbjesh fatale si kjo nga koronavirusi. Ndryshimin mund ta bëjnë qytetarët. Ata janë “rezervistët pa uniformë” të “ushtrisë së vogël bluzëbardhë”. Ata duhen instruktuar e stërvitur dhe pastaj përfshirë në përpjekjet e përditshme për ruajtjen dhe forcimin e shëndetit.

Qytetarët janë kapital njerëzor potencial gjigant përgjithësisht ende i pashfrytëzuar mirë në shëndetësi. Në vendet skandinave ata janë anëtarë vendimarrës të fuqishëm në borde të spitaleve dhe të Ministrisë së Shëndetësisë. Pa përfshirjen dhe kontributin aktiv të tyre, sistemet shëndetësore, sado të financohen, do të jenë gjithmonë deficitar. Sfida e gjithë përfshirjes duhet të jetë: Çfarë bëj unë vetë për shëndetin tim? Çfarë bëjmë ne si familje, pastaj si lagje, si komunitet, si qendër pune, shkolle? Dhe domosdo çfarë bën ministria dhe e gjithë qeveria që e kemi zgjedhur dhe i paguajmë taksat që të na mbrojnë?

Profesor, përmendët Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), duke qenë se ju jeni mjeku i parë shqiptar që OBSH ka punësuar 15 vite rresht, si drejtues i një programi europian kundër diabetit. Si e vlerësoni rolin e saj në këtë pandemi?

Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk pati të dhëna shkencore të mjaftueshme e as platformë paraprakisht të unifikuar për t’ua këshilluar vendeve anëtare. Ajo nuk pati një dokument konsensual për veprim.

Pati hezitim, një lloj konfuzioni dhe moskoherencë në rekomandimet e saj. Mund të thuhej se nuk luajti atë rol që qeveritë shpresonin prej saj. Por një nga rekomandimet e njohura të OBSH-së është: “Mendo globalisht dhe vepro lokalisht”. Në këtë kontekst, qeveritë nuk u penguan të vepronin njëra më shpejt, njëra më me vonesë, njëra me një qasje, tjetra me qasje tjetër. Njëra me masa më të rrepta, tjetra më të buta. Ishte si një “luftë botërore”, ku u përfshinë të gjitha vendet e botës kundër një “armiku” të vetëm të përbashkët, por çuditërisht, shpesh të vetmuara pa aleanca e pa koordinim mes tyre. Madje, edhe vendet anëtare të BE nuk u sollën mes tyre si të një familjeje.

Deri më sot ende nuk dihet se cila qasje ishte më e mira. Kjo do të mund të vlerësohet, kur pandemia të jetë shuar, por jo nga OBSH. Sepse ajo nuk ka struktura teknike, as profesionale e autonome të kërkimit shkencor të varura e të financuara direkt prej saj. OBSH mund të japë udhëzime, por jo urdhra. Ajo është Organizatë në ndihmë të ministrave të Shëndetësisë të vendeve anëtare, të cilët vendosin me votë çdo pesë vjet zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm dhe atë respektiv rajonal. Këta natyrisht edhe lobojnë paraprakisht që të zgjidhen. Kjo nuk përjashton të ketë sadopak burokraci, diplomaci dhe politikë në vendimet dhe rekomandimet e saj.

Në vlerësimin përfundimtar, e veçantë do jetë se fitorja do të bazohet jo te “golat e shënuar” (sa persona u shëruan), por te golat e pësuar (sa pak vdiqën). Sepse të vdekurit as fshihen, as harrohen dot.

Nisur nga eksperienca juaj prej më shumë se 5 dekadash, çfarë sugjerimesh mund të jepni për përmirësimin e situatës në të ardhmen?

Në dijeninë time, OBSH ka një sektor të emergjencave në rast fatkeqësish. Një të tillë qeveritare kemi edhe në vendin tonë. Nuk di se sa aktive dhe esenciale kanë qenë ato në këtë pandemi. Sidoqoftë, të lavdishme nuk besoj të kenë qenë. Them se duhet të fuqizohen dhe të bëhen të dukshme dhe më të vlefshme.

Pasi të jetë shuar pandemia, OBSH do të ketë hapësirë për të ndikuar në ristrukturimin e sistemeve shëndetësore aktuale, të cilat në shumicën e vendeve në përballjen me Covid19 dështuan. Ato janë farmakologjizuar, teknologjizuar, burokratizuar dhe autokratizuar nga kompanitë e bizneseve shëndetësore, por edhe nga baronët e paprekur brenda tyre.

Vështirësitë që u hasen edhe nga shtete të fuqishme për të siguruar në kohë dhe sasi mjetet mbrojtëse deri maskat apo dhe respiratorët nxorën në pah nevojën që shtetet të kenë edhe industri farmaceutike dhe të mjeteve shëndetësore publike për të mos u varur krejtësisht nga kompanitë multinacionale private.

Po kështu, parimet e vendosura me konsensus të të gjithë ministrave të Shëndetësisë së Europës në vitin 2008 në Talin të Estonisë së “Health is Whealth” duhet të ishin në themel të sistemeve shëndetësore të çdo vendi. Shëndetin nuk e garanton e as nuk e mbron dot vetëm Ministria e Shëndetësisë, sado e financuar të jetë ajo. Duhet një sistem i konceptuar mbi bashkëveprimin dhe përgjegjësitë e të gjithë anëtarëve të qeverisë, madje dhe i gjithë shoqërisë me konceptin “Whole Gouvernement” dhe “Whole Society Health System”. “Secili ministër, – tha ministri estonez- duhet të përgjigjet, jo vetëm për sektorin që mbulon, por të veprojë njëkohësisht edhe si ministër Shëndetësie për ato detyrime, që i takojnë ministrisë së tij ndaj shëndetit të popullatës.

Pandemia e Covid-19 na mësoi se shëndetësia duhet të vendoset në krye të hierarkisë dhe axhendës së qeverisë. Mbase duhet ta zhvendosë prej aty edhe Ministrinë e Mbrojtjes, duke i dhënë atij misioni një kuptim të ri më të gjerë nga ai militar i sotëm. Sepse, siç tha së fundmi Mikail Gorbaçovi, “kjo pandemi dëshmoi se të gjitha shpenzimet për forcat ushtarake dhe armët për mbrojtjen nuk na mbrojtën dot”. Fundja, mbrojtja e jetëve njerëzore nuk është më pak e shenjtë sesa mbrojtja e një territori.