Komisioni Europian ka publikuar dokumentin e punës mbi vlerësimin e programit ekonomik të reformave për Shqipërinë. Ky program është dakordësuar ma qeverinë shqiptare në fund të janarit të këtij viti, dhe u finalizua në muajin shkurt. Por, situata dhe kriza ekonomike e krijuar si rrjedhojë e Covid-19 e bën shumë të vështirë për komisionin që të japë një vlerësim mbi këtë program reformash ekonomike. Për këtë arsye, projeksionet fiskale dhe makroekonomike të rifreskuara, ku do të reflektohet edhe imapkti i krizës aktuale, do të përfshihen në raportin për vendet kandidate që do të publikohet në ditët e para të muajit Maj.
Në dokumentin e punës së stafit, thuhet se, kuadri makro-financiar afat-shkurtër ka ndryshuar në mënyrë të ndjeshme, por se nga ana tjetër sfidat kryesore të Shqipërisë, sa i përket reformave strukturore, në linja të përgjithshme mbeten ende të vlefshme, përfshirë ato në fushën e qeverisjes fiskale. Adresimi i këtyre çështjeve strukturore do të jetë thelbësor për të siguruar një rimëkëmbje ekonomike pas krizës, thotë Komisioni Europian. Sa i përket programit të mëparshëm ekonomik, atë 2019-2021, raporti thotë se Shqipëria regjistron një progres miks, me një pikëzim 3.4 nga 5.
Në masën 35%, disa masa kanë filluar implementimin, në masën 40% janë implementuar me rezultate fillestare, në masën 10% me implementim të avancuar, dhe 10-% e tyre në implementim të plotë. Masat që janë implementuar më së miri janë ato të regjistrit fiskal, uljes së huave me probleme, edukimit, si dhe modernizimit të shërbimeve të punësimit. Implementim të dobët regjistrojnë masat që i takojnë diversifikimit të burimeve energjetike, rehabilitimit të segmentit hekurudhor Durrës-Nënë Tereza-Tiranë.
Dobët në implementim është edhe masa 10 në krijimin e një regjimi ligjor të vetëm dhe transparent për investimet, si dhe ajo që i referohet përmirësimit të kapaciteteve institucionale të sistemeve të kërkimit dhe inovacionit. Projeksionet makro-ekonomike në raport nuk reflektojnë aspak situatën e krijuar pas covid-19, duke u zhvlerësuar tërësisht.