Një superstadium ka nisur së ndërtuari në Kinë. Guangzhou Evergrande, kampioni në fuqi i Kinës, vuri të enjten gurin e parë në themelet e një prej stadiumeve gjigante, i cili do të jetë në gjendje të mirëpresë 100 mijë tifozë, duke kaluar kështu shumë të tjera në Europë e në botë.
Sipas përllogaritjeve, ky stadium do të kushtojë 1.55 miliardë euro dhe do të jetë më i kushtueshmi në botë, të paktën në këto momente. Edhe pse është stadium gjigant dhe punimet kanë nisur sot, mendohet se punimet do të mbyllen brenda vitit 2022.
Sipas agjencisë kombëtare të lajmeve ‘China Nouvelle’, e cila ka njoftuar ndërkohë fillimin e ndërtimit, kjo vepër madhështore duhet të jetë një nga xhevahirët arkitektonikë të qytetit në jug të Kinës. Impianti do të ketë pamjen e një lule zambak uji, ashtu siç shihet edhe në foto.