Gjithmonë kur jemi në errësirë kërkesa e parë e gjithë secilit prej nesh është se: kur do të dalë drita, kur mund të shikojmë rrezet e para të dritës? Ankthi dhe nevoja për dritën e nxitën garën se kush do e shikoj i pari atë e kush do e përjetoj më parë.
Kur përballë kemi të panjohurën dëshira më e madhe e gjithë secilit prej nesh është se: kush do të mësoj me shumë për të panjohurën dhe kush do të dij më shumë rreth saj.
Dilema mes vdekjes dhe jetës, errësirës dhe dritës, të panjohurës dhe të njohurës fitohet vetëm përmes informacionit. Informacioni në kohën e vështirësive të mëdha me karakter kolektiv është arma më e madhe për të sfiduar të keqen, për të sfiduar vdekjen, për të rritur shpresën e për të justifikuar rezistencën.
Njerëzimi po kalon një moment të vështirë në këto momente, sepse po jetojmë me të panjohurën duke jetuar në një errësirë që nuk dimë nëse do të ketë dritë, nëse drita do të dal përsëri, nëse vdekja do të fitoj mbi jetën e nëse jeta do të jetë njolloj si më parë, ose do të ketë mutacione me mundësinë reale për ta bërë më të mirë dhe më kuptimplotë ose më të pakuptimtë se sa ajo që jemi mësuar të jetojmë deri më sot.
Në kohë pandemie si kjo dy janë shtyllat më të rëndësishme që mund të kenë impakt të jashtëzakonshëm në shoqëri:
1. Mjekët që luftojnë çdo ditë me vdekjen, jetojnë me vdekjen për ta studiuar e sfiduar atë, vdesin nëse duhet bashkë me të që ajo të mos ketë lirinë maksimale për të dalë nga muret e shkencës e për të goditur e mundur këdo. Mjekët në këto momente janë heronjtë e vërtetë, të cilët në shumë vende, për shkak të politikave të gabuara qeveritare ndjehen të tradhtuar e të braktisur me sisteme shëndetësore insuficente, por përsëri ata për shkak të dashurisë që kanë për jetën e sfidojnë vdekjen qoftë si kundërshtarë profesionalë, por edhe si misionarë të shëndetit publik.
2. Heronj po aq të rëndësishëm janë gazetarët, të cilët janë në linjë të parë e të rrezikuar po aq sa mjekët dhe ndoshta të keqpaguar, të pambrojtur dhe të rrezikuar që përpiqen t’i japin formë lajmit e po ashtu lajmin mundohen ta sjellin në formën sa më të mirë edhe kur kushtet nuk janë.
Në këto ditë të vështira të pandemisë, flitet se edhe media e sidomos ajo e shkruar nuk do të jetë si më parë, ose në formën ekstreme ajo edhe mund të zhduket së ekzistuari. Nëse spitalet nuk janë mbyllur kurrë e janë në luftë të vazhdueshme në shërbim të jetës, po ashtu edhe televizionet, mediat online nuk janë mbyllur për asnjë sekondë. Në shumë vende të Europës nuk janë mbyllur as pikat tradicionale të shitjes së gazetave.
Sot, mjekët e gazetarët ecin në të njëjtën binar dhe kanë po aq shumë rëndësi. Për mjekët ka rëndësi të jashtëzakonshme kur fitojnë një betejë duke shëruar të një infektuar she janë pikërisht gazetarët, vata që japin lajmin e shërimit e bashkë me të, na rrisin shpresën se drita pas errësirës është pranë, se jeta është më e fortë se vdekja dhe se shpresa është më e fuqishme se dëshpërimi.
Të bësh gazetarin në kohë pandemie nuk është aspak e thjeshtë e gjithmonë duhet të jesh i bindur dhe përgatitura se të dhënat ndryshojnë vazhdimisht. Kjo ndodh kur përballemi me të panjohur, ajo prezantohet si e tillë dhe njihet pak nga pak.
Gazetaria në kohën e pandemisë ka problematikat e veta.
Së pari, qarkullimi fake news në një kohë, kur qytetarët kanë nevojë për lajmin e saktë. Pra, të bësh gazetarinë serioze e të bësh lajmin e vërtetë është shumë e vështirë, por në të njëjtën kohë edhe shumë e rëndësishme. Njerëzit duan të njohin të vërtetën.
Së dyti, lajmi i vërtetë në kohën e errësirës, të panjohurës dhe frikës ka shumë rëndësi për nga formati dhe forma që i jepet atij. Në kohë krizash e vërteta mund të jetë pozitive ose edhe negative, megjithatë detyra e një gazetari profesionist është që t’i jap formën e duhur, duke mos e ndryshuar formatin, por duke i dhënë sënsin e duhur.
Se treti, mundësia për të gjetur lajmin në kohën e duhur dhe për ta transmetuar në momentin e duhur bëhet gjithnjë e vështirë, sepse situata e përgjithshme është më barriera të vendosura nga autoritetet siç janë kufizimet e lëvizjeve. Po ashtu eminent është edhe vetëdija e çdo gazetari që në shërbim të lajmit është gjithmonë në betejë të heshtur me vdekjen dhe me mundësi që në çdo moment mund të jetë i infektuar i radhës.
Se katërti, në kohën e pandemisë kemi pasur një konkurrencë të madhe mes pushtetarëve dhe gazetarëve për vizibilitet. Të parët për të rrëmbyer e për të manipuluar të vërtetën dhe lajmin sipas interesave të optikës se pushtetit apo të optikës shtetërore dhe gazetarët që ushtrojnë dhe përpiqet të ushtrojnë profesionin për të kapur lajmin e parë dhe për ta vënë në shërbim të masës duke besuar se i kanë shërbyer të vërtetës.
Se pesti, krahas pandemisë së e virusit për të infektuar sa më shumë e për të vrarë sa më shumë njerëz, kemi në të njëjtën kohë pandeminë e gjithë-llogëve, pra të atyre që mendojnë se dinte gjithçka e flasin për gjithçka. Këta janë specialistë të vetëshpallur, që nuk kanë studiuar kurrë mjekësi e për të fituar vizibilitet mundohen të thonë gjithçka e të shpikin çdo gjë. Në këtë kategori kemi politikanë, sidomos ato opozitar që sulmojnë gjithë kohës pozitarizmin duke e goditur në besueshmërinë e saj kundrejt qytetarëve, por nuk mungojnë edhe ata që më ëndrrën për të tu bërë publik e pseudo gazetarë mundohen me çdo kusht të jenë në qendër të vëmendjes.
Për shkak se personat prej kohësh janë të izoluar ka bërë të rritet tek ata me shume nevoja për tu informuar se çfarë po ndodh jashtë dhe si është situata. Kështu është rritur kërkesa për të lexuar online. Pra informacioni ka zënë një vend të rëndësishëm në këto ditë. Për këtë arsye shumë gezeta që ishin në print dhe online u kanë dhënë më shumë prioritet formateve online e po ashtu formatet që ishin më pagesë, janë bërë free e sidomos rubrikat që lidheshin me pandeminë.
Çfarë ka ndodhur me gazetarin? Njerëzit edhe pse kanë shfrytëzuar hapësirën online falas ata kanë bere edhe abonimin vjetor online me pagesë. Pra, shtypi nuk është në krizë e mendohet se pas kësaj pandemie do të kthehet me i fuqishëm se më parë. Pra, sipas statistikave është rritur numri i abonimeve online. Si shpjegohet kjo? Qytetarët në këto ditë kanë kuptuar rëndësinë e informacionit e sidoms të informacionit të sakt e profesional.
Gazetaria dhe informacioni sigurisht nuk do të jenë si me parë. Ne do të kemi nevojë më shumë për gazetarë profesionistë dhe për lajme profesionale. Figura e gazetarit pas kësaj pandemie duhet të ketë statusin e merituar e duhet të ketë një pagesë dhe trajtim ekonomik dinjitozë. Po ashtu optika jonë kundrejt tyre duhet të jetë në njëjtin rrafsh për nga rëndësia njëlloj si me mjekët!