MENU
klinika

COVID-19

Serbia i dhuron Kosovës 1 mijë teste

17.04.2020 - 15:11

Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar donacionin për IKSHP’në prej 1000 testeve për Covid-19 nga Serbia.

Nga Dogana e Kosovës thanë se momentalisht nuk ka pasur procedurë zhdoganimi lidhur me testet nga Serbia në asnjë pikë kufitare dhe kurdo që ato mbërrijnë do të trajtohen konform ligjeve në fuqi.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, Faik Hoti ka njoftuar përmes Facebook-ut se Serbia do t’i dhurojë Institutit të Shëndetit Publik në Kosovë 1,000 teste për koronavirus.

“1000 teste të tjera janë marrë donacion nga Serbia. Sot shpallet fituesi edhe për 10 000-13 000 të tjera”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Gazeta Express ka raportuar se MSH ka kërkuar që sot në ora 17:00 të mundësohet hyrja e donacionit. Sipas e mailit që e ka siguruar Gazeta, dergesa do të sillej nga Zyrtari Ndërlidhës i Serbisë në Prishtinë.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci i tha Gazetës Express se deri më tani nuk ka procedurë zhdoganimi për teste të Covid-19 nga Serbia dhe kur ato vijnë do të trajtohen sipas ligjeve.

“Për momentin në asnjë pikë doganore nuk ka një procedurë zhdoganimi për teste të Covid-19 nga Serbia, sidoqoftë edhe nëse vijnë ne i trajtojmë në bazë të legjislacionit tonë, varësisht se si deklarohen donacion apo dërgesë komerciale atë trajtim edhe e marrin”, ka thënë Stavileci.

Ndërkaq, sot ka pasur reagime të shumta ndaj Ministrit në detyrë, Arben Vitia lidhur me numrin e testeve që ka deklaruar se kanë ardhur në Kosovë para 2 jave që kanë qenë rreth 7000 sosh.

Më 28 mars 2020, Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka deklaruar se 7000 mijë teste kanë arritur në IKSHPK.

Ndërkaq, në raportimin e IKSHPK’së ditën e djeshme është thënë se nga data 8 shkurt deri më 16 prill 2020 në laboratorin e këtij instituti janë testuar 3915 mostra të dyshimta.

Që i bie se në Kosovë do të duhet të ishin në dispozicion 3085 teste sipas deklaratave të ministrit në detyrë Arben Vitia e jo vetëm 600 te tilla siç ka deklaruar IKSHPK./GazetaExpress/