MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

Kryeministër! Dëgjo Xhonsonin më shumë nga Benin…

01.04.2020 - 14:27

Për rastësi, kur po shkruaja këtë artikull, me çip të veshit po dëgjoja Mustafa Nanon, që kish marrë në intervistë, Kryeministrin. Ngrita kokën, kur papritur u përmend emri i Lindon Xhonsonit… Sepse pikërisht atij, po kërkoja t’i referohesha dhe unë, në shkrim.

Kryeministri e përmendi në një kënd tjetër, ish-Presidentin amerikan,.. se nuk donte të ishte ai që t’i jepte popullit amerikan, lajmin e vrasjes së Kenedit.

Nuk ishte ajo që prisja unë…

Lindon Xhonsonin, unë po e përmend për gjë tjetër. E kam përmendur disa herë, në emisione televizive të ditëve të fundit. Si ideator të dhënies së asaj, që unë e quaj “Tollonë bashkiake” e në terma populli Kupon apo Çek etj., etj.

Kundër thuajse të gjithë zërave të shumicës, duke ruajtur megjithatë, një optimizëm të përmbajtur, mendoj dhe e kam shprehur, se Shqipëria e ka kaluar Pikun e kësaj sëmundjeje. Po çfarë na pret? Kjo është pyetja, që në këto momente, më mundon më shumë se Korona.

Nuk ka nevojë të shpjegohesh shumë, për të keqen që duhet të presësh. Mjafton të lexosh historianët e krizave të ekonomisë dhe e merr përgjigjen. Pikërisht kjo, të shpie në pyetjen: çfarë të bëjmë?

Xhonsoni që përmendi Kryeministri, në thelb, futi në 1964-ën, Kuponin apo ndryshe, Tollonin bashkiak… Amerika në vetvete, këtë e ka mjet të zakonshëm, për një arsye të thjeshtë. Megjithëse vendi më i pasur në botë, ka dhe numrin më të madh të të varfërve. Për statistikë, nga viti 1964, kur u vu në veprim Tolloni apo Kuponi dhe kur të varfrit aty, ishin 10, 5 për qind, sot prapë janë aty te 10,1 për qind.

Veç të tjerave, Kuponi ishte si ide e lidhur me forcimin e bujqësisë së vendit. Ideja përmban brenda filozofinë e Kejnsit, që Amerika e Rusveltit, e praktikoi në krizën e madhe dhe mbetet si e saktë, në kohë krizash.

Për të mos bërë ironi dhe për t’u kthyer në temë, mund të përsërisim Kryeministrin, se nëse situata e këtij filmi me sëmundjen e tanishme, është e paqartë e nuk ka heronj, menaxhimi i krizës ekonomike, ka heronj dhe nuk ka pse të shpikim.

Thënë troç. Unë nuk besoj se situata postsëmundje dhe fillimkrize ekonomike, zgjdhet me mjete taktike, që sido të pasqyrohet në televzion, etj., është thjesht, e pamjaftueshme. Për të mos thënë, do të thellojë krizën ekonomike.

Ndihmë familjeve dhe biznesit të vogël, me pagë lufte apo Kupon?

Xhonsoni dhe Amerika, thotë Kupon. Në 2018-ën, d.m.th dy vjet më parë, Amerika, këtë shifër të Kuponit, e kishte 57 miliardë dollarë. Kjo metodë, nuk zëvendësohet dot me mjetet që improvizojmë ne dhe që, Ben Ahmetaj e paraqit, natyrisht, duke bërë zëdhënësin e Kryeministrit.

Besoj thjesht, se Kuponi është mjeti më efikas dhe më i provuar. Mban njeriun në dinjitetin e varfërisë së tij dhe respektin ndaj shtetit, që e përkrah. Kundër idesë së Ahmetajt, nuk besoj se është i papërshatshëm ngase do rrisin çmimet supermarketet.

Besoj të kundërtën. Të shpërndara nga bashkitë, që kanë lista të përpikta të familjeve që kanë nevojë për ndihmë, ajo merr formë të organizuar. Zëvendëson lloj-lloj aktivistësh (pa i fyer), që venë e vijnë për të shpërndarë ndihma, që siç dihet, në raste të tilla krize, janë maksimumi, ndihma çasti.

shpetim nazarko

Tolloni apo Kuponi, lidhet, siç e kuptuan amerikanët dhe me bujqësinë. Kemi rastin, më në fund, të kthejmë kokën nga fshati dhe të rishpikim vetveten.

Është në thelb edhe detyrim absolut, që na imponon të vendosim menjëherë, marrëdhënie me fshatin, për të rritur produktet tona. Nëse nuk e bëjmë e bazohemi te “Paga e luftës”, nuk është e vështirë të parashikohen pasojat. Leku do të zhvlerësohet, çka është normale. Nëse ne ende e kemi raportin import –eksport akoma shumë të keq, atëherë do rriten çmimet edhe me manovrën që Ahmetaj, e përmend në rastin e dhënies së ndihmave, për të evituar rritjet e çmimeve apo spekulantët. Do blejmë me euro, ngaqë importojmë…

Po ky, është rasti më i mirë. Një pjesë e vendeve, sot kanë bllokuar transportin e eksporteve bujqësore. Kjo do t’i çojë ca më shumë, çmimet, më lart.

Ç’të bëjmë?

Mendoj të zëvendësojmë “Pagën e luftës” me Kuponin. Së dyti, të vemë në fshat që tani dhe të shohim me vigjilencë e të ndihmojmë pa fund fshatarin, në prodhimet e tij. E të ndalojmë edhe ne, eksportin e produkteve bujqësore.

Shumë njerëz do ta quanin demode, këtë punën e Kuponit. Ja, Trampi po jep para dhe ne po ndjekim formën moderne të ndihmës. Pra, po paguajmë me para në dorë, si… Trampi.

Për ne, nuk ka vlerë kjo strategji. Trampi i përdor dhe paratë, dhe Tollonin. Po mund t’i referohemi edhe historisë.

Perandoria spanjolle, ndoshta nga më të pasurat e gjithë historisë, në kohën e lulëzimit të saj humbi thjesht, sepse… nuk punoi tokën. Çdo punë, e zgjidhte me florinë që u kishte grabitur të tjerëve.

Edhe Roma e lashtë, ra thonë një pjesë e historianëve, sepse u rrit çmimi pa fund, i grurit që duhej marrë gjithnjë e më larg, sepse toka e varfëruar ngaqë mbillej vetëm me të, nuk po jepte më grurin.

Duke e mbyllur analizën. Epidemia te ne, po shkon drejt fundit. Po nëse ajo po mbyllet në mënyrë aritmetike, kriza ekonomike do të përplaset në progresion gjeometrik.

Duhet dëgjuar Lindon Xhonsoni dhe ca më shumë, paraardhësi i tij, Rusvelti. Thjesht, për mua, duhet të bëhemi gati të hapim pa fund punë publike, të përdorim Tollonin dhe të vrapojmë në fshat, për të ndihmuar në rritjen e prodhimit e për të mbajtur krizën ekonomike në binarët e arsyes. Të ndalojmë eksportet bujqësore…

Historia nuk zgjidhet me “Pagë lufte” e me vullnetarë, që vijnë vërdallë andej-këndej. Sado të shkathët e të saktë të jenë, duhet thënë shkurt. Mjeti nuk e zëvendëson Metodën. Pakot e ndihmës janë Mjeti, jo Metoda…

Thënë ca më shkurt. Kryeministri, duhet të zëvendësojë Benin, me Xhonsonin.  Përndryshe, mund të them se ka zëvendësuar Mjetin, me Metodën. Thënë në mënyrë më cinike, pa fyer njeri: Hileja, nuk mund ta zëvendësojë dot Rregullën.