*Nga Saskia Miller
Emri që iu vendos pandemisë së murtajës bubonike të shekullit XIV e cila, gjatë katër viteve shkaktoi vdekjen e deri 60 përqind të popullsisë së Evropës, ishte Vdekja e Zezë. Siç e thotë emri, sëmundja vinte me një mori simptomash të rënda fizike dhe një probabilitet të madh për të vdekur. Por ajo pati edhe efekte anësore të konsiderueshme, sociale dhe psikologjike. Të nxitura nga frikëra të justifikuara, por të gabuara, thashetheme, dezinformata dhe supersticione. Disa provuan ilaçe mrekullibërëse, të tilla si gjakderdhja; Papa u rrethua me një unazë zjarri; dhe në një tërbim veçanërisht të egër të një histerie të pabazë, mijëra hebrenj në të gjithë kontinentin u vranë, të akuzuar se kishin helmuar ujin e pijshëm. Kur njerëzit nuk mund të përballojnë më aktualitetin, më tha historiania e Evropës mesjetare Eva Schlotheuber, ata “rrokin çdo shpjegim që mund të gjejnë”.
Sot, ne përballemi me shpërthimin global të një sëmundjeje që, megjithëse biologjikisht shumë më pak shkatërruese se Vdekja e Zezë, ka potencialin të nxisë atë që Schlotheuber e quan një “pandemi e mendjes”, ngjitëse dhe shtrembëruese e të vërtetës. Ndërsa dezinformatat përhapen dhe vijat ndarëse midis fakteve dhe trillimeve kryqëzohen në mënyrë rutinore, udhëheqësit botërorë, tani më shumë se kurrë, duhet të ndriçojnë një rrugë të mirëmenduar drejt të ardhmes, e cila mbështetet në shkencë dhe arsyetim të bazuar në prova. Në të vërtetë, shumë e kanë bërë. Një udhëheqëse ka shkuar edhe më tej. Me besimin e popullit të saj për të lundruar nëpër ujërat e errëta të këtij shpërthimi pandemie, pa nxitur ose pa u zhytur në një pandemi të mendjes, një politikane është më pak komandante e përgjithshme, dhe më shumë kryeshkencëtare: Angela Merkel.
Prej disa javësh, udhëheqësja e Gjermanisë ka vënë në punë racionalitetin e saj karakteristik, shoqëruar me një sentimentalizëm jokarakteristik, për të udhëhequr vendin mespërmes asaj që deri më tani ka qenë një betejë relativisht e suksesshme kundër COVID-19. Pandemia është duke u dëshmuar, në shumë drejtime, si sfida kurorëzuese për të diplomuarën në Kimi kuantike që u bë politikane, stili i udhëheqjes së të cilës vazhdimisht është përshkruar si analitik, joemocional dhe i matur. Në përpjekjen e saj për stabilitet shoqëror dhe ekonomik gjatë kësaj pandemie, Merkel gëzon disa avantazhe: një sistem i respektuar dhe i mirëkoordinuar i ekspertizës shkencore dhe mjekësore, i shpërndarë në të gjithë Gjermaninë, besimi i publikut i fituar me mund, dhe fakti i pamohueshëm që, duke pasur parasysh pasigurinë e skajshme të këtyre kohëve, udhëheqja e qëndrueshme dhe e ndjeshme është papritur përsëri në modë. Me 30 vjet përvojë politike, dhe duke u përballur me një sfidë të madhe që lyp qetësi mendore dhe arsyetim të kujdesshëm, Merkel është në kulmin e performancës, duke u shfaqur me besueshmërinë dhe përunjësinë e një shkencëtareje në punë e sipër. Dhe duket se po shpërblehet, si politikisht ashtu edhe shkencërisht.
E lindur në Gjermaninë Perëndimore në vitin 1954, Merkel u rrit në një qytezë të vogël të Gjermanisë Lindore në veri të Berlinit. Babai i saj ishte pastor luteran dhe objekt survejimi nga STASI, ose sigurimi i Gjermanisë Lindor. Një studente e shkëlqyer, Merkel mësoi që herët “të mos vendosej në qendër të gjërave”, që të mos ekspozonte veten ose familjen ndaj kontrollit të agjentëve të sigurimit, sipas Stefan Kornelius, biograf i saj zyrtar dhe redaktor i gazetës Süddeutsche Zeitung. Kur ra Muri i Berlinit në vitin 1989, Merkel, e cila tashmë kishte mbrojtur një doktoratë në kimi kuantike, punonte si shkencëtare kërkimore. Menjëherë pas kësaj, ajo la punën për t’u bashkuar me një grup të ri politik që ishte formuar në lagjen e saj, duke nisur kështu në heshtje karrierën politike. Ngjiti shkallët në politikën gjermane dhe, përmes inteligjencës së pastër dhe një serie manovrimesh taktike në kohën e duhur, u ngjit në vitin 2005 në krye të kancelarisë, si kreu i qeverisë federale të Gjermanisë. Trajektorja e saj ishte dramatike dhe e pazakontë – për një grua, për një gjermano-lindore dhe për një shkencëtare pa përvojë në ligje ose shërbim civil.
Pse e la Merkeli, atë që dukej të ishte një karrierë premtuese, për pasigurinë e politikës? Në një profil të New Yorker dedikuar kancelares gjermane, George Packer e quajti këtë vendim, “misteri kryesor i një jete të paqartë”. Kornelius ia atribuon ndryshimin drastik një vetëdijësimi se, si shkencëtare nga Gjermania Lindore e varfër dhe e mangët në burime, ajo do të lihej pas nga homologët e saj perëndimorë.
Merkel nuk ka folur kurrë publikisht për arsyet pse e la shkencën, por mbase kjo ndodh ngaqë ajo nuk e ka lënë kurrë. Mendimi shkencor – kërkimi i kujdesshëm i çdo informacioni të ri, konsultimi i kujdesshëm me ekspertët – mbetet pjesë integrale për procesin e vendimmarrjes ditore të Merkelit, por edhe personalitetit të saj politik. Ajo është pa dyshim e vetëdijshme se trajtimi i matur, modest që u bën problemeve të Gjermanisë është të paktën pjesërisht arsyeja përse, ajo ka gati 15 vjet që gëzon mbështetjen e një vendi, nderimi historik i të cilit për arritjet shkencore dhe mendjet e mëdha (mendoni Kantin, Einsteinin, dhe të tjerë) ekuilibrohet ngahera nga një maturi akute kundrejt udhëheqësve karizmatikë me ide të mëdha (mendoni Hitlerin).
Para pandemisë, ylli politik i Merkelit ishte zbehur. Ajo ishte bërë e njohur, sipas Korneliusit, si kancelarja “që më shumë shmangte gjërat, se sa ajo që ndërtonte gjëra”. Po, Merkeli e kishte parandaluar copëtimin e Evropës gjatë krizës financiare dhe kishte udhëhequr kontinentin ndërsa zhytej në krizën e mëvonshme të migrimit. Por, kohët e fundit ajo ishte mënjanuar politikisht nga rritja e brendshme e populizmit, e djathta ekstreme, e majta ekstreme dhe nga udhëheqësit autokratikë në të gjithë botën.
Pastaj erdhi koronavirusi. Rasti i parë i Gjermanisë u konfirmua në 28 janar, por kërcënimi nuk e transformoi realisht jetën e përditshme, deri në mes të marsit. Kufizimet e urdhëruara nga qeveria në Berlin ishin të vogla, por shkaktonin gjithnjë e më shumë ndërprerje. Disa u shqetësuan nga anulimi i tubimeve të mëdha si konferencat e industrisë, por kur qendrat kulturore të qytetit — teatrot, operat dhe sallat e koncerteve — u mbyllën më 10 mars, diçka thelbësore u zhduk. Disa ditë më vonë, skena e famshme e jetës së natës së Berlinit u errësua gjithashtu. Këmbësorët u zhdukën, pronarët e trembur të restoranteve ulën qepenat ose ngritën barrierat me pleksiglas. Vetë struktura e jetës shoqërore dhe kulturore të kryeqytetit u dobësua. Banorët e këtij qyteti dikur të ndarë, u kujtuan përsëri se sa shpejt mund të humbet liria.
Merkeli – për të cilën, si ish gjermano-lindore, liria dihet se është parësore – e kuptoi edhe personalisht se çfarë nënkupton bllokimi për bashkëqytetarët e saj. Më 18 Mars, pasi vendi kishte mbyllur shkollat, ekonominë, mënyrën e vet të jetës, ajo mbajti një fjalim të rrallë në televizion, që forcoi shumë udhëheqjen e saj.
Përballë kamerës nga prapa një tavoline, me flamurin gjerman dhe atë të Bashkimit Evropian në krah, ajo filloi me një shënim emocionues, duke pranuar se “ideja jonë për normalitetin, për jetën publike, bashkësinë shoqërore – e gjithë kjo po vihet në provë si asnjëherë më parë”. Ajo theksoi rëndësinë e demokracisë dhe marrjes së vendimeve politike transparente, dhe këmbënguli që çdo informacion që po ndante në lidhje me pandeminë, bazohej në kërkime të hollësishme. Pastaj, në një deklaratë mahnitëse për një udhëheqëse gjermane, një deklaratë të cilën ajo “duhet ta ketë menduar pafundësisht”, siç më tha Kornelius, ajo foli për orën më të errët të vendit të saj. “Që nga Lufta e Dytë Botërore,” tha Merkel, “nuk ka pasur një sfidë për vendin tonë, në të cilën veprimi në një frymë solidariteti nga ana jonë, të jetë kaq i rëndësishëm”.
Ajo që spikaste në këtë fjalim, nuk ishin aq shumë këshillat mjekësore të Merkelit, por thirrja e saj jashtëzakonist e drejtpërdrejtë për nocionin e bashkësisë shoqërore dhe për kufizimet e asaj vetë, si individ dhe si udhëheqëse (“Unë besoj fort se ne do ta kalojmë këtë test, nëse të gjithë qytetarët e shohin vërtet si detyrën e tyre”). Siguritë e saj racionale dhe tërheqja emocionale ishin vendimtare në një kohë paniku në rritje. Ndërsa gjendja shpirtërore nuk është aq e errët në Gjermani – falë një sërë faktorësh, Gjermania duket se e ka përballur pandeminë më mirë se shumë vende të tjera – gjermanët në përgjithësi vazhdojnë të dëgjojnë direktivat e hollësishme të kancelares.
Numri i personave të infektuar nga koronavirusi është rritur, siç ka ndodhur në të gjithë botën. Por, ndryshe nga Italia, ku më shumë se 22,000 njerëz kanë humbur jetën prej COVID-19, ose Shtetet e Bashkuara, ku numri i vdekjeve e ka tejkaluar atë shifër dhe vazhdon të rritet me shpejtësi, vdekjet totale në Gjermani janë diçka më shumë se 4,000. Për ta parë në perspektivë, më shumë se dyfishi i njujorkezëve kanë humbur jetën nga koronavirusi, se sa individët në të gjithë Gjermaninë deri më sot.
Ndërsa të dhënat krahasuese të shteteve mund të jenë pak të besueshme, dhe shifrat me siguri mund të marrin një kthesë për keq në Gjermani ashtu si kudo tjetër, ekspertët përmendin një numër faktorësh të mundshëm, për numrin relativisht të ulët të vdekjeve në vend: Mosha mesatare e pacientëve me koronavirus ka qenë më e ulët këtu se sa tjetërkund, gjë që kufizon rrezikun; numri i personave të testuar për virusin është më i lartë se në vendet e tjera, dhe rastet në pjesën më të madhe ndiqen me kujdes; dhe sistemi i kujdesit shëndetësor publik ka qenë mjaft efikas për të rritur numrin e njësive të kujdesit intensiv, për të përmbushur kërkesën potenciale.
Duke pasur parasysh jetëgjatësinë e saj, çdo sukses i mundshëm, të paktën deri në një farë mase i atribuohet udhëheqjes së Merkelit. Kancelarja ka një aftësi për të sjellë “interesat divergjente drejt kompromisit”, thotë Kornelius. Aftësia e saj për të pranuar atë që nuk e di dhe për të deleguar vendime, ka qenë një element thelbësor për strukturën politike të federalizuar të Gjermanisë së pasluftës.
Merkel është mbështetur në ekspertë të organizatave kërkimore-shkencore të mirëfinancuara, përfshirë agjensitë e shëndetit publik, siç është Instituti Robert Koch dhe rrjeti i universiteteve publike të vendit. Instituti i Shëndetit në Berlin, një institucion kërkimor biomjekësor, ashtu si organizata të tjera, kohët e fundit ka përqëndruar përpjekjet e veta në studimin e koronavirusit. Kryetari i tij, Axel Radlach Pries, më tha që institucionet kërkimore të Gjermanisë aktualisht po punojnë ngushtë së bashku për të “krijuar sisteme mbarëkombëtare” kërkimi. Qeveria federale, me Merkelin në krye, luan një rol bashkues, duke mbledhur së fundmi të gjitha departamentet mjekësore universitare të vendit, në një task forcë të vetme koronavirus.
Kur fola me të, Pries theksoi rëndësinë e një komunikimi të ndershëm nga nivelet më të larta të udhëheqjes gjatë pandemisë. Merkeli është mbështetur shumë, dhe publikisht, në ekspertizën e një morie ekspertësh, duke përfshirë tashmë të famshmin Christian Drosten, kreun e virologjisë në spitalin Charité në Berlin. Nga këndvështrimi i publikut, më tha Pries, kancelarja dhe virologu “janë shumë të besueshëm”. Njerëzit e dinë “që ato që marrin nga Drosten dhe Angela Merkeli janë fakte të vërteta dhe shumë të mirëmenduara” dhe që të dy “ndajnë informacione për gjëra që nuk dinë”. Për shkak se ata janë “të sinqertë në lidhje me informacionin që japin”, tha ai, këto informacione shihen si të besueshme. Kjo ndershmëri, në një kohë të dezinformimit të gjerë, më tha Pries, po luan një rol të madh në bindjen e gjermanëve që të vazhdojnë të ndjekin rregullat dhe të mbajnë, madje edhe në këto momente, “një situatë shumë të qetë në Gjermani”.
Virusi është ende larg mposhtjes dhe askush nuk e di se çfarë sfidash mbeten përpara për Gjermaninë, ose pjesën tjetër të botës. Por, duke gjykuar nga qasja e Merkelit — rigoroziteti i saj në mbledhjen e informacionit, ndershmëria në deklarimin e asaj që nuk dihet ende, dhe qëndrimi që mban – ajo një ditë mund të mbahet mend jo si shkencëtarja më e madhe e Gjermanisë, por si kryeshkencëtarja e saj: udhëheqësja politike që ekzekutoi, festoi, dhe personifikoi mendimin e bazuar në prova, kur kjo kishte më shumë rëndësi. / The Atlantic