Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i është drejtuar me një letër tjetër presidentit Hashim Thaçi, përmes së cilës i ka thënë se nuk heziton t’i përgjigjet dhe as nuk e refuzon kërkesën e tij, porse është në pritje të përgjigjes nga ai për letrën e fundit të dërguar.
Ndër të tjerë, në letrën e kryeministrit në detyrë Kurti dërguar presidentit Thaçi thuhet se do të jetë në pritje të sqarimit dhe pas përgjigjes së Thaçit mbase mund ta ketë më të qartë arsyen pas këtij insistimi për t’u marrë me çështje dytësore e tretësore, në një kohë kur të gjithë duhet të bashkohemi në luftën kundër armikut të përbashkët- COVID-19.
“Do të jem në pritje të sqarimit tuaj, me shpresën se do të përdorni standardin e njëjtë që po pritni nga unë. Pas përgjigjes suaj mbase mund ta kem më të qartë arsyen pas këtij insistimi për t’u marrë me çështje dytësore e tretësore, në një kohë kur të gjithë duhet të bashkohemi në luftën kundër armikut të përbashkët- COVID-19”.