U la jashtë Europianit 2016 ashtu si Milot Rashica, Berat Gjimshiti, Amir Rrahmani e ndonjë tjetër dhe natyrisht kjo ndikoi që Herolind Shala më vonë të zgjidhte Kosovën. Mesfushori kosovar ka folur për mediat norvegjeze për një ndeshje me Shqipërinë…
“Ishte një histori shumë interesante, sepse luajtëm me Shqipërinë në Zyrih, në Zvicër. Në minutën e 40-të, Hysaj e pasoi një top shumë fort dhe e ndjeva një të kërcitur. Pas pesë minutash dola jashtë dhe dy fizioterapistët e panë dorën dhe më thanë: Është e thyer dora, nuk mund të luash dot më. Duhet të dalësh.
Nuk e di, por kisha një vullnet shumë të madh që të luaja në atë ndeshje, pasi kam luajtur për Shqipërinë dhe nuk kam pasur shumë mundësi atje.
Kam dashur të tregoj veten, plus kam pasur shumë adrenalinë në trup. Më tha fizioterapisti që t’i shtrëngoja dorën, por nuk mundesha. Më pas i tha trajneri që duhej të më nxirrte nga loja. I thashë, provoje edhe njëherë.
Kisha shumë adrenalinë në trup dhe ia kam shtrënguar dorën. Pastaj i tha trajnerit që të luaj edhe pak. Ma lidhën dorën, dhe dola në minutën e 88’. Krejt pjesën e dytë luajta me dorë të thyer. Pas ndeshjes shkova në spital, në Zyrih, bëmë kontrollet dhe më thanë të operohesha. Atëherë luaja në Danimarkë dhe e bëra atje operacionin”, – tregoi Shala.