Një “certifikim i shkëlqyer i miqësisë”, një “sinjal konkret”. Me këto fjalë, drejtpërdrejt në profilet e tij sociale, Ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio përshëndeti forcën e shërbimit shëndetësor të 60 infermierëve që arritën nga Shqipëria për të mbështetur Italinë në emergjencën e koronavirusit. Ndihma e dytë e dërguar nga qeveria e Tiranës pas tridhjetë mjekëve dhe infermierëve që mbërritën në Itali në fund të marsit.
“Kjo është një pjesë tjetër e kontingjentit të forcave të bardha shqiptare që kanë ardhur për të na dhënë një dorë”, tha kreu i diplomacisë italiane pasi përshëndeti punonjësit e shëndetit – teksa mbante një maskë me tre ngjyra si flamuri i Italisë- të shoqëruar nga zv/ministri i jashtëm shqiptar. “Janë 60 infermierë që do të shkojnë direkt në rajonin e Marche, autobusët e ushtrisë do t’i çojnë ata direkt në rajonin e Marche në orët e ardhshme: është një rajon i prekur shumë që do të ndihmohet”, tha ai.
“Po i thosha ambasadores shqiptare që nëse do të krahasojmë numrin e infermierëve dhe mjekëve që kanë mbërritur nga Shqipëria me numrin e banorëve të Shqipërisë, ne kemi një proporcion që është sigurisht më i larti në mesin e ndihmave të marra ndër infermierë, mjekë dhe punonjës social-shëndetësor të huaj”.
“Nuk do ia kishim dalë kurrë pa ndihmat nga jashtë dhe është falë këtyre njerëzve që jemi, shpresojmë, duke fituar betejën kundër këtij armiku të padukshëm që është koronavirusi”, përfundoi Di Maio, “Kështu që faleminderit!”