MENU
klinika

Denaj: Disbursimi i fondit nis javën që vjen

Ndihma financiare prej 174 milionë eurosh nga FMN

12.04.2020 - 14:52

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se fondi i mbështetjes prej 174 milionë eurosh, i miratuar nga Bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar do të mund të disbursohet duke nisur nga java që vjen.

Në një prononcim për media, ministrja Denaj bëri të ditur se mbështetja financiare e akorduar nga FMN është aprovuar me një normë interesi prej 4.05 %, për një afat kohor që mund të shkojë deri në 5 vite.

“Jemi ende duke diskutuar termat e fundit financiar, por fondi do të disbursohet në mënyrë të menjëhershme, duke filluar nga java që vjen”, u shpreh Denaj.

Sipas ministres Denaj, fondi i akorduar përmes këtij instrumenti është mbështetje buxhetore që shkon direkt për të mbështetur rritjen e deficitit të projektuar në Aktin Normativ.

Nga ana tjetër, ministrja Denaj bëri të ditur se Komisioni Europian ka angazhuar një instrument të ngjashëm së fundmi, sikurse ai i FMN-së, që është një ndihmë në mënyrë të menjëhershme për shtetet që kanë një afektim në buxhet në raport me deficitin.

“Shuma që ne mendojmë se do të të mbështetemi nga KE gjatë 2020 është 110-170 milionë euro dhe është e disbursuar në dy transhe. Transhi i parë mund të disbursohet brenda muajit korrik dhe transhi i dytë do të jetë gati deri në muajin dhjetor.

Ministrja Denaj deklaroi se mbështetja buxhetore është e nevojshme dhe krijon atë hapësirë të nevojshme buxhetore që lejon rritjen e deficitit, i cili shkoi nga 2.2%, i parashikuar në fillim të vitit në 3.9%.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN