Kryeministri Edi Rama ka hedhur dritë mbi planin e ri të qeverisë për lehtësimin e masave të lëvizjes, dhe që mesa duket do të funksionojë në bazë të qyteteve dhe rasteve me koronavirus që ato kanë.
Rama tha se për qytete si Gjirokastra apo Dibra, masat lehtësuese do të jenë më të mëdha, ndërsa për qytete si Kruja, që aktualisht sot konsiderohet një vatër e rrezikshme e përhapjes së koronavirusit, “nuk do të ketë asnjë lehtësim”.
Po ashtu për Durrësin dhe Tiranënë, lehtësimet në lëvizje do të jenë të moderuara, për shkak të fluksit të madh të popullsisë në këto qytete.
“Ne hyjmë në grupin e vendeve më të suksesshme aktualisht, në dy parametrat kryesorë. Numri i të vdekurve në raport me 1 milion banorë dhe numri i të prekurve në raport me ata në terapi intensive. Masat kanë bërë punën e vetë.
Ne do të hapemi kudo, por jo njësoj. Përshembull në një zonë si Gjirokastra apo Dibra do të kemi më shumë lehtësime, por për një zonë si Kruja asnjë lehtësim. Për një zonë si Tirana apo Durrësi që kanë fluks, mund të kemi lehtësim të moderuar. Kjo qasje do të na garantojë një hapje shumë më të sigurtë dhe me një risk më të ulët.
Kjo qasje do të lehtësojë shumë lëvizjen me këmbë apo me automjet. Brenda disa bashkive ne mund të lehtësojmë shumë lëvizjen për të hequr atë dhimbjen e kokës për banorët e fshatit që duan të shkojnë në qytet, apo për ato familje që lejohet të dalë vetëm një person për të bërë pazarin.
Ky është parimi taktik, i fragmentimit të valës goditëse të armikut. Do ta shpjegojmë dhe argumentojmë në bazë të javës së ardhshme”, tha kryeministri Rama.