MENU
klinika

Një hap larg dhe bota po pret me padurim

Në fillim të vjeshtës do të ketë miliona doza vaksine për Covid-19!

28.04.2020 - 11:24

Vaksina do të jetë gati në shtator. Studiuesit në Universitetin e Oksfordit janë një hap larg nga ajo çfarë bota po pret me padurim.

Shkencëtarët, pjesë e një ekipi ndërkombëtar që po punojnë për vaksinën kundër koronavirusit në universitetin e Mbretërisë së Bashkuar kanë raportuar gjithashtu se miliona doza të vaksinës do të jenë gati për fillimin e vjeshtës nëse efektiviteti dhe siguria e gjetur gjatë testeve të kryera tek majmunët konfirmohet brenda një muaji.

Sipas gazetës italiane’ La Stampa’, një nga ekspertët e grupit të shkencëtarëve tha për ‘New York Times’ që “Nëse imuniteti i konfirmuar te provat mbi majmunët konfirmohet edhe te njerëzit që tashmë po i nënshtrohen vaksinimit nga ana e Oksfordit, atherë mund të themi se kjo është pika e kthesës për njerëzimin.”

Për vaksinën, shkencëtarët nga Universiteti i Oksfordit kanë përdorur teknologji tashmë të testuar edhe më parë me sukses në koronaviruse të tjerë, duke synuar prodhimin e antitrupave dhe rritjen e imunitetit në të gjithë botën duke filluar nga muaji shtator.

Ditët e fundit, miliarderi bashkë-themelues i Microsoft Bill Gates kishte deklaruar gatishmërinë e tij për të marrë përsipër një pjesë të kostove të prodhimit të vaksinës kundër Sars-CoV2 që Universiteti i Oksfordit po teston te njerëzit, duke specifikuar se ai ka kontaktuar autoritetet akademike britanike dhe me kompanitë më të rëndësishme farmaceutike në botë.

Sipas manjatit dhe filantropit amerikan, prodhimi i vaksinës po përparon me shpejtësi dhe se ai ka bindjen se ajo do jap rezultat në krijimin e antitrupave

Italiania Elisa Granato ishte vullnetarja e parë që mori vaksinën e Universitetit të Oksfordit më 23 prill dhe deri tani nuk ka patur efekte anësore.

Bashkë me të u vaksinua edhe kolegu i saj, onkologu Edward O’Neill.

Vaksina nuk përmban Covid-19, por ka vetëm një pjesë të vogël të gjenomit të saj të futur në një virus të ndryshëm dhe jo të dëmshëm.

Kjo parandalon përhapjen e tij, por mund të aktivizojë potencialisht sistemin imunitar dhe kështu të mbrojë kundër koronavirusit.

Universiteti i Oksfordit i nisi testet e para në njerëz për krijimin e një vaksine për koronavirus më datën 24 prill dhe kjo e bën atë të parin qytet në Evropë që nis nga puna për krijimin e një vaksine të studiuar në njerëz.