Më 30 prill në Gjermani do të vendoset nëse kampionati do të vazhdojë ose jo, ku data 9 maj tashmë është përcaktuar. Fjala e fundit i takon Qeverisë së Gjermanisë. Administratori i deleguar i Borussia Dortmund, Hans-Joachim Watzke, ka folur për të ardhmen e Bundesliga-s. Nëse kampionati gjerman nuk do të rifillojë, sipas Watzkes, shumë klube do të falimentonin.
Kjo sepse në Gjermani klubet nuk funksionojnë sipas rregullit anglo-sankson, ku ka pronarë me shumicën e aksioneve ose të gjithë klubin. Sipas administratorit të Dortmund, klubet e Bundesligës dhe ato gjermane të tërësi, do të pësonin kolaps financiar sepse të ardhurat kryesore janë nga biletat dhe të drejtat e transmetimit, pjesa tjetër është e papërfillshme.
Nëse do të luhej të paktën me dyer të mbyllura, do të shpëtohej jo vetëm sezoni, por edhe e ardhmja e klubeve, pasi do të merrnin paratë e së drejtës televizive. Këto të ardhura janë jetike sidomos për klubet e vogla.
Por një zë i fortë ka dalë kundër rifillimit të Bundesligës. Në një intervistë të dhënë për gazetën gjermane Kicker, ish-presidenti i Bayern Munich, Uli Hoeness, ka dhënë mendimin e tij në lidhje me rinisjen e kampionatit. “Nuk është e pranueshme që të humbet edhe një jetë e vetme për një ose dy javë argëtim me futbollin. Askush nuk mund ta marrë përsipër një përgjegjësi të tillë”, – ka deklaruar Hoeness.