Në këtë periudhë të paqartë e të panjohur “koronavirusi”, dilemave e pikëpyetjeve në lidhje me “shkaqet e përhapjes së covid-19”, ”strategjitë e përballimit dhe mundjes së pandemisë” apo “shpjegimet e mundimshme të kurbave të ecurisë së situatës”, po i shtohen dhe dilemat për “botën e nesërme”, për “sfidat, ndryshimet dhe vendimet” që realiteti i ri do shtrojë si zgjidhje apo alternativë për strategjitë dhe vendimet“, mjaft prej të cilave, deri tani konsideroheshin thjesht “hipotetike”.
Në këtë sfidë “post-koronavirus” janë përfshirë mjaft akademikë, politikanë, menaxherë të lartë, bankierë, filozofë e sociologë, etj.. Analizat dhe konkluzionet e tyre kanë filluar të konvergojnë në një pikë : “karantina e zgjatur dhe rreziku afatgjatë i koronavirusit, po detyron dhe do vazhdojë të detyrojë kryetarët e shteteve dhe qeverive, CEO-t e korporatave dhe bizneseve të të gjitha llojeve, bankave dhe kompanive financiare, etj., të marrin vendime me shumë të panjohura dhe me një nivel të lartë risku”. “Një tendencë krejt e ndryshme nga ajo me të cilën jemi familjarizuar deri tani do mbizotërojë perspektivën post-koronavirus”.
Çfarë “ndryshimesh” na presin dhe si duhet të adoptohemi me to? Rreth kësaj pyetje po jepen përgjigjet e para dhe po ndërtohen skenarët e të ardhmes.
Tregu i punës dhe punësimi
Si pritet të ndryshojnë organizimi i punës dhe punësimi i punonjësve? Një nga “mësimet” më të mëdha të krizës së koronavirusit është pa dyshim “rëndësia dhe eficenca e teleworking, të punuarit online, si një zgjidhje optimale, jo thjesht të imponuar nga karantina sanitare, por mbi të gjitha si zbulim i trajektores së punësimit në të ardhmen”.
Studiuesit e “sjelljes së tregjeve të punës” kanë arritur në konkluzionin se teleworking do të zëvendësojë një pjesë të konsiderueshme të punës në zyrë apo në poste fikse në biznese të ndryshme. Pritet që në muajt dhe vitet në vazhdim, mjaft biznese e sipërmarrje të të gjitha llojeve, të reduktojnë ndjeshëm personelin dhe zyrat e tyre në emër të teleworking “nga shtëpia”. Kjo konsiderohet një formë efiçente pune nga e cila do të përfitojnë si punonjësit ashtu dhe sipërmarrjet.
Një tendencë e tillë vlerësohet të ketë avantazhe të mëdha: zvogëlon kostot dhe kohën e transportit ditor vajtje-ardhje në punë të punonjësve; ul kostot administrative burokratike të sipërmarrjeve; ul kostot e burimeve njerëzore; krijon mundësi për rekrutime më cilësore të punonjësve; zgjeron mundësitë e rekrutimit të punonjësve të talentuar e profesionistë jashtë qytetit apo shtetit; ndihmon në ulje të ndjeshme të ndotjes duke reduktuar dioksidin e karbonit në ajër; çliron ndjeshëm transportin, sidomos në qytetet e mëdha dhe qendrat industriale; krijon fleksibilitet më të madh për oraret e punës dhe ndihmon në cilësinë e jetës së punonjësve; etj. Vlerësohet se në 5 apo 10 vitet e ardhshme, rreth 30-40% e të punësuarve në administratën publike apo në gjithë llojet e bizneseve të jenë në statusin e teleworking.
Digjitalizimi masiv
Digjitalizimi masiv i aktivitetit ekonomik, financiar, shërbimeve, arsimit, shkencës, etj., pritet të jetë çelësi i suksesit në të ardhmen. Institucionet publike, sipërmarrjet, bankat, tregjet financiare, tregtia, marketingu dhe shërbimet, shkollat dhe universitetet, shërbimet mjekësore apo telemjekësia, media, kërkimi shkencor, konferencat kombëtare e ndërkombëtare, etj., do orientohen gjithnjë e më shumë drejt “funksionimit dixhital”. Këto struktura duhet të disponojnë e pajisen me infrastruktura dixhitale moderne e solide duke shtuar ndjeshëm investimet në këtë drejtim.
Të vonuarit e sotëm në këtë proces digjitalizimi masiv do jenë të humburit e mëdhenj të së nesërmes. Shekulli i XXI-të filloi si “epoka e ekonomisë dhe shoqërisë digjitale”, si epoka e “revolucionit 4.0”, por kriza e koronavirusit e nxori në plan të parë dhe çështje të ditës funksionimin dixhital. “Ekonomia dhe shoqëria digjitale”, inteligjencës artificiale,teknologjive haut game, robotikës dhe start-up, apo siç po quhet tashmë “Epoka e kapitalizmit digjital”, duket se ka filluar me shpejtësi të madhe. Tashmë, smart city, smart village, smart territory, etj., do jenë pjesë e jetës së përditshme.
P.sh., në sektorin financiar dhe bankar, pritet një përshpejtim i digjitalizimit të gjithë llojeve të shërbimeve të ofruara deri tani. Zgjerimi i jashtëzakonshëm dhe lehtësitë e përdorimit të internetit, veçanërisht “mobil data terminal” apo “mobil digital computer” si smartfonët, tabletat elektronike, laptop-ët etj., do krijojnë sjellje dhe zakone të reja konsumi. Pasojat e revolucionit digjital në sektorin bankar do stimulojnë modele dhe perspektiva të reja të panjohura më parë.
Neobankat janë shembulli më i fundit i zhvillimeve të pritshme. Roli i tyre pritet të jetë thelbësor : “në të ardhmen, bankat tradicionale do kenë vështirësi t’u mbijetojnë zhvillimeve teknologjike duke u zëvendësuar nga bankat e mbështetura krejtësisht në teknologjitë digjitale”; “bankat mund të mbijetojnë dhe të vazhdojnë të jenë aktorët bazë të shërbimeve financiare, por roli i tyre do bëhet më pak i dukshëm, duke u shndërruar thjesht në ofrues shërbimesh.
Ato do t’i vënë njohuritë dhe eksperiencën e tyre në shërbim të fintech-s apo gjigantëve të internetit që do mbajnë lidhjet direkte me konsumatorët finalë”; Bankat e të ardhmes nuk do jenë më “banka kujdestare apo prindërore” në të cilat klientët duhet të kalojnë patjetër për të marrë një Po ose Jo për veprimet e tyre bankare, por do të jenë gjithnjë e më shumë të orientuara drejt “modelit bionik”, d.m.th. një përzierje ndërmjet teknologjive numerike dhe kontakteve njerëzore, duke u adaptuar kështu me revolucionin digjital që po e përfshin dhe njëkohësisht sfidon tërësisht sistemin bankar.
Globalizimi
Globalizimi do të përballet me një tendencë të fortë drejt glokalizimit. Analiza të shumta ekonomiko-financiare dhe sociale po e “shpallin” “Globalizimin” si një nga fenomenet globale që, edhe nëse nuk ishte shkaku kryesor i krizës së koronavirusit, mund të konsiderohet si “përshpejtues” i saj. “Prishja e zinxhirëve ndërkombëtarë të prodhimit, furnizimit dhe tregjeve” pritet të ndryshojë arkitekturën dhe nocionet bazë të globalizimit duke na futur në një fazë të re. Eshtë e parakohshme të mendohet se “globalizmit i erdhi fundi”, se “globalizimi është fajtori kryesor i krizës”.
Por, zëra të shumtë studiuesish e politikanësh kanë filluar të shohin “pak më përtej se modeli aktual i globalizimit”, duke evidentuar faktin, se “në të ardhmen pritet të forcohet ndjeshëm tendencat drejt glokalizimit”. Glokalizimi – term që e ka origjinën nga koncepti japonez Dochakuka, që nënkupton teknikat e kultivimit të tokës duke u adoptuar me kushtet lokale, i përpunuar shkencërisht nga sociologu Z.Bauman si një “fazë e re e bazuar në zhvillimin lokal”–po mendohet si një variant alternativ me globalizimin e sotëm.
Pyetjeve që kanë të bëjnë me “rrezikshmërinë që paraqet globalizimi ekstrem i kohës sotme” në lidhje me tregjet financiare, prodhimin dhe sigurimin e ushqimeve, industrinë farmaceutike e shëndetësore, industrinë e automobilave, energjinë, markat dhe patentat, industrinë informatike, industria e turizmit dhe shërbimeve, etj., po tentohet tu jepet përgjigje e rrugëzgjidhje te “vendi shumë më i madh që pritet të gjejë glokalizimi në vitet e ardhshme.
Tendenca drejt një nacionalizimi më të madh të zinxhirëve të prodhimit, furnizimit dhe tregjeve në emër të pavarësisë nga të tjerët dhe globalizmit ekstrem, do të jetë prezente në dekadën apo dekadat e ardhshme. Vlerësohet, se shumë vende, veçanërisht ato të zhvilluara do fillojnë t’i ridimensionojnë politikat e tyre ekonomike, financiare e zhvilluese në emër të glokalizimit.
Tendencat që priten të marrin jetë do kenë të bëjnë me zvogëlimin e procesit të delokalizimit, në bazë të të cilit, në emër të krahut të lirë të punës dhe fitimit maksimal, shumë uzina e fabrika u zhvendosën në Kinë, në vende të tjera të varfëria apo në zhvillim. Në vendet e zhvilluara perëndimore, por dhe më gjerë akoma, po flitet gjithnjë e më shpesh për një proces “ri-industrializimi dhe rikthimi të kapitaleve të investuara jashtë” në vendet e origjinës, për një “rinacionalizim të hapësirës ekonomike”.
Ky proces justifikohet në emër të rritjes së sigurisë kombëtare, rikthimit në ekonominë reale duke mos u përqendruar vetëm tek shërbimet, rritjen e punësimit, rritjen e të ardhurave dhe mundësive më të mira për të mbajtur në këmbë modelin social, shtimin e vlerës së produkteve lokale, etj. Një filozofi e tillë “transformuese e globalizimit” do prekë shumë nga tiparet dhe tendencat e deritashme në strategjitë e financimeve, IHD, organizimin e tregjeve, zinxhirin e prodhimeve, etj. “Butterfly defect” i globalizimit pritet të korrigjohet në emër të reduktimit të rreziqeve sistemike, të cilat sa vinë e bëhem më të rrezikshme.
Teknologjia
Teknollogjitë e reja si “aleatë” në luftë kundër rrezikut të pandemive. Lufta dhe përpjekjet e jashtëzakonshme për të mundur pandeminë e Covid-19, tashmë të përhapur në mbi 120 vende të botës, po kërkon bashkimin në një front të vetëm të gjithë “aleatëve” të mundshëm. Eksperiencat e këtyre muajve përpjekjesh të jashtëzakonshme për të trimfuar mbi koronavirusin, po dëshmojnë se teknologjitë e reja, inovacionet, start-up, inteligjenca artificiale, big-data, robotika, superkompjuterat, etj, po japin një ndihmë të jashtëzakonshme në këtë luftë. Që prej shfaqjes së parë të koronavirusit dhe përhapjes së tij nëpër botë, vendet që po merren si shembull suksesi në kontrollin dhe luftimin e pandemisë, po mbështeten në “ekspertizën teknollogjike” si një nga “armët” më efiçente për fitimin e luftës.
Zhvillimet marramendëse, vecanërisht të dy dekadave të fundit, në perspektivën “high-tech”, po orientohen edhe në sferën shëndetësore duke dalë në vijën e parë të frontit anti-koronavirus. Liderët botërorë të teknologjisë si Microsoft, Intel, Google, Facebook, Cisco, Apple, IBM, Alibaba, Baidu, Huawei, etj., po bashkëpunojnë ngushtë me mjekët dhe spitalet, me laboratorët dhe qendrat e kërkimit mjekësor, me universitetet dhe institutet e specializuara, me qendrat e mëdha të prodhimit të ilaçeve e vaksinave, etj., me synimin që “shkenca dhe teknologjia të kthehet në një medikament të fuqishëm shërues, diagnostikues e parandalues” kundra pandemisë aktuale të Covid-19. Disa nga shembujt e shërbimit që po i bëjnë shëndetit publik teknologjitë e reja, inteligjenca artificiale, big-data, etj., dhe mënyrat se si po përdoren ato, tashmë po kthehen në “receta” shumë të rekomanduara për gjithë vendet që janë të përfshira në këtë luftë, por edhe si receta “të së ardhmes” për të përballuar çdo lloj pandemie apo krize ekonomike e sociale që lidhen me të.
Vendimmarrja
Vendimmarrja do kalojë nga “paradigma parashikuese” drejt vendimeve në kushtet e “surprizës”, “riskut të lartë” dhe “paqartësisë”. Vendimet aktuale në luftën ndaj koronaviruesit kanë një dozë të lartë “paqartësie”, janë objekt i debateve e polemikave të shumta mbi vlefshmërinë dhe efektshmërinë e tyre. Në situata të tilla, paradigma e “efekteve të parashikuara” nuk ka vlerë. Paqartësia po bëhet fjala çelës e marrjes së vendimeve. Duhet të mësohemi me këtë nocion të ri. Koncepti i Nassim Taleb i “mjelmës së zezë” do bëhet më prezent në evolucionin e shoqërisë sonë. “Mjelma e zezë” po shfaqet më shpesh në jetën tonë të përditshme, natyrisht në sensin e gjërave të njohura e ato “surprizë”, në gjërat që deri tani i kemi quajtur si “probabilisht të pamundshme”.
Mesa duket këtij iluzioni i ka ardhur fundi. “Surprizat” po shfaqen çdo ditë e më tepër si “një mënyrë të menduari dhe vepruari që shoqëria privilegjon, ose më saktë, që ka privilegjuar deri tani, ndërkohë që efektet katastrofike të surprizave po bëhen më evidente”. Në botën e ardhme, çdo njeri, veçanërisht vendimmarrësit e rëndësishëm në sferat politike, ekonomike, financiare, shoqërore, kulturore, shkencore, etj., duhet të pajisen më shumë me nocionin e “kulturës së paqartësisë” dhe “probabilitetit të ulët të ndodhjes” në vendimmarrjet e tyre. Koha “tradicionale” e riskut të menaxhueshëm duket se po shkon drejt fundit. Sfida jonë në vitet në vazhdim duket se do të jetë “aftësia parashikuese dhe vepruese në kushtet e paqartësisë”.