MENU
klinika

Pas mbledhjes së sotme

Nuk ka tym të bardhë për rifillimin e Serie A

22.04.2020 - 15:02

Nuk ka tym të bardhë në Itali për rifillimin e futbollit. Pas mbledhjes mes Ministrit të Sportit, Vincenzo Spadafora, dhe organeve më të larta të futbollit italian me temën e rifillimit të stërvitjes dhe kampionateve, nuk ka ende një datë kur ekipet e futbollit do të zbresin në fushë, të paktën për stërvitje.

“Kam dëgjuar me vëmendje të madhe qëndrimet e ndryshme. Në ditët e ardhshme do të flas me Ministrin e Shëndetësisë dhe komitetin tekniko-shkencor dhe do të marrim një vendim,” – u shpreh Spadafora pas mbledhjes së fundit.

Në takim morën pjesë presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, kryetarët e tre ligave, presidenti i shoqatës së futbollistëve, Damiano Tommasi, kryetari i shoqatës së arbitrave dhe ai i trajnerëve, si dhe Presidenti i Federatës së Mjekësisë Sportive dhe Presidenti i Komisionit Shkencor Shkencor.

Klubet kanë bërë kërkesë që të nisin stërvitjet në siguri të plotë. Kërkesa që shkojnë nga ato thjesht sanitare, deri tek ato rregullatore, siguri në lidhje me zgjatjen e kontratave, efekte ligjore në një ndalesë tjetër pas rikuperimit, heqja dorë nga pagat mujore, qartësia në dritaren tjetër të merkatos e të tjera.

Pa harruar aspekte të tilla, si detyrimi eventual i karantinës i të gjithë ekipit në rast të një lojtari të infektuar, zgjedhja e vendeve të ndeshjes ose pasojat e ndonjë bllokimi rajonal. Gjithsesi, ministri i sportit të Italisë do të marrë mendimin e ekspertëve kryesisht të shëndetësisë për të vendosur më pas nëse duhet duhet të fillojë të luhet futboll dhe nëse po, të caktojë një datë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN