UEFA insiston që të çojë përpara sezonin futbollistik, si sa u përket ligave kombëtare, ashtu edhe kupave europiane. Këtë po e bën kundër udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila pak ditë më parë i ka kërkuar asaj që të dekretojë mbylljen e çdo aktiviteti futbollistik në Europë deri në vitin 2021.
Sipas mediave braziliane, një video-konferencë mes drejtuesve të lartë të UEFA-s, përfaqësuesve të disa klubeve të rëndësishme dhe zyrtarëve të OBSH, është kthyer në një debat me tone të larta. Dy nga ekspertët e OBSH kanë bërë parashikimet e tyre se rreziku i infektimit gjatë kthimit të ndeshjeve në muajt në vijim ishte shumë i lartë dhe se për këtë arsye, do të ishte më mirë që në vitin 2020 të mos kishte ndeshje.
Ky propozim është hedhur menjëherë poshtë nga pala europiane, që ka refuzuar kategorikisht duke bërë të qartë se industria e futbollit në kontinent do të humbiste mbi 4 miliardë euro, me pasoja të parikuperueshme.
Eksperti tjetër i OBSH-së shpjegoi se, në rast infeksioni të një tifozi, shitja e të gjitha aseteve të klubeve nuk do të mjaftonte për shumat që duhej të paguanin për zhdëmtimet financiare që duhej të bënin pasi kishin vënë në rrezik jetën e njerëzve.
Në fund, OBSH dhe UEFA e mbyllën këtë bisedë në llogore krejtësisht të kundërta. UEFA nuk e ka me detyrim që të pranojë udhëzimet apo sugjerimet e OBSH-së, ndaj ka vazhduar të diskutojë me federatat për mbylljen e kampionateve në fushë.