OBSH njoftoi se kontinenti i vjetër, i cili numëron mbi 680 mijë raste dhe rreth 60 mijë viktima, është epiqendra e pandemisë dhe për këtë arsye nuk është ende koha për të lehtësuar masat, përkundrazi t’i dyfishojë dhe trefishojë.
“Europa është tashmë epiqendra e pandemisë së koronavirusit”, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë, në konferencën e radhës lidhur me emergjencën globale.
“Pavarësisht sinjaleve pozitive që vijnë nga disa vende, nuk është momenti të lehtësojmë masat”, tha drejtori rajonal i OBSH për Europën, Hans Kluge. Ai shtoi se disa vende po tregojnë shenja të uljes së rasteve të reja, por të tjera presin dyfishim të tyre, ose shpërthim të ri të pandemisë.
Kluge pohoi se në Itali, vihet re një ngadalësim i rëndësishëm i kurbës së infektimeve.
Ndërkohë, Komisioni Evropian zgjat ndalimin e udhëtimeve jo të domosdoshme nga vendet e tjera në vendet anëtare të BE deri në mes të muajit maj, për shkak të koronavirusit. KE u ka kërkuar vendeve anëtare të zgjasin ndalimin e udhëtimit deri më 15 maj, njoftoi Brukseli.