MENU
klinika

Nga Pëllumb Kulla

Për ca bukë me gjalpë (dhe për ca komentatorë buzë hollë)

08.04.2020 - 11:34

Lum ata, të cilëve nuk u njihet jeta publike! Sa e bukur, sa e qetë është paemërsia, errësira, gojëmbyllja! Dhe kur gjenden ca autorë që nuk kanë, asgjë për t’u sharë, asgjë që t’i bëjë të skuqen, atëherë të paemrat kanë plot forma përgjithësuese, shpifëse, dhe vetëm një stërmundim i madh ua mban dorën që të mos urdhërojnë copë “Mjaft! Mos shkruaj më! Jo se ke bërë gabime drejtshkrimore, jo se kjo që thua nuk është e vërtetë, por sepse unë, dhe soji im, nuk duam të shkruash!”

Ja, një i paemër i tillë, – unë po e quaj Stefan, – m’u shfaq mua edhe në fejsbuk, kur ripublikova një nga tregimet e mi më të njohur e më të pëlqyer.
Tregimi fliste për një film. I paemri Stefan e mori shtysën vetëm nga fjala “film” dhe nisi të më zbrazej:
“Po sa shumë filma të tjerë kini bërë në kohë të Enverit, me të tallur e dënuar armikun e klasës! Në sa filma kini shkruar ngjarje të stisura për heroin pozitiv, duke na helmuar me ideollogjinë komuniste?”

E kuptoni të dashur lexues? Ju e dini që unë, i nënshkruari, një profesionist modest i skenës së komedisë, më duhet t’i jap llogari këtij Stefani, siç i kërkohej llogari kryetarit Lidhjes së Shkrimtarëve!

“Sa herë keni shkruar,” vazhdonte Stefoja, “dhe keni vënë në skenë pjesë, ku na mbushnit mendjen se ne, shqiptarët, ishim njerzit më të lumtur në botë?

“Dhe ti e hëngre, o t’u mbylltë?!” nuk m’u ndenj mua. “T’u mbush mendja, o Stefo?!”
Stefani po më kërkon llogari, jo për veten time, por për tërë sojin e shkrimtarëve! Stefani nga ne e paskësh marrë vesh, se ishte njeriu më i lumtur në botë! Ai vetë nuk kuptonte dot, nëse ishte apo jo i lumtur! Dhe priti deri sa ia mbushën mendjen shkrimtarët!

“Ti dhe shokët e tu na dhatë opiumin dhe ne ndenjëm 50 vjet në gjumë deri sa ardhi viti 1990!”

“Ca si ty duket që nuk janë zgjuar akoma, Stefan. Ne po ju tundim të zgjoheni, po aha! Ai “opiumi” i xhaxha Marksit paska bërë punën e tij! Po mirë, or i helmuar i shtrenjtë, në cilën pjesë, a cilën vepër, të kam thënë unë, helmatari, që zotrote ishe njeriu më i lumtur në botë?”

Këtu Stefani nuk përgjigjet dhe kërcen në një degë tjetër:
“Atëhere shkruaje kundër armiqve të klasës, tani shkruan kundër komunistëve. Të bëjnë të fala ballistët!”

“Ballistët, duhet ta kesh vënë re, Stefkë, unë ende po vazhdoj t’i shaj. Gjatë erës komuniste nuk shkrova dot kundër komunistëve, ngaqë e kisha shtëpinë përballë burgut dhe nuk desha të banoja përballë shtëpisë. Sado i helmuar të jesh, lodhu ca dhe më gjej ndonjë dëshmi!”

“Ja të t’a kujtoj: Gjyshi i thotë: kur kam qënë unë i vogël, para çlirimit, ne nuk kishim bukë të hanim. Dhe fëmija e pyet: po kur nuk paskeni patur bukë, gjalpin ku e shtronit? Eshtë skeç i estradës të Fierit, ku ishe regjizor.”
“Tjetër? Vetëm këtë paske peshkuar?!” “Kjo është mjaft!” M’i shpushpurisi nervat Stefani. Njeri jam edhe unë!

“Po çfarë dreq mjafti! Për kaq pak opium paske rënë në gjumë ti?! Ajo cironka që ke peshkuar, ishte një dialog fort i bukur, me një fëmijë që zbulon botën… Që një personazh plak të thotë “nuk kishim bukë të hanim” mund të ketë qenë vërtet i varfër, në një kohë më të thellë se socializmi, por kjo nuk nënkupton “ne në socializëm jemi më të lumturit në botë!” siç qahesh zotrote, për helmim aty më lart.

“Nuk kishim bukë” është një frazë që bile nuk shan as Latmadhërinë e Tij Zogun dhe as lavdëron këtë Lartmadhërinë tjetër, Enverin. Ti do të kesh qënë i lodhur se me kaq pakëz opium, nuk bie njeriu në gjumë deri në 1990!”
“Sot nuk keni të drejtë të talleni, apo të bëni humor me periudhën e socializmit, sepse atë periudhë ju e kini lavdëruar dhe trumbetuar dhe e kini stolisur me të gjitha mënyrat më të mundëshme që të jep letërsija dhe arti” më gradon përsëri kryetar të shkrimtarëve. “Dhe këto i bëje sepse duhej të dukeshe më komunist se komunistët, për shkaqe biografije.”

“Më zbrite përsëri nga posti që sapo më dhe… E vërtetë, Stefan, për atë arsye e bëja! Po ti nuk bën mirë që ma zbulon në publik. Po të mos ishe kaq i goditur nga ai opiumi që zumë në gojë, do të mund të kujtoheshe vetë, a ndoshta të ta thosh ndonjë shok që merr vesh, se në gjinitë e satirës, me të cilën u mora unë, (për të fshehur biografinë – de!), nuk të kërkokshin, bile as të lejokshin të shkruaje fraza si “nuk ka më të lumtur se Stefani në këtë hise të rruzullit!”
Kaq mllef për ca bukë me gjalpë!

18 gusht 2015