Nga Adrian Wooldridge
Më e rëndësishmja në ndryshimin që zakonet kanë pësuar në dekadat e fundit është vdekja e distancës: jo vetëm distanca gjeografike, falë internetit, por edhe distanca sociale. Zyrat me ndarje për secilin punonjës ua lanë vendin atyre të hapura dhe restorantet filluan t’u kërkojnë klientëve të tyre të ndajnë tryezën me fqinjët. Dhënia e dorës u shndërrua në përqafim. Puthjet në faqe u bënë universale. Edhe famullitarët e kishës anglikane – të cilët dikur mburreshin me ngurtësinë e buzëve – inkurajuan priftërinjtë e tyre (zakonisht të moshuar) të përqafonin njëri-tjetrin.
Falë Covid-19 u kemi thënë lamtumirë të gjitha këtyre: normat shoqërore që janë formuar përgjatë një brezi u shpërbënë për t’u rishkruar në një çast. Nëse duhet të shkojmë në mbledhje, na këshillojnë të mos prekim njëri-tjetrin; nëse shkojmë në restorante ose bare, na është thënë që të ulemi ose të qëndrojmë gjashtë deri në dhjetë metra larg të huajve. Ne i nisim dhe i mbarojmë takimet duke larë duart, sikur po pastrohemi nga bashkëbiseduesit tanë.
Ky ndryshim i papritur i rregullave të mirësjelljes po gjeneron kërkesën për këshilla mbi etikën sociale shumë përtej përshëndetjes dhe lamtumirës: ne na duhet një mjeshtër i ri i mirësjelljes për epokën e maskave të fytyrës dhe përjashtimit social. Cila është mënyra më e mirë për t’u thënë njerëzve në radhë te supermarketi të qëndrojnë pak më larg? Nëse duhet të merrni një taksi, a është e arsyeshme të pastroni dorezën ose derën e makinës me një higjienizues? Ndërsa ndërveprimi social është zhvendosur online, ne përballemi gjithashtu me pyetje në lidhje me sjelljet virtuale. Nëse nuk mund të shohësh atë që nuk e ka mendjen dhe flet nëpër dhëmbë në mbledhje virtuale, si mund ta ndërpresësh? Si e zhvendosni bisedën virtuale nga një temë në tjetrën?
T’u japësh fund gjithë përqafimeve dhe puthjeve nuk është gjë e keqe për disa prej nesh. Por shtrëngimi i dorës ka qenë zakon për shekuj me radhë për një arsye të fortë. Në kohë më barbare, njerëzit nxirrnin dorën për të përshëndetur tjetrin si provë se nuk po mbanin armë që mund ta përdornin nëse biseda nuk do të shkonte shumë mirë. Sot ajo shërben për qëllime më të hollësishme: si zbutja e asaj atmosferës së akullt kur takon për herë të parë një të huaj, forca e shtrëngimit dhe kohëzgjatja gjithashtu siguron një mënyrë shtesë për t’i gjykuar ata.
Si krijesa me ritual shoqëror, ne po improvizojmë shpejt përshëndetjet e reja me mbrojtje ndaj virusit (madje edhe puthja në ajër konsiderohet shumë intime). Prekja në krah është një përshëndetje e re që u shfaq fillimisht në javën e modës në Paris. Qytetarët e Vuhanit, qyteti në Kinën qendrore, ku filloi epidemia, shpikën diçka që e quajtën përshëndetje Vuhan – një takim i këmbëve, praktikisht kontakti i këpucës tuaj me atë të tjetrit. Për dallim nga virusi, kjo nuk duket se ka udhëtuar shumë përtej Kinës (kinezët gjithashtu kanë një modë të re: vizatimin e kufijve brenda ashensorit, që tregojnë ku të qëndroni për të mbajtur distancën nga të tjerët). Një zgjidhje tjetër është takimi i bërrylave, e bërë popullore për herë të parë në fund të viteve 1960, në Havai, zonë e cila ka përjetuar rikthimin periodik të epidemive, veçanërisht asaj të ebolës në vitin 2014. Megjithëse edhe “xhaketat e vjetra” të Parlamentit britanik tani mund të shihen përshëndetur në këtë mënyrë, unë dyshoj se ajo do të zgjasë: nuk të jep kurrë atë informacion që ti mund të marrësh nga një shtrëngim dore.
Heqja e kapelës ka qenë një përshëndetje e shkëlqyeshme për një epokë kur më shumë njerëz i mbanin. Megjithëse gazetat aktualisht janë plot metafora për luftimin e virusit, përshëndetja e njerëzve duket se është jashtë kohës tonë. Ka shumë debate për kthimin në të kaluarën, ringjalljen e kortezisë dhe sa e papërshtatshme është sot përkulja që bëhej dikur. Në vend që të kërkojmë histori, duhet të kërkojmë frymëzim nga vendet e tjera. Përshëndetja tipike indiane namaste është praktikisht bashkimi i pëllëmbëve para fytyrës, në një kohë që përkulesh pak. Një ulje e lehtë e kokës, një gjest delikat me duar, një buzëqeshje e këndshme – a ka mënyrë më elegante për të përshëndetur një bartës të mundshëm të virusit? Si princi Çarls dhe Emmanuel Makron kanë dëshmuar se janë ambasadorë të fuqishëm të namaste-së.
Pyetja është nëse kodet e reja do të zgjasin përtej krizës aktuale, ose, kur përfundimisht Covid-19 të jetë zbutur, qoftë nga imuniteti i tufës, qoftë nga një mrekulli shkencore, a do t’u rikthehemi përqafimeve dhe puthjeve? Basti im është për të ardhmen e distancës sociale dhe fundin e higjienës së pamjaftueshme. Njerëzit ishin lodhur me uljen në restorante ngjitur me njëri-tjetrin, saqë po zgjidhnin klube të shtrenjta që ofrojnë më shumë distancë midis tryezave, ose mund të adoptojnë teknika të zgjuara si Larry David, i cili, në serinë e fundit të “Ule entuziazmin”, mban një kapelë “Make America Great Again” për të penguar njerëzit të ulen pranë tij (për momentin një kollë e thjeshtë do të bëjë të njëjtën punë). Shumë punonjësve u ka ardhur në majë të hundës nga zyrat e mëdha të hapura, saqë kishin shpikur disa teknika të dëshpëruara, të tilla si mbajtja e kufjeve gjigante në çdo kohë, ose ulja në karriget e korridoreve të zyrave.
Ne e dimë se me kalimin e kohës, ritualet shoqërore ndryshojnë përtej njohjes. Kur Erasmus mbërriti për herë të parë në Angli nga Parisi në 1499, ai u mahnit kur pa se sa dashamirës ishin anglezët që putheshin me njëri-tjetrin në dallim nga francezët e matur. “Kur mbërrin, të mbulojnë me puthje“, tha ai, “dhe kur të jesh duke ikur të puthin sërish“. Ngado të kthehesh, “bota është plot puthje“. Moda e puthjes nuk u rishfaq për disa shekuj, dhe deri në shekullin e XIX britanikët nuk e shfaqnin në publik afeksionin, saqë ata kishin fituar një reputacion si njerëzit më të ftohtë në botë.
Tani po fillon një revolucion tjetër: puthjet dhe përqafimet së shpejti duket jo vetëm të dala mode, por edhe të pështira. Njerëzit do të krenohen me mbajtjen e një distance të caktuar nga njerëzit e tjerë jo vetëm sepse duan të shmangin marrjen e ndonjë virusi – por sepse është gjëja e duhur dhe e civilizuar që duhet bërë. / Revista 1843 / Përgatiti: Gazmira Sokoli /