MENU
klinika

Analiza izraelite

Pse Covid-19 nuk u transmetua nga lakuriqët?

28.04.2020 - 09:48

Nga Yossi Yovel, Maya Weinberg – Departamenti i Zoologjisë në Universitetin e Tel Avivit
Le ta nisim nga çështja më e debatuar: Nuk na e sollën lakuriqët e natës koronavirusin e fundit. As edhe kushërinjtë famëkeq të koronavirusit, Sars-1 apo MERS apo edhe virusi i Ebolas nuk transmetohen nga lakuriqi te njeriu.

Çfarë ka ndodhur pra?

Një i afërm i largët i koronavirusit të tanishëm, SARS-CoV-2, u izolua në një lakuriq në Kinë. Analizat gjenetike që kërkonin ngjashmëri mes virusit në lakuriq dhe SARS-CoV-2, faktorizuar në ritmin teorik sipas të cilit viruset pësojnë mutacione, vlerësonin se të dy viruset janë ndarë dikur mes 5-50 vjet më parë. Me fjalë të tjera, një mundësi është që rreth pesë vjet më parë, koronavirusi i lakuriqit ia doli të infektojë disa kafshë të tjera – nuk e dimë ende se cilën.
Në atë kafshë tjetër, koronavirusi jetoi dhe pësoi transformime gjatë atyre pesë vjetëve dhe një ditë infektoi një njeri për herë të parë. Ka edhe hipoteza të tjera po ashtu. Shkenca nuk e di ende se ku koronavirusi zuri pusinë në pritje për pesë vjet, apo se kur u bë i rrezikshëm për njerëzit, apo se kur u infektua njeriu i parë, as edhe se cila kafshë e infektoi njeriun e parë. E vetmja gjë që shkenca di me siguri është fakti se koronavirusi i izoluar nga lakuriqi kinez nuk mundet të ketë infektuar njerëzit dhe nuk është i rrezikshëm për ta.

Ky fakt u publikua dy muaj më parë, bazuar në sekuencat genetike të lakuriqit dhe viruseve të marra nga njeriu. Kjo është po ashtu e vërtetë në rastet e SARS, MERS dhe Ebola – pavarësisht përpjekjeve të përsëritura për të lokalizuar këto viruse në lakuriqë, të gjitha kërkimet gjetën viruse shumë të ngjashëm, apo të dhëna për një ekspozim të mëparshëm që nuk do të thotë se ata bartnin virusin vazhdimisht dhe sigurisht jo që ia kalonin atë njerëzve, pavarësisht raportimeve që u shfaqën në shtypin gjeneralist.

Lakuriqët e ardhur nga Ferri

Pse lakuriqët e natës stigamtizohen kaq shumë nga shtypi në lidhje me viruset? Në vitet e fundit përherë e më shumë ka patur deklarime të vendosura sipas të cilave lakuriqët bartin viruse me origjinë shtazore, që mund të infektojnë njerëzit. Por ka shkencëtarë seriozë që nuk bien dakord me këtë dhe argumentojnë se lakuriqët nuk kanë ndryshim nga gjitarët e tjerë sa i përket numrit të viruseve zoonotike që bartin, sigurisht kjo nëse konsiderohet numri i madh i specieve në familjen e lakuriqëve. Rreth 1/5 e gjitarëve në botë janë lakuriqë.
Ka disa karakteristika të lakuriqëve që i bëjnë ata të “dyshuar” kur vjen puna te viruset. Aftësia e tyre për të fluturuar, prania e tyre në të gjitha pjesët e botës, kolonitë e mëdha të tyre dhe tufat në të cilat jetojnë; jetëgjatësia e tyre dhe afërsia me njerëzit, të gjitha këto i bëjnë ata në pamje të parë të përshtatshëm për transmetimin e sëmundjeve.

Fakti se ata janë gjitarë i rrit mundësitë që ata të jenë transmetuesit. Kjo është arsyeja pse kërkimi për viruse të rinj në lakuriqët ka nxitur entuziazmin e kërkuesve dhe sa më thellë kërkimi, aq më të mëdha janë gjasat se diçka do të gjendet. Më tej akoma, gjetje të shumta në kohë tregojnë se sistemi imunitar i lakuriqëve është unik mes gjitarëve dhe i aftësuar në luftën kundër viruseve. Ky sistem imunitar i aftëson lakuriqët në përballjen e viruseve, përfshirë ata vdekjeprurës përmes përgjigjeve inflamuese deri diku agresive që çojnë drejt imunitetit. Si rezultat, shumë studime gjejnë antitrupa te lakuriqët – provë kjo se ata i janë ekspozuar viruseve – por pa gjetur vetë virusin.
Pa vetë virusin e gjallë, lakuriqi nuk mund të jetë një bartës dhe sigurisht nuk mund të jetë një transmetues. Kjo do të thotë se lidhja e rëndësishme në zinxhirin zoonotik të transmetimit te njerëzit mungon sërish.

Të hash një lakuriq që është sëmurë mund të të infektojë, njësoj sikur ha një kafshë tjetër të sëmurë dhe kjo gjë nuk rekomandohet. Si rregull, që të reduktosh shansin e transmetimit zoonotik të viruseve nga lakuriqët apo çdo kafshë tjeër, më e mira do të ishte që t’i hash ata rrallë dhe në përgjithësi të minimizosh kontaktet me ta; t’i lejosh të jetojnë në mjedisin e tyre natyral dhe duke mos vazhduar me invadimin e habitateve të tyre.

Eshtë interesante të vihet në dukje se sistemi imunitar i jashtëzakonshëm i lakuriqëve me gjasë është zhvilluar për të mbështetur mënyrën e pazakontë të jetës së tyre. Lakuriqët jetojnë më gjatë se thuajse të gjithë gjitarët. Në vitin 2006 një lakuriq Brandt(Myotis brandtii) që peshonte vetëm 7 gram dhe me përmasën e një gishti njerëzor u rikap pasi ishte shenjuar nga shkencëtarët në Siberi 41 vjet më parë. Një mi i përmasave të tilla nuk do të mund të jetonte më shumë se dy vjet. Një jetëgjatësi e tillë ekstreme kërkon një sistem imunitar optimal.

Aftësia fluturuese e lakuriqëve, unike mes gjitarëve, duket të ketë kontribuuar po ashtu në zhvillimin e sistemit të tij imunitar. Në studimet tona kemi gjetur se lakuriqë të vegjël që peshojnë jo më shumë sesa 30 gramë mund të fluturojnë për një distancë 250 km në një natë. Energjia që duhet dhe përshpejtimi metabolik gjatë fluturimit shoqërohen nga dëmtime me natyrë oksiduese, që kërkon një sistem imunitar të përshtatshëm. Disa besojnë se është kjo arsyeja pse lakuriqët e natës zhvillojnë shumë rrallë kancer.

Shtuar kësaj, një lakuriq që largohet nga shpella e tij në mbrëmje e rrit temperaturën e trupit të tij me disa gradë në një minutë. Kjo temperaturë e rritur trupore, që arrin 40 gradë Celcius apo më shumë, mesa duket ndihmon në vrasjen e viruseve apo baktereve të padëshirueshëm. Eshtë e rëndësishme të theksohet se dashuria jonë për lakuriqët nuk na ka verbuar(meqë ra fjala as lakuriqët nuk janë të verbër). Ka viruse zoonotike që janë transmetuar nga lakuriqët siç është Marburgu, Hendra, Nipah dhe tërbimi i lakuriqëve…
Viruset e lakuriqëve duhet të marrin respektin që meritojnë, por nuk ka këtu asnjë arsye t’u ngarkosh lakuriqëve viruse që nuk janë të tyret./Haaretz-Përkthimi:ResPublica