Mjeku shqiptar Julian Balla, i cili punon në Breshia të Italisë dha lajme të mira në A2, se situata është drejt përmirësimit në shtetin fqinj.
“Provinca e Breshias ka qenë një nga më të prekurat edhe pse në media është trumbetuar më shumë Bergamo, diferenca është diku te 100 pacientë që kanë ndërruar jetë.
Fatmirësisht, prej 4 ditëve, numrat janë në rënie, kjo na e ka lehtësuar disi punën dhe tashmë presioni ka filluar disa të bjerë.
Vetëm një ditë më parë, në Breshia kanë dalë nga spitali mbi 300 persona të shëruar”, shprehet mjeku shqiptar.
Më tej, ai foli edhe për numrin e lartë të viktimave në Itali, duke dhënë edhe disa arsye të mundshme që kanë sjellë këtë tragjedi, nga testet e pakta te mosha e lartë e popullsisë.
“Kam qenë kritik sa i përket menaxhimit të tamponëve. Tamponi në masë nuk është aplikuar dhe kjo ka sjellë edhe më shumë të vdekur.
Numri i lartë i viktimave i referohet edhe faktin se në të gjithë Italinë janë të shtruar rreth 4 mijë pacientë në terapi intensive.
Italia ka një moshë shumë të vjetër, është edhe populli që ka një përqindje shumë të lartë të sëmundjeve. Pjesa më e madhe e pacientëve kanë 3 apo 4 patologji shoqëruese. Të gjitha këto kanë ndikuar në këtë tragjedi.”
Në fund, një apel për qytetarët: “Ju lutemi qëndroni në shtëpi. Nuk ka asnjë sistem shëndetësor që mund të përballet me një krizë të tillë. Vetëm karantinimi mund ta luftojë këtij virus”.