Kryeministri Edi Rama ka nisur që në orën 19:00 prezantimin e paketës së re të zgjeruar financiare për përballimin e situatës si pasojë e COVID-19.
Kjo paketë, siç ka bërë të ditur më herët vetë kreu i qeverisë në këtë paketë do të përfshihen edhe bizneset e vogla që nuk janë mbyllur, por kanë pasur dëme ekonomike si pasojë e kësaj situate (agjenci turistike, rrobaqepësi e mobileri të vogla, hidraulikë, elektriçistë, fizioterapi, kancelari, servise makinash e lavazhe të liçencuar), do të përfshihet gjithashtu biznesi i madh, sektori turistik dhe fasoneritë.
“E provuan disa të tjerë shumë më të mëdhenj më të fuqishëm se ne që ranë pre e sirenave dhe sot janë zhytur në vorbull infektimi dhe vdekje nga ku ende nuk po nxjerrin kokën në sipërfaqe. Ne e kemi kaluar fazën më të rëndësishme mbrojtjen e jetës, nuk numërojmë ë të vdekur përditë, por kurba mbahet nën kontroll më mirë se në shumicën e vendeve të Evropës, nuk shohim shtretër të mbushur, nuk kemi asnjë humbje jete në bluzat e bardha dhe nuk kemi as kufoma që s’kemi ku t’i varrosim. Detyra ime është të mos e ngatërroj dhimbjen aspak të vogël në jetën e përditshme në ekonominë vogël familjare me shkakun e vërtetë të këtij qëndrimi në mbrojtje që po mbajmë. Ky qëndrim i fortë në mbrojtje e cenon lirinë e qytetarëve, e cenon ndjeshëm ekonominë e familjeve shqiptare, edhe ekonominë tonë kombëtare. Ama mos e harroni, unë nuk e kam të drejtë ta harroj dot: Liritë edhe do të kthehen sapo ta fitojmë këtë luftë, ekonomia do ringrihet, por të vdekurit nuk i ringjallim dot nesër, nëse sot e tradhtojmë kauzën“, tha Rama.