Shkon në 766 numri i personave të prekur në vend nga COVID-19. MSH bëri të ditur sot se janë 16 raste të reja në 24 orët e fundit.
Dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik tha se 10 % e pacientëve trajtohen në spitalet COVID, 90 % e tyre ndiqen nga mjeku i familjes.
“Si çdo ditë, ju bëjmë me dije rezultatet e 24 orëve të fundit sa i takon gjurmimit dhe hetimit epidemiologjik dhe situatën e deritanishme të përhapjes së COVID-19.
Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 270 persona të dyshuar me COVID-19. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 16 raste pozitive me COVID19, nga të cilat 9 raste janë në Tiranë, 5 raste në Krujë, 1 raste në Shkodër dhe 1 rast në Berat.
Deri në këto momente janë testuar 8028 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 766 raste.
Gjatë 24 orëve të fundit, 24 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 455.
Nga 281 pacientët aktivë me COVID19 në vendin tonë vetëm 10 % po trajtohen në dy spitalet COVID ndërsa rreth 90% e tyre janë në vetëizolim me simptoma të lehta ose janë pa simptoma dhe monitorohen në mënyrën sistematike nga mjeku i familjes”, deklaroi Tomini.
Deri tani 30 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor. Në shërbimin infektiv aktualisht janë 27 të shtruar. 6 pacientë janë në terapi intensive.
Në totalin e të shtruarve në spitalin infektiv, ndodhen edhe 3 raste të importuara COVID19, ushtarë shqiptarë të KFOR të ardhur nga Kosova. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 6 pacientë të shtruar. 2 pacientë janë në terapi intensive në gjendje më të rënduar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 33 pacientë.
Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Krujë Shkodër dhe Berat. Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive dhe e shërimeve, është si vijon:
Pavarësisht luhatjeve të të dhënave ditore situata vazhdon të jetë e kontrolluar. Tregues për këtë janë numri i qëndrueshëm i shtrimeve në spitale dhe numri i ulët i pacientëve që kanë pasur nevojë për frymarrje të drejtuar.
Që kjo situatë të vazhdojë të jetë e kontrolluar dhe në kushtet e lehtësimit të disa masave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë masat e vendosura, të respektohet distancimi fizik dhe ruajtja e higjienës personale.
Këto masa duhet të respektohen makimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40.