MENU
klinika

Karakteri kombëtar

Shkenca psikologjike shqiptare në prag të shekullit XXI

02.04.2020 - 17:28

Shqipëria dhe shqiptarët, për arsye objektive, patën fatin e keq, që, për shumë shekuj, të kenë shumë pak psikologë të mirëfilltë. Megjithatë, mendimi psikologjik për shqiptarët dhe i shqiptarëve ka shkëlqyer më shumë se sa gjatë njëzetepesë shekujve. Që të bindesh për një të vërtetë të tillë, mjafton të lexosh historianët e lashtësisë, grekë e romakë (vëllimi I e II i burimeve për historinë e Shqipërisë), relacionet për historinë e Mesjetës shqiptare, veprat e Dr. P. Nushi dhe të akademikut J. Rexhepagiç nga Kosova./Konica.al

Për ç’traditë shkencore psikologjike të pastër mund të flasim, që nga periudha e Rilindjes Evropiane e deri në ditët e sotme? Mendoj se kjo traditë ka disa tipare kryesore.

Së pari, në kushtet e pushtimit më të egër osman, dijetarët më të shquar shqiptarë, u përpoqën për të përhapur dijet shkencore psikologjike, si një nga bazat për krijimin e shkollës në gjuhën shqipe. Psikologët shqiptarë asnjëherë nuk qenë kopjues të verbër të psikologëve evropianë. Në këta shekuj, shembullin më të shkëlqyer e dhanë Barleti dhe Bogdani, të cilët shpalosën teoritë e tyre psikologjike. Ata ndryshojnë dhe nga autoriteti botëror Jan Amos Komenski. Ata dhanë jo vetëm një periodizim origjinal të moshave në pikëpamje psikologjike, por edhe mendime shkencore për potencialet psikologjike të këtyre moshave. Merita më madhore e Barletit dhe e Bogdanit, si dhe i pasardhësve të tyre qe, se hodhën bazat e shkencës së etnopsikologjisë shqiptare.

Përpjekjet për të dhënë një arsim psikologjik bashkëkohor për mësuesit shqiptarë, për intelektualët shqiptarë, për ata të etur që donin atdheun dhe vazhdonin studimet në shkollat turke, i vazhduan patriotët dhe dijetarët e mëdhenj, si Hasan Tahsini me veprën “Psikologjia ose shkenca mbi shpirtin” (1894), i cili i hapi rrugën propagandimit të kësaj shkence edhe në Perandorinë Osmane. Në këtë rrugë të propagandimit dhe të përhapjes së shkencës psikologjike, pavarësisht se nuk qenë psikologë të mirëfilltë, një ndihmesë të madhe dhanë Theodhor Kavalioti, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Gjerasim Qiriazi, Jeronim De Rada, Jani Vreto e shumë të tjerë. Merita e këtyre qe se psikologjinë e vunë në udhëkryq të mendimit politik-shoqëror shqiptar dhe në udhëkryq të mendimit pedagogjik, për shkollën e parë laike në gjuhën shqipe.

Po mbi të gjithë, siç është shprehur dr. Nuri Abdiu, ylli i psikologjisë së shqiptarëve u bë gjaku i gjakut tonë, arbëreshi Gabriele Bukola me famë botërore. Bukola (1854-1885), si specialist i mirëfilltë qe mjek-psikiatër, por krahas kësaj dha një ndihmesë në fushën e psikologjisë eksperimentale. Që në moshën 25-vjeçare nisi të botojë studime në fushën e psikologjisë, të cilat u vlerësuan shumë në Evropë. Të tilla qenë punimet e tij: “Doktrina e trashëgimisë dhe dukuritë psikologjike” (1879). Me këto vepra, ai u shqua si një ndër themeluesit e psikologjisë eksperimentale, siç është shprehur Petrotta më 1972. Për këto vepra shkencore, studiues të ndryshëm e kanë konsideruar Bukolën: “Një nga figurat më interesante dhe gjeniale të kulturës mjekësore dhe të shkencës psikologjike, të lindur në Sicili dhe të edukuar në institutet shqiptare të Sicilisë”. Si psikiatër, ai qe me famë botërore. Veprës së tij iu kushtuan një sërë studimesh të përmbledhura në veprën “Psikologjia eksperimentale e Bukolës në lidhje me edukimin modern”./Konica.al

Në shekullin tonë, psikologjia shqiptare kaloi dy faza tepër të vështira, por me karakter afirmues kombëtar. Ne patëm dy figura qendrore, veç të tjerave, që u përpoqën ta vënë shkollën shqipe mbi baza psikologjike shkencore dhe që i dhanë krahë mendimit psikologjik shqiptar. Këta qenë Gaspër Beltoja, i cili me veprën e vet: “Shkenca dhe arti në mësim”, më 1932 dhe në: “Pedagogjia theoritike”, jo vetëm u përpoq të hedhë bazat psikologjike të mësimit në gjuhën shqipe, po edhe evokoi tiparet më sublime të psikologjisë kombëtare shqiptare, kur shprehej se: “Jemi populli më i motshëm në Ballkan… Kemi histori, gjuhë e zakone të përbashkëta, do të përpiqemi për të jetue të pavarshëm e jo në robni, ç’ka asht sendi ma i paturpshëm për njeriun”.

Psikologu tjetër i shquar shqiptar ndoqi një rrugë tjetër. Shkroi më 1933 një psikologji shqiptare për mësuesit e shkollave shqipe fillore, të cilën e bloi, me sa duket, që nga viti 1909, rreth njëzet e katër vjet dhe e botoi me titullin: “Psikologjia për shkollat normale e për mësuesit e filloreve”. Shkroi dhe mjaft artikuj psikologjikë e i botoi në revista. Merita e tij është, se për herë të parë futi në Shqipëri, pas Beltojës dhe më shumë se Beltoja, me një sens të rrallë kritik e origjinal, elementët e psikologjisë pedagogjike, moshore, patologjike e eksperimentale (pozitiviste). Ky qe Aleksandër Xhuvani, i cili përpunoi me një përkushtim të rrallë prej linguisti terminologjinë e psikologjisë në gjuhën shqipe dhe analizoi në mënyrë kritike rrymat bashkëkohore psikologjike evropiane dhe botërore. Duke nisur nga viti 1946, ai hodhi bazat e para të arsimit psikologjik në shkollë të lartë në Institutin Pedagogjik 2-vjeçar. Nuk ka asnjë dyshim, se, si Beltoja, Xhuvani mbetet një nga figurat më të shquara të psikologjisë shqiptare të këtij shekulli./Konica.al