Janë mbi 100 botime, përfshirë libra, fakte historike, harta, fotografi artikuj për Shqipërinë në periudha të ndryshme historike, vijnë online për lexuesit shqiptarë kudo në botë. Në këto ditë izolimi, organizata ndërkombëtare UNESCO çeli bibliotekën digjitale, për të gjithë qytetarët anë e mbanë botës./Konica.al
Në arkivin e saj, kjo bibliotekë përmbledh dokumente të shumta, si: fotografi, artikuj e studime mbi aspekte të ndryshme të jetës shoqërore, politike dhe ekonomike të Shqipërisë.
Pjesë e saj, është edhe vepra “Historia e Skënderbeut” nga Marin Barleti.
Biblioteka është një trashëgimi e mirëfilltë. Në fondin e saj ruhen gati 20 mijë skedarë nga artikujt historikë, që e kanë origjinën nga 193 vende të ndryshme të botës. Të gjitha, materiale që ofrohen për lexuesit në shtatë gjuhë të botës.
Biblioteka digjitale është projekt i Bibliotekës së Kongresit Amerikan, realizuar me mbështetjen nga UNESCO dhe në bashkëpunim me bibliotekat, arkivat, muzetë, institucionet arsimore dhe organizata ndërkombëtare nga e gjithë bota.
Projekti vjen me synimin për të vënë në dispozicion në internet, falas dhe në disa gjuhë, materiale parësore të rëndësishme nga të gjitha vendet dhe kulturat e botës.
Materialet e gjendura në fondin e kësaj biblioteke kanë si qëllim promovimin ndërkombëtar dhe ndërkulturor, si dhe zgjerimin e aksesit të informacionit mbi materialet për kulturat e vendeve të ndryshme të botës.
Kujtojmë, se biblioteka virtuale është krijuar në vitin 2010.