Nga Jacques Attali/ Sot nuk ka gjë më urgjente se sa kontrolli i dy cunameve – shëndeti publik dhe kriza ekonomike – që po godasin botën. Nuk ka asnjë garanci që ne do të arrijmë t’i kontrollojmë me sukses, por nëse dështojmë, vite të errëta do të vijnë më pas. Më e keqja nuk është e qartë. Dhe për ta shmangur, duhet të shohim në të dyja mënyrat, qoftë në të shkuarën e largët ashtu edhe në të ardhmen për të kuptuar se çfarë luhet.
Për një mijë vjet, çdo epidemi e madhe i ka hapur rrugë ndryshimeve në organizimet politike të kombeve dhe thelbit të kulturës së çdo organizimi të tillë. Për shembull (pa dashur t’i reduktojmë asgjë kompleksitetit të historisë), mund të themi se murtaja bubonike e shekullit të XIV (për të cilën dimë se e reduktoi popullsinë e Europës me një të tretën) ndikoi që të vihej në diskutim roli politik i fesë. Për më tepër, kontribuoi në ngritjen e policisë si mbrojtësi më efektiv i jetëve njerëzore në kontinentin e vjetër. Shteti modern, si shpirti i shkencës, lindi si një pasojë, si një valë shoku e kësaj tragjedie të jashtëzakonshme shëndetësore. Të dyja në fakt i referohen të njëjtit burim: vënia në diskutim e autoritetit fetar dhe politik të Kishës, e paaftë për të mbrojtur jetët apo për t’i dhënë kuptim vdekjes. Kështu, polici zëvendësoi priftin.
Në mënyrë të ngjashme, në shekullin XVIII, doktori zëvendësoi policin si mburoja më efektive ndaj vdekjes.
Kështu pra, në hapësirën e disa shekujve, ne kemi kaluar nga një autoritet i bazuar te besimi në një autoritet të bazuar në respektimin e përdorimit të forcës, dhe pas kësaj në një autoritet më efektiv të bazuar në respektimin e sundimit të ligjit.
Mund të marrim gjithashtu edhe shembuj të tjerë, të cilët tregojnë se sa herë që një pandemi shkatërron një kontinent, ajo diskrediton sistemin e besimit dhe të kontrollit i cili nuk arriti të parandalojë vdekjen e shumë njerëzve. Dhe të mbijetuarit marrin hak ndaj zotërve të tyre duke tronditur marrëdhënien me pushtetin në vend.
Edhe sot, nëse fuqitë perëndimore do të tregohen të paafta për ta kontrolluar tragjedinë që ka nisur, i gjithë sistemi i pushtetit dhe parimet autoritetet të ideologjive do të vihen në diskutim, duke favorizuar kështu zëvendësimin, pas një periudhe të errët, të një modeli të ri të bazuar në një lloj tjetër autoriteti dhe me besimin në tjetër sistem vlerash.
Thënë ndryshe, sistemi i autoritetit i bazuar në mbrojtjen e të drejtave të individit mund të bjerë. Dhe së bashku me të, edhe dy mekanizmat që ai kishte krijuar: tregu dhe demokracia, të dyja korniza për të menaxhuar dhe për të shpërndarë burimet e pakta, duke respektuar të drejtat e individit.
Nëse modelet perëndimore dështojnë, me shume mundësi mund të shohim jo vetëm zbatimin e regjimeve autoritare të drejtuara nga teknologjia që do të përdorin në mënyrë efektive inteligjencën artificiale për mbikëqyrje, por edhe regjimet autoritare që do të kontrollojnë shpërndarjen e burimeve (ky model fillon në vendet më pak të përgatitura dhe të pamenduara: dje në Manhattan askujt nuk i lejohej të blinte më shumë se dy pako oriz).
Për fat të mirë një tjetër mësim nga këto kriza është se dëshira për të jetuar është gjithmonë më e fortë. Dhe, në fund të fundit, qeniet njerëzore kapërcejnë gjithçka që i pengon të shijojnë momentet e rralla të qenies së tyre në tokë.
Kështu që kur pandemia të qetësohet, do të krijohet një autoritet i ri legjitim (pas një faze të thellë të vënies në diskutim të legjitimitetit të autoritetit, një faze regresioni të autoritarizmit në përpjekje për të mbajtur zinxhirët e pushtetit dhe një faze lehtësie burracake). Nuk do të bazohet në besim ose në forcë, as edhe në arsye (dhe pa dyshim as në para, që është është avatari i fundit i arsyes). Fuqia politike do t’u takojë atyre që mund të tregojnë më shumë empati për të tjerët. Sektorët kryesorë ekonomikë gjithashtu do të lidhen me empatinë: shëndeti, mikpritja, ushqimi, arsimi dhe mjedisi. Natyrisht duke u mbështetur në rrjetet kryesore të prodhimit dhe në flukset e energjisë dhe informacionit, të cilat mbeten të nevojshme në çdo rast.
Do të reshtim së bleri gjëra të padobishme si të tërbuar dhe do t’i kthehemi thelbit, duke shfrytëzuar sa më mirë kohën tonë në këtë planet, të cilën do të kemi mësuar ta njohim si të rrallë dhe të çmuar.
Roli ynë është të sigurojmë që ky tranzicion të jetë sa më i qetë dhe jo një fushë shkatërrimi. Sa më shpejt ta zbatojmë këtë strategji, aq më shpejt do të dalim nga kjo pandemi dhe nga kriza e tmerrshme ekonomike që do të pasojë.
*Jacques Attali është ekonomist, bankier dhe publicist francez. Ka qenë këshilltar dhe Drejtor i Kabinetit të Presidentit François Mitterrand. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.