Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigu Soreca ka reaguar pasi janë nisur nga Shqipëria një tjetër grup infermierësh prej 60 vetash të cilët do t’i vijnë në ndihmë shtetit fqinj në “luftën” kundër Covid-19.
Përmes një postimi në Twitter, ai ka falenderuar vendin tonë, duke theksuar se solidariteti është në zemër të vlerave të Bashkimit Europian.
Soreca e konsideron një tjetër gjest të shkëlqyer nga shteti shqiptar.
‘Një tjetër gjest i shkëlqyer solidariteti nga Shqipëria. 60 infermierë shqiptarë fluturuan në Itali për të dhënë kontributin e tyre në luftën kundër COVID19. Solidariteti është në zemër të vlerave të Bashkimit Evropian. Faleminderit shumë Shqipëri’, shkruan Soreca.
Kujtojmë se disa javë më parë Shqipëria bëri jehone me gjestin fisnik ku dërgoi një grup prej 30 mjekësh dhe infermierësh të cilët po japin kontributin e tyre në spitalet e Italisë.