COVID-19 po lë pasoja të rënda edhe nga ana psikologjike. Një lajm I trishtë vjen nga klubi i Reims në Francë, ku luan edhe futbollisti i Kosovës, Arbër Zeneli. Mjeku i kësaj skuadre ka vrarë veten në gjendje të rënduar psikologjike, pasi është infektuar nga koronavirusi.
Bernard Gonzalez, mjeku i klubit, është gjetur i vdekur në banesën e tij dhe të gjitha pistat çojnë te vetëvrasja, pasi prej disa ditësh ishte i izoluar bashkë me gruan e tij meqë ishte i infektuar nga virusi i rrezikshëm. Kryetari i bashkisë së qytetit ka konfirmuar gjithçka për “Le Parisien”:
“Ai ishte një njeri shumë i përkushtuar, një njeri i këndshëm. E di që ka lënë një letër ku shpjegon arsyet e vendimit të tij. Por nuk jam në dijeni të asaj që shkruan”. Askush në klub nuk e dinte se çfarë kishte ndodhur derisa lajmi u publikua nga autoritetet lokale franceze.