MENU
klinika

Dhimbje ndër vargjet e Çun Lajçit

“Unë s’paskom pse me ardhë n’Myslim Shyri”

21.04.2020 - 12:23

Poeti dhe lahutisti i njohur kosovar, Çun Lajçi ka thurur disa vargje në nder të Rikard Ljarjas, të cilin e konsideron një yll të skenës së fjalës dhe që sot na ka lënë vetëm.

Lajçi thotë se Ljarja kohë më parë e ka pritur siç ai di, si shkodran ndërsa sot poetit nuk i duhet më të vijë në Tiranë pasi ai nuk është më aty. Po ashtu ai kujton edhe kohërat e vjetra me Ljarjen në Pogradec, me gratë e tyre kur flisnin për artin…

Pusho n’Shkodrën tande Rikard Ljarja
(Përkujtim)

Vonë ishte.
S’po me merrte gjumi, e s’po m’rrihej ma pshtetun n’divan.
Sytë m’ishin qorrua, tue i ndrrua kanalet e televizorit, gjithë ditën. Trutë po me vlojshin, tue i numërua të infektuemit e katundeve, qyteteve, mahallave…!
Zotit po i lutesha, veç për nji nanë t’re, që ishte shtatzanë, e po luftonte me vdekjën!
O perendi, ofshana, po çfar mëkati ka ba foshnja n’bark, që ia dergon virusin asaj nane?
Dhe e mbylla televizorin. E hapa kompjutrin, thashë t’shoh, si janë këta miqtë e facebook-ut! Se, kemi mbetë si kertollat e pa mbjelluna, tue na shpërthye rrajët pa hi n’dhe!
Aktorja shkodrane Dana Xhaj, m’shfaqet me nji fotografi t’aktorit tjetër, Bruno Shllakut.
Fooorcaaa Brunoooo… shkruen përfundi fotografisë!
M’rreh zemra keq! I shkruej shpejt.
– Çka ka Bruno moj e marrë që bërtet foooorcaaaaa!
Ma kthen me mirësjellje.
Mik, Brunoja po lufton me nji gotitje hemorogjie cerebrale. Asht paralizua komplet ana e djathtë. Sytë i kanë mbetë hapur por s’flet!
Ndihmoje Zot them, tue u përbi.
I hallakati miqtë tjerë. M’del para shkodranja tjetër, poetja Bona Mulaj Lluka, e madhe sa Fushë Arrza. Ajo me foton e aktorit tjetër, atij Dedës nga filmi, që u ngri n’shtyllë telefoni, tue i lidhë telat e këputun nga bora e fërfëllaza, në ndrrim motesh, veç mos me i lanë shqiptarët, pa i thanë njeni tjetrit gëzuar vitin e ri 19…!
– Galë, i them sime shoqe, Rikardi paska vdekë!
Lexoj fjalët e Bonës; pse u largove n’kohë pa kohë, tani kur s’mundemi me ta kthye, ate që ti na e dhurove përmes filmit Dede!
Bahem i lig, m’lagen sytë.
I shkruej poetës, m’trego moj e zanueme, kur vdiq?
Sonte, n’Tiranë, nga smundje e keqe!
Dhe m’hapet dritarja e vitit 1972, atij marsi t’lulëzimit si n’përralla, t’Çunit me Rikardin, tue ecë Bulevardit Skender Beg!
Gjithçka që andrrua e kisha për Shqipninë e Shkodrën, e gjeta tek ai!
Nuk ngihej tue lypë Kosovë n’mua, e unë tue gjetë Shqipni tek ai!
Milioner n’zemër e xhepat e shkyem, e art n’vete ky Rikardi!
Ballin ma puthte, sikur e kërkonte Bekimin, t’preferuemin e tij…e Çunit i thoshte vëlla!
I shkova n’konak kur iku ai dreqi i zi, kur ky nisi me i marrë kambët, mu kamë pak, n’vitin 1995. Zemër, Fishtë e raki e bërxolla pak, e cingare LM deri n’mëngjes!
Atë natë po flisnim për Ali Pashë Gucinë, për nji grimë film,që po mundoheshim me ba, se andërr e kisha Alinë me luejt e Rikardi me ba regjinë. Por pare, ah pare s’kishim, e filmi kurrë s’u ba!
Njiherë qëlloi n’Shkodër. I thashë Marjetës, t’shoqës, po gjej konak dikund tjetër, mbasi Riku s’qenka këtu.
E hetoi se po ngushtohesha me fjetë n’konak pa burra!
E dini se çka m’tha: Konaku i Rikardit kurrë s’asht pa burra! T’birin e ka këtu.
Vërtetë, n’dhomën tjetër kishte pasë qenë i biri, me nji qenë pastor gjerman!
Eh!
Kishte vetëm dhomë e kuzhinë, por as sarajet e Ali Begut s’ishin ma t’mdhaja! Se Rikard ishte Ai!
Gjithkujt i thoshte: Ky asht Çuni, që hecte dathë nëpër Tiranë, n’vitin 1972! E ne bajshim seri! Ç’asht ky artist pa këpucë?
Mos asht ndonji provokator, spiun?
Kurrë s’me tregove pse?
I tregova kur ishim n’Pogradec, me gratë, artistet tona. Edhe Bubulinen e kisha pranë!
– Nji palë sandale si t’Bekimit, të Odiseu, i pata punua enkas të nji këpuctarë, dhe me to erdha. Por m’përqeshen natën e parë kur dola n’korzo, n’sheshin e Tiranës!
Lloj-lloj batutash m’thanë, dhe unë i turpnuem ika n’hotel Dajt, dhe i hoqa. Heca 10 ditë dath, se tjera s’kisha! Por pata igball, se marsi ishte i nxeht e s’u ftofa!
Po ti paske pas kjenë i marrë, m’tha!
Mbramë, vonë e mbylla dritarën e kujtimeve, e me dhimbjën për Rikardin, gjumi n’divan m’kishte pasë marrë!
S’jam zog, e n’varrim ndryshe s’kam si me t’ardhë Rikard, se kufijtë mbyllë na i kan!
Pusho n’Shkodrën tande mik. Ajo të deshti shumë.
I thashë Galës: Po ikim nji nga nji!
Sa mirë që po iu shkruej, por mua s’kanë me m’shkrua kurrë, se nuk isha si ata!

Dardani, 21.04.2020

***

*Sonte qenka nda nga jeta artisti i madh Rikard Ljarja!
Shpirti i pastë dritë!

*Ti arti i zemrës sime*
( R.i.p Rikard Ljarja)

Kam ardhë natën
e dritë Tirana m’u ka ba
n’Myslim Shyri kur t’kam taku
viteve t’hershme t’skamjës
e t’vonshme t’kamjës pak
Ti yll i skenës i fjalës
art n’tel zemre që s’harrohësh
sonte e njiqind vjet
Shkodrançe m’ke pritë
a je burrë
t’paça me nder
rugovisht këthye ta kam
e çua m’ke n’konak
Zemrën shtrua n’sofër ma ke
me nji gotë raki
për Kosovën ngrykë jemi marrë
Kur folë kemi për artin n’ballë m’ke puthë
për Bekimin Farukun Melin
s’jemi ngi me Fishtën
zanin n’lahutë fort ma ke dashtë
Edhe nji si ti Oson se ngjallë as vajin e Avdisë
se vajton n’Vraninë
burrnisht n’Pogradec ma pate thanë
Marjeta t’përpiu me sy
fishtjan je vet edhe shkodran
pse ti se qanë Lahutën e Mrizin si ky
Dy herë s’bahet e mira moj e marrë
tue qeshë sa herë i ke thanë
Sonte paske ikë të Bujari Rikard
udhën e paç të mbarë
Unë s’paskom pse me ardhë
n’Myslim Shyri
ti s’qenke ma n’Tiranë

Prishtinë 20.04.2020

Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!